
Pogradeci këtë fundjavë korriku të shfaqet si një radhë e gjatë makinash të ngecura nën një diell që, ndonëse jo aq përvëlues sa ai i Tiranës, është gjithsesi jashtëzakonisht djegës për këtë qytet, të cilit shqiptarët prej vitesh i lakmojnë fresiknë dhe qetësinë. Teksa pritja zgjatet më shumë se çdo herë tjetër që kam qenë këtu, një zhurmë e çjerrë motorri si fyti i ftohur i ndonjë ciklopi, më detyron të hedh sytë nga të dyja pasqyrat e makinës. Dy pika fillmisht të zbehta në cepat e pasqyrave, shndërrohen pa kaluar shumë kohë në dy vargje motoçikletash të zhurmshme dhe e kam tashmë të qartë se këtë radhë nuk do të gjej as qetësinë e as fresiknë për të cilën jam nisur drejt Pogradecit. Qyteti përgatitet për fundjavën e festivalit “Moto Fest”. Por nuk jam i vetmi që kam ardhur këtu me një pritshmëri të tillë. Para dhe pas meje, radha e gjatë e makinave të ngarkuara me çanta plazhi, fëmijë të lodhur dhe prindër të paduruar, duket sikur ndajnë të njëjtin besim disi naiv se, pak kilometra më tej, pranë liqenit, koha do të ecë më ngadalë.

Kolona e makinave nis të shpërbëhet vetëm aty ku rruga ndahet në dysh. Shumica marrin majtas, drejt liqenit, shëtitores dhe hoteleve, me një ngut sikur pas tyre të qe hapur diçka nga e cila duhet të largohen sa më shpejt. Rrugës tjetër, asaj në të djathtë, duket sikur kanë frikë edhe t’i hedhin sytë. Edhe unë ndjek të njëjtën rrugë dhe pas pak minutash gjendem në një koreografi që përsëritet çdo fundjavë vere. Skena (qyteti) mund të ndryshojë, por ritualet mbeten të njëjtat: çanta të ngarkuara si për nisjen e një jete të re, recepsione hotelesh, kamerierë që nxitojnë mes tavolinave aq të lodhur nga orët e gjata të punës në diell sa që nuk duhet shumë mund për t’u kthyer në armikun e tyre.

Vetëm në mbrëmje, kur zhurma e shëtitores dhe gërvima e fytit të motoçikletave afër qëndrës së qytetit fillojnë të më lodhin, largohem insinktivisht disa rrugë më tutje. Festivali i motorrave nuk duket edhe aq keq por, i arratisur nga një muaj këngësh të rizbuluara nacionaliste çdo mbrëmje nëpër Tiranë, zhurmës së TV e trafikut dhe vezëve, e fundit gjë që dua tani është aroma e naftës dhe hungërima e motoçikletave. Mjaftojnë pesë minuta larg shëtitores kryesore buzë liqenit, që qyteti të shfaqë fytyrën tjetër të tij.

Teksa muzika dhe zhurma zbehen në sfond, trotuaret vijnë e ngushtohen dhe fasadat e restauruara ia lënë vendin pallatave me tulla të kuqe të socializmit. Një shitëse e lodhur nga vapa vështron gjysmë e përgjumur nga pas banakut të një dyqani që duket se i përket shekullit të kaluar. Shet pak nga të gjitha, nga frutat në arka para dyqanit, tek bukët e mbetura në raftin pas shpinës së saj dhe diku midis, suvenirë me gjasë të prodhuara në Kinë. Edhe këtu tregu global ka mbërritur, vetëm se në vend të bollëkut të premtuar, duket se ka lënë pas një grusht mallrash të rastësishme dhe ca kujtime vendase të prodhuara mijëra kilometra larg nga njerëz, për të cilët ky qytet mund të jetë fare mirë edhe një trill imagjinate. Në anën tjetër të rrugës, ca rripa të bardhë, kuq e blu në fasadën e rrjepur mbi derën e kyçur me dryn tregojnë një berberanë, ku e vetmja shenjë jete duket të jetë ndriçimi anemik i një shufre neoni mbi një prej pasqyrave. Teksa eci pak më tej, kaloj pranë disa shtëpive prej guri gjysmë të rrënuara, ku mes baltës dhe barishteve të thata, ca trarë druri zgjaten si brinjë të dala, të cilët trupat e këtyre banesave të dikurshme nuk i fshehin dot më nga sytë e kalimtarëve. Nuk kam asnjë arsye të besoj se jeta brenda këtyre ndërtesave dikur ka qenë më e mirë se sot. Me gjasë ka qenë më e varfër, më e vështirë dhe më e ftohtë, por përballë ndërtesave të reja, rrënojat ruajnë avantazhin e të mos paturit nevojë të reklamojnë veten. Nuk iu duhet të mbartin në kokë si kapele të çuditshme tabela të shndritshme që premtojnë përvoja autentike dhe ushqim tradicional. Janë ato që janë, të thyera nga pesha e kohës dhe krejt të padëshiruara të na bindin se pas tyre fshihet një e shkuar më e bukur.
