Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me jashtë kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë muajit Qershor 2026. Sipas raportit të fundit zyrtar të Institutit të Statistikave (INSTAT), eksportet e mallrave arritën vlerën e 35,4 miliardë lekëve, duke u zgjeruar me 13,6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një ecuri pozitive u vu re edhe në raport me muajin paraardhës (Maj 2026), me një rritje prej 8,3%.
Nga ana tjetër, edhe importet e mallrave kanë vijuar kurbën rritëse, duke kapur vlerën e 83,5 miliardë lekëve (një rritje vjetore prej 9,1%). Për shkak të hendekut të madh mes blerjeve dhe shitjeve jashtë vendit, deficiti tregtar i këtij muaji u fiksua në 48,0 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 6,1% në terma vjetorë, por duke pësuar një rënie të lehtë prej 0,4% krahasuar me Majin 2026.
Energjia dhe materialet e ndërtimit udhëheqin eksportet
Sipas strukturës së shkëmbimeve, sektori i energjisë dhe ai i industrisë së rëndë kanë qenë motorët kryesorë që shtynë përpara shitjet shqiptare jashtë kufijve.
Në analizën e INSTAT, ndikimi i grupeve kryesore në rritjen e eksporteve specifikohet si më poshtë:
Pozitivisht kanë ndikuar grupet minerale, lëndë djegëse, energji elektrike’ me +5,7 pikë përqindje, ‘Materiale ndërtimi dhe metale’ me +3,6 pikë përqindje, dhe ‘Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi’ me +3,3 pikë përqindje.”
Në krahun e kundërt, performancë negative regjistroi sërish sektori i manifakturës tradicionale, ku grupi “Tekstile dhe këpucë” uli eksportet e përgjithshme me -1,1 pikë përqindje, i pasuar nga “Prodhime druri/letre” dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me nga -0,2 pikë përqindje secili.
Sa u përket importeve, rritja prej 9,1% u diktua sërish nga blerjet e lëndëve djegëse dhe energjisë (+2,3 pikë përqindje), si dhe nga grupet “Ushqime, pije, duhan” dhe “Produkte kimike/plastike”, të cilat kontribuan me nga +2,2 pikë përqindje secili.
Italia dhe Kosova partnerët kryesorë
Gjeografia e tregtisë së jashtme tregon një konsolidim të raporteve me partnerët tradicionalë, por edhe zhvillime rajonale. Italia mbetet partneri kryesor i vendit, ku eksportet u rritën me 7,6% dhe importet nga ky shtet kërcyen me 24,9%. Një rritje e fuqishme e eksporteve u regjistrua edhe me Kosovën (38,5%). Ndërkohë, rënien më të madhe të shitjeve Shqipëria e pësoi me Gjermaninë (-12,8%) dhe Maqedoninë e Veriut (-13,0%).
Varësia e ekonomisë shqiptare nga blloku evropian mbetet tejet e lartë, si në shitje ashtu edhe në blerje.
“Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58,4% të gjithë tregtisë. Në Qershor 2026, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 69,9% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53,6% të importeve gjithsej.”, theksohet në raportin e INSTAT.
Të dhënat administrative, të cilat INSTAT i siguron nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, konfirmojnë se shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet për muajin qershor u fiksua në 42,5%, duke shënuar një përmirësim në krahasim me mesataren e vitit të kaluar (39,0%), çka tregon një rritje graduale të kapaciteteve shitëse të vendit.
Po Tabokja Qerpici cfare thote i di keto zhvillime ekonomike