Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujton në ditën e ndarjes nga jeta poetin e shquar Ali Podrimja

21 Korrik 2026, 16:22Kulturë TEMA
Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujton në ditën e

Ali Podrimja është një nga zërat më origjinalë dhe më të fuqishëm të poezisë moderne shqiptare. Ai lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë dhe u nda nga jeta më 21 korrik 2012 në Lodève, Francë, gjatë një festivali ndërkombëtar të poezisë.

Që nga përmbledhja e parë “Thirrje” (1961), ai spikati për vargun e lirë, të ngjeshur dhe metaforën e fuqishme, duke sjellë një frymë të re në letërsinë shqipe. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare, shkruan akademia.

Me veprat “Dhimbë e bukur” (1967), “Torzo” (1971) dhe sidomos “Lum Lumi” (1982), poezia e tij arriti kulmet e vlerësimeve letrare, jo vetëm për figuracionin e pasur letrar, por edhe për mesazhet e thella të humanizmit dhe patriotizmit. Veprat e tjera më të njohura të Ali Podrimjes janë: "Thirrje" 1961 , "Sampo" 1969 , "Folja" 1973 , "Credo" 1976 , "Sampo 2" 1980 , "Drejtpeshimi" 1981 , "Fundi i Gëzuar" 1988 , "Zari" 1990 , "Në bisht të sorrës" 1994 , "Buzëqeshje në kafaz" 1995 , "Ishulli Albania" , "Pikë e zezë në blu" 2005 etj. Para viteve ’90, Podrimja u pranua gjerësisht si përfaqësuesi më tipik i modernizmit poetik shqiptar, duke u bërë një pikë referimi për kritikën dhe lexuesin.

Temat e dhimbjes, vetmisë, mërgimit dhe identitetit kombëtar u shndërruan në poezi universale, duke e vendosur krijimtarinë e tij në një nivel të krahasueshëm me letërsinë bashkëkohore europiane.

Vepra e Podrimjes është përkthyer në disa gjuhë dhe ka qenë pjesë e manifestimeve ndërkombëtare, duke e bërë kulturën shqiptare të njohur më gjerë. Ali Podrimja u nderua me një sërë vlerësimesh ndërkombëtare dhe kombëtare, duke u pranuar si një nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe moderne.

Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, anëtar i PEN-it shqiptar dhe i qendrave letrare europiane, duke fituar reputacion të gjerë në botën letrare.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje