Nga finalet e Champions League tek Superliga Shqiptare, Anthony Taylor i jep lamtumirën futbollit!

21 Korrik 2026, 19:10Sport TEMA
Nga finalet e Champions League tek Superliga Shqiptare, Anthony Taylor i jep

Gjyqtari i mirënjohur anglez, Anthony Taylor, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli pas një karriere brilante prej më shumë se dy dekadash.

47-vjeçari i jep lamtumirën fushës së blertë pas 831 ndeshjesh në të gjitha nivelet. Ndeshja e tij e fundit ishte ajo mes Spanjës dhe Portugalisë (1-0) në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026. Gjatë 16 sezoneve në Premier League, ai drejtoi 432 takime, duke u renditur i treti në historinë e kampionatit anglez. Cv-ja e tij përfshin ndeshjet më elitare, duke nisur nga finalja e Champions League (2024), Europa League (2023), Botërori i Klubeve dhe eventet madhore si Botërori e Europiani. “Arbitrimi në nivele të larta ka qenë privilegj, por presioni dhe vëmendja janë intensive. Është koha e duhur për t’u tërhequr,” deklaroi Taylor.

Lidhja e veçantë me Shqipërinë

Përtej arenës ndërkombëtare, Taylor ka një lidhje të veçantë me futbollin tonë. Ai ishte njeriu që vendosi drejtësi në finalen historike të “Final Four” të Superligës Shqiptare mes Egnatias dhe Partizanit (1-0), luajtur në “Air Albania” më 26 maj 2024.

Gjithashtu, bilbili anglez ka kryqëzuar rrugët dy herë me Kombëtaren kuqezi: në barazimin e vlefshëm 1-1 ndaj Çekisë për kualifikueset e Euro 2024, si dhe në ndeshjen fatale të “play-off”-it për Botërorin 2026, ku Shqipëria u mposht 2-1 nga Polonia në Varshavë.

Lini një Përgjigje