Kërkoi në Tiranë respektimin e shtetit ligjor, por në Milano dënohet nga gjykata: Eurodeputetja Ilaria Salis t'i paguajë 300 mijë euro 2 bashkëpunëtorëve që shkarkoi padrejtësisht nga puna

22 Korrik 2026, 21:05Bota TEMA
Kërkoi në Tiranë respektimin e shtetit ligjor, por në Milano

Eurodeputetja Ilaria Salis, e cila disa javë më parë erdhi në Tiranë duke mbështetur protestat kundër qeverisë dhe takoi Arlind Qorin në zyrat e Lëvizjes Bashkë, është dënuar nga Gjykata e Milanos për pushimin nga puna të dy bashkëpunëtorëve të saj pa shkak të ligjshëm. Ajo është detyruar t’u paguajë mbi 300 mijë euro dëmshpërblim.

Salis, e cila erdhi në Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe respektimin e shtetit të së drejtës, është dënuar në mungesë, pasi nuk u paraqit në asnjë fazë të procesit gjyqësor.

Salis, e cila u arrestua në Hungari pasi u akuzua se kishte sulmuar militantë të ekstremit të djathtë gjatë manifestimeve të të ashtuquajturës "Dita e Nderit", u zgjodh eurodeputete me Aleanca e të Gjelbërve dhe e Majta (Alleanza Verdi e Sinistra) në qershor të vitit 2024. Në fitoren e saj kontribuan edhe dy ish-bashkëpunëtorët, të cilët u pushuan nga puna vetëm disa muaj më vonë, në shkurt 2025, pa asnjë paralajmërim.

Të dy kontratat e tyre ishin të vlefshme deri në përfundimin e mandatit parlamentar, më 16 korrik 2029, dhe parashikonin paga mujore prej 2.900 dhe 3.000 euro. Detyrat e tyre përfshinin zhvillimin e projekteve për promovimin e rolit të eurodeputetes, organizimin dhe menaxhimin e fushatave dhe aktiviteteve në Itali dhe jashtë saj, asistencën në marrëdhëniet me autoritetet dhe këshillimin politik në nivel strategjik e taktik.

Bashkëpunimi, megjithatë, u shndërrua shpejt në konflikt. Njëra asistente mori njoftimin për ndërprerjen e parakohshme të kontratës me arsyetimin se ishte prishur raporti i besimit, duke krijuar një papajtueshmëri në ambientin dhe marrëdhëniet e punës. Bashkëpunëtorit tjetër iu revokua detyra me efekt të menjëhershëm për shkak të pakënaqësisë së dukshme ndaj përmbajtjes së bashkëpunimit të tij. Sipas gjykatës, Salis nuk bëri asnjë përpjekje për të arritur një marrëveshje me ta dhe përfundoi e humbur në proces.

Në vendimin e muajit mars, gjykata thekson se barra për të provuar ekzistencën e një shkaku të ligjshëm për pushimin nga puna i takonte punëdhënëses. Duke qenë se Salis nuk mori pjesë në proces, ajo nuk e përmbushi këtë detyrim, ndaj gjykata arriti në përfundimin se pushimet nga puna ishin të pajustifikuara.

Si rezultat, ajo u detyrua të paguajë 300.900 euro dëmshpërblim për të ardhurat që dy ish-bashkëpunëtorët do të kishin përfituar deri në fund të mandatit parlamentar, si edhe 10 mijë euro për shpenzimet gjyqësore.

Eurodeputetja e ka kundërshtuar vendimin dhe ka bërë të ditur se çështja ndodhet tashmë në apel. “Është një vendim që e kundërshtoj plotësisht dhe që e kam ankimuar. Procedimi është aktualisht në shqyrtim në apel dhe jam e bindur se shkalla e dytë e gjykimit do të sqarojë siç duhet faktet”, deklaroi ajo.

Salis shtoi se ndërprerja e bashkëpunimit me dy asistentët nuk ishte arbitrare, e papritur apo pa arsye, por ishte bërë e domosdoshme për të mbrojtur ushtrimin korrekt të mandatit të saj parlamentar, përdorimin e përgjegjshëm të fondeve publike dhe, në fund, interesat e qytetarëve që ajo përfaqëson.

Lini një Përgjigje