Ndryshime të reja pritet të aplikohen në sektorin e turizmit, me qëllim rritjen e standardeve të strukturave akomoduese, formalizimin e tregut dhe garantimin e aksesit të lirë të qytetarëve në bregdet.
Ndryshimet në ligjin “Për turizmin”, propozuar nga deputeti Taulant Balla, u diskutuan në komisionet parlamentare. Një prej ndërhyrjeve kryesore lidhet me klasifikimin e hoteleve dhe strukturave të tjera akomoduese, të cilat duhet të projektohen që në fillim sipas kategorisë dhe standardeve që synojnë të ofrojnë.
“Ndërhyrjen në fazën e projektimit dhe të lejes së ndërtimit, në mënyrë që struktura akomoduese që ndërtohet, që në fillim të ndërtohet sipas standardeve të kategorive të synuara, duke shmangur ndërhyrjet korrigjuese pas përfundimit të investimit. Tani, ta themi troç: nuk mund të nisim një strukturë për pallat dhe ta përfundojmë hotel. Duhet të fillojë hotel dhe të mbarojë hotel,” shprehet Taulant Balla Deputet i PS.
Projektligji parashikon gjithashtu përmirësimin e Regjistrit Qendror të Turizmit dhe bërjen të detyrueshëm të regjistrimit dixhital. Sipas propozuesve, kjo do të mundësojë të dhëna më të sakta për turistët, formalizim më të lartë të aktivitetit dhe shtim të të ardhurave nga taksat për pushtetin vendor.
“Ligji siguron aksesin e lirë e të pandërprerë dhe lëvizjen e lirë të publikut drejt bregut të detit. Keni pasur shumë tentativa në periudhën e sezonit turistik ku kishte një privatizim faktik të hapësirës publike me gardhe e pengesa arbitrare. Këto janë tërësisht të ndaluara," tha Pirro Vengu Deputet i PS.
Ndryshimet synojnë që investimet turistike të kontrollohen që në fazën e projektimit, ndërsa administrimi i sektorit të mbështetet më shumë në regjistrimin dhe monitorimin dixhital.
Prisni dhe 10 vjet prisni...ka akoma pa ndertuar?