Fillojnë punimet për restaurimin e pesë monumenteve në Bylis

21 Korrik 2026, 11:13Kulturë TEMA
Fillojnë punimet për restaurimin e pesë monumenteve në Bylis

Parku Arkeologjik Bylis/Klos njoftoi për nisjen e punimeve për konservimin e pesë prej monumenteve më të rëndësishme të këtij parku, në kuadër të një projekti që synon ruajtjen dhe mbrojtjen afatgjatë të trashëgimisë kulturore.

Ndërhyrjet do të përfshijnë Teatrin e Bylisit, Teatrin e Klosit (Nikaia antike), Cisternën dhe Termet e Justinianit, Prytaneionin dhe Arsenalin si dhe Bazilikën D.

Projekti synon stabilizimin dhe konservimin e këtyre monumenteve, duke garantuar ruajtjen e vlerave historike dhe arkeologjike të parkut. Njëkohësisht, ndërhyrjet pritet të përmirësojnë menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Bylis/Klos dhe të ofrojnë një përvojë më cilësore për vizitorët.

Bylisi dhe Klosi janë ndër qendrat më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, që dëshmojnë historinë dhe zhvillimin e qytetërimeve antike në vend, ndërsa investimi i ri synon t’i mbrojë këto monumente si dhe t’i bëjë me te aksesueshme për publikun.

Projekti realizohet në kuadër të nismës “EU for Economic Development – Tourism-led Local Economic Development”, financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri dhe AICS, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. A.K./TemA

Lini një Përgjigje