ARRSH hap tender 5.2 mln euro për lidhjen e unazës verilindore të Tiranës me Rrugën e Arbrit

20 Korrik 2026, 15:10Ekonomia TEMA
ARRSH hap tender 5.2 mln euro për lidhjen e unazës verilindore të

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender me vlerë 5.2 milionë euro pa TVSH, për të lidhur Unazën Verilindore me Rrugën e Arbrit. Afati për të marrë pjesë në garë për “Ndërtimin e rrugës lidhëse të unazës verilindore me rrugën e Arbrit” është 5 gushti 2026.

Rruga ekzistuese me gjatësi tre kilometra thuhet në dokumentet e tenderit edhe pse është një nyje strategjike dhe ka fluksit të lartë të lëvizjes së automjeteve, është e dëmtuar.

“Rruga “Myslym Keta” është një arterie kyçe brenda Njësisë Administrative 4 në Tiranë, që lidh dy rrugë të rëndësishme, Rrugën “Aleksandër Moisiu” dhe Rrugën “Arbrit.” Segmenti rrugor i marrë në studim ka një gjatësi rreth 3000 metra linearë dhe një gjerësi që varion nga 7 deri në 10 metra. Aktualisht, rruga është e mbuluar me një shtresë asfaltike, por ajo ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në shumë pjesë të saj. Çarjet dhe gropat në sipërfaqen e rrugës ndikojnë negativisht në sigurinë dhe komoditetin e lëvizjes së automjeteve, duke rritur rrezikun e aksidenteve dhe ulur efikasitetin e transportit”, thuhet në dokument.

Për shkak të dëmtimeve që ka pësuar ky segment rrugor, në dokumente thuhet se rruga e re do të ketë ndikim pozitiv edhe ekonomik.

“Dëmtimet dhe kushtet e këqija të infrastrukturës rrugore ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës së banorëve, duke e bërë lëvizjen e përditshme të vështirë dhe të pasigurt. Rruga “Myslym Keta” është një segment i rëndësishëm për aktivitetet ekonomike lokale, pasi ajo kalon përmes një zone me densitet të lartë të bizneseve të vogla dhe shërbimeve. Gjendja e keqe e rrugës ndikon negativisht në qarkullimin e klientëve dhe furnizimin e bizneseve, duke penguar zhvillimin ekonomik të zonës. Për më tepër, infrastruktura e dëmtuar dhe mungesa e kushteve të përshtatshme për parkim redukton atraktivitetin e zonës për investitorët e mundshëm, çka mund të ndikojë në rritjen e papunësisë dhe uljen e të ardhurave për komunitetin lokal”, theksohet në dokument.

Lini një Përgjigje