Por në Pogradec nuk të duhet të ecësh shumë për të kaluar nga një kohë në tjetrën. Pas disa minutash mes “rrënojave” të qytetit “të vjetër”, rruga të nxjerr tek qyteti i ri i vjetër, një shëtitore me disa shtëpi karakteristike të restauruara vitin e fundit, ku turistë të huaj shuajnë vapën me birrë dhe akullore. Teksa ecën edhe pak, dritat e lokaleve të qytetit turistik zëvendësojnë përfundimisht blunë nostaligjke të qytetit ku jetojnë njerëz, ndërsa muzika mbulon heshtjen dhe aroma e trarëve të kalbur ia lë vendin peshkut të pjekur në skarë dhe sushit me koran. Në pamje të parë, qyteti i dukshëm dhe ai i padukshëm ngjajnë të lidhur përmes së njëjtës estetikë ku dominojnë gurët, druri, oborret dhe çatitë me tjegulla, por kjo s’është veçse një ngjashëmri mashtruese. Qyteti i padukshëm, ai i “rrënojave” ku njerëzit vuajnë, gëzojnë e punojnë, ai me lokale dasmash dhe agjensi funerale por pa hotele, është plakur natyrshëm, ndërsa tjetri projektohet me kujdes të duket i vjetër për vizitorët. Tani e kam të qartë përse në mëngjes makinat nguteshin aq shumë të merrnin rrugën tjetër në hyrje të qytetit dhe qenë gati të sakrifikonin edhe pritjen e gjatë në trafik. Ndoshta nuk shkonin vetëm drejt liqenit, por edhe larg gjithçkaje që iu kujtonte se koha, ndërkaq, vazhdonte punën e vet.
Ferri është një sallë ngrënieje plot me pleq
Të nesërmen në mëngjes, teksa nostalgjia e rrënojave më pluskon ende në një pjesë të trurit mes mbetjeve të gjumit dhe nevojës për kafe, zbres në sallën e ngrënies së hotelit, ku koha më përshëndet sërish. Kësaj radhe jo mbi mure guri të rëna, por ulur në çdo tavolinë me mbulesat e bardha me njolla reçeli dhe lëng portokalli, e përkulur mendueshëm mbi pjata të mbushura nga bufeja e mëngjesit, duke u përtypur ngadalë dhe duke përsëritur pafundësisht të nëjtat pyetje.
Për disa minuta nuk arrij të shoh asgjë tjetër, veçse nofulla që përtypen dhe lugë që trokasin mbi porcelan, ndërsa nuk arrij të kuptoj se për sa shumë ushqim kanë nevojë këta trupa të mpakur nga koha, që nuk do të bëjnë tjetër veçse do të shtrihen në shezlong ose do të kthehen sërish në dhomë për raundin e dytë të gjumit. Bisedat mes tyre duket sikur kanë nisur shekuj më parë dhe nuk kanë ndërmend të mbarojnë kurrë. Një prej grave, të cilën me mendje e quaj mësuese matematike për shkak të syzeve që i varen mbi kraharor dhe sepse ka një fytyrë lehtësisht të urryeshme, duket në ankth dhe përsërit pafund se i biri nuk e ka marrë në telefon, ndërkohë që i shoqi mërmërit me vete një melodi të pakutpueshme teksa vazhdon të përtypë me ëndje një copë petull. Pak më tej, në një tryezë tjetër, shqetësim është shëndeti: “Të kam thënë unë, ti pa mua vdes,” i thotë të shoqit një grua me flokë të shkurtra, teksa nxjerr nga çanta kutitë me ilaçe. Burri e sheh si i hutuar për një çast, ndërsa nëpër sy i kalon befas një shkëlqim thuajse rinor teksa me siguri përfytyron një jetë tjetër pa të. Por zgjat vetëm pak çaste, sepse ul menjëherë kokën mbi pjatë i trembur. Mund të kish qenë vërtet ndryshe jeta pa acarimet që i shkaktonte e shoqja, por ndoshta mund edhe të kish vdekur vërtet pa përkujdesje të atilla të bezdisshme.
Ferri, them me vete (ndoshta padrejtësisht), duhet të jetë diçka e tillë. Një sallë ngrënieje hoteli e mbushur me pleq, që vetëm përtypen duke harruar të fshijnë nga buzët yndyrën që iu ngecet mes rrudhave të mjekrës, pa e vrarë aspak mendjen për neverinë që mund t’iu shkaktojnë atyre përreth.
Po ndoshta nuk janë vërtet këta pleq me portrete aq të lodhura, sa që edhe po të kalonin një vit të tërë me pushime lodhja nuk do t’u dilte, ata që më shqetësojnë. Ndoshta ajo që më shqetëson vërtet është koha.
Mbrëmjen e kaluar e kisha parë ç’ishte në gjendje t’i punontë gurëve, si i kalbte trarët e drunjta të çative dhe si i deformonte muret e pallateve në kurrizo që dukej sikur do të shembeshin nga çasti në çast. Tani po e shihja mbi mish. Rrënojat më kishin tërhequr pikërisht prej indiferencës së tyre. E mbanin kohën mbi vete pa turp, pa u shqetësuar se më prishnin pamjen dhe për këtë më kishin ngjallur një lloj nostalgjie. Pleqtë në sallën e ngrënies silleshin me të njëjtën indiferencë. Edhe ata e kishin humbur prej kohësh nevojën për t’u dukur mirë përpara të panjohurve. Por ajo që te rrënojat më dukej sinqeritet, tek ta më shkaktonte neveri. Ndoshta sepse muret e rëna të shtëpive nuk më kishin sjellë në mendje se edhe unë isha nisur drejt së njëjtës gjendje. Ato mund t’i sodisja, t’i fotografoja dhe të largohesha pa e vrarë shumë mendjen. Ndërsa trupat e mpakur në tavolinat përreth nuk ishin mbetje të një kohe të kaluar, por pamje të një kohe që po vinte.
Plazhi nuk fsheh asgjë
Nëse shëtitorja është vendi ku qyteti zgjedh si dëshiron të shfaqet, plazhi është vendi ku askush nuk e ka më atë luks. Është hapësira më demokratike dhe njëkohësisht më mizore dhe pamëshirshme që mund të njohësh. Përballë sipërfaqes së relaksuar të liqenit, të gjithë trupat detyrohen të tregojnë historinë e tyre. Dhe nuk është një histori e bukur e as një që mund të restaurohet. Ato pak mundësi që veshjet dhe pasqyrat ofrojnë për të negociuar sadopak me kohën, për të fshehur pasojat e saj, këtu mbeten pezull. Duket se të gjithë pleqtë e sallës së ngrënies nuk kanë humbur kohë për t’u grumbulluar sërish këtu. Të gjithë të përmalluar për të performuar ritualet e një rinie, nga e cila s’ka mbetur tjetër veç brinjëve që mund t’i numërosh nga larg si trarë të kalbura nën lëkurën e hollë si letër orizi. Gjunjë të përthyer që duket sikur do të shemben nga çasti në çast nën atë peshë kockash, por që mbahen edhe pak, ndoshta derisa njeriu mbi ta, me vështrimin konfuz, të ketë gjetur më në fund shezlongun ku e pret bashkëshortja ose bashkëshorti.

Pak më tej, buzë rrugës, një fotograf i ri që përgjon si ndonjë leopard, afron aparatin fotografik pranë syrit dhe pasi pret pak sekonda, me gjasë duke vendosur në fokus një prej çifteve, shtyp butonin e shkrepjes. Nuk jam mjaftueshëm afër tij për ta dëgjuar zhurmën, por e imagjinoj atë, ashtu siç mund të përfytyroj edhe imazhin e kapur të dy shpinave, sipërfaqeve të të cilave njollat e pleqërisë kanë nisur t'i ngjiten si milingona në një pelegrinazh të mundimshëm. Me siguri, pas një filtri retro, fotografia do të qarkullojë në rrjetet sociale si një imazh romantik i dashurisë së përjetshme. Tepër e lehtë ta quash të tillë. Aq e lehtë sa mund të jetë fare mirë një gënjeshtër. Si për të ma provuar këtë, fytyra e shndritshme e burrit që imagjinonte një version tjetër të jetës së tij pa bashkëshorten e mërzitshme më kalon vetëtimthi para syve. Fotografi kontrollon imazhin në monitorin e aparatit duke bërë hije me dorë. Duket i kënaqur dhe pasi i hedh edhe një vështrim të shpejtë çiftit të pleqve, largohet. Janë thjesht të varur nga njëri-tjetri, dua të bërtas pas tij. Por ndërsa e vështroj edhe një herë çifitn, filloj të dyshoj se trishtimi nuk buron prej tyre. Ata nuk duken më të palumtur se njerëzit e tjerë në plazh. Ndoshta problemi është se këtu plakja nuk mund të fshihet. Plazhi ekziston për të shitur iluzionin e pushimit dhe të rinisë. Këta njerëz nuk e prishin atë iluzion sepse janë të moshuar; e prishin sepse e bëjnë kohën të dukshme. Trupat e tyre nuk janë më ngrehina që lartohen drejt qiellit, por rrënoja që kanë nisur negociatat me tokën, teksa dita-ditës i dorëzohen gravitetit.
Kurthi i vjetër i ujit
Befas shëtitorja nuk ngjan më aq sipërfaqësore sa kur mbërrita këtu. Shtëpitë e rrënuara mund të ringrihen me fasada që ruajnë të paktën imazhin e vjetërsisë së tyre. Vetëm trupi i reziston çdo përpjekjeje për restaurim. Kemi mësuar si t’i riparojmë ndërtesat për ta bërë të vjetrën të duket edhe më e lavdishme se ç’është dukur në ditët e saj më të mira, por nuk kemi mësuar ta bëjmë këtë me veten. Ndoshta më shumë se sa mashtrim, shëtitorja me fasadat e restauruara e të ndriçuara qëndron aty si dëshira më e vjetër njerëzore për t’u plakur pa mbartur në trup shenjat e kohës. Në anën tjetër, liqeni duket i pashqetësuar nën sipërfaqen e lëmuar të ujit, duke i dhënë gjithkujt që mbërrin në brigjet e tij të mendojë se po sheh të njëjtin ujë që kanë parë të tjerë vizitorë shumë e shumë vite më parë. Por edhe liqeni po ndryshon, ndonëese me një ritëm të vështirë për t’u regjistruar nga syri njerëzor.

Një ditë pirgjet e gurëve që dikur kanë qenë shtëpi nuk do të jenë më fare në qytetin e padukshëm për turistët dhe fasadat buzë shëtitores do të kenë nevojë për të tjera restaurime që të përputhen me përfytyrimin e një tjetër brezi për vjetërsinë dhe çiftet e heshtura të pleqve ulur buzë ujit me këmbët reumatike të zhytura në rërë nuk do të kthehen më si çdo verë. Vetëm liqeni do të vazhdojë të duket i njëjti, edhe pse ky s’është tjetër veçse kurthi i vjetër i ujit: të na bindë të gjithëve se koha kalon tjetërkund, ndonëse në të vërtetë po na merr të gjithëve me vete.
Te qishfa rracen shkerdhat djale qe merresh me pleqte sikur po te hane ushqimin po do behesh dhe ti plak or mut biles nje plak shkerdhate.
po dihet qytet i plakur, dhe i shemtuar eshte pogradeci. mos shih buze liqenit shetitoren. tashti qe i iku dhe rruga kombetare (e urreja sa here futesha ne poradec per te shkuar ne korce) tamam ka perfunduar si Follorina. pleqte jane shtresa me e ekspozuar ne ate qytete e ne gjithe shqiperine.