Nga Agim Baçi
Një fytyrë!…- Kështu nis rrëfimi i Christopher Nolan për Odiseun- një nga figurat e letërsisë së përbotshme që vijon të jetë pjesë e metaforës së jetës sonë, e gjuhës, e shpjegimit të asaj që mbetet sa Luftë aq edhe Dashuri. Por, në Luftë jemi të humbur, edhe nëse jemi fitimtarë. Ndërsa në rikthim, -ama në rikthim drejt asaj që ja kemi premtuar zemrës,- mund të mposhtim çdo sfidë… nëse dikush na pret dhe i beson zemrës aq sa ti.
Dhe Nolan rindërton një fytyrë. Një fytyë si Odiseu i Homerit që i duhen dy dekada për të rifituar atë që la pas në kohë, por jo jashtë kohës së zemrës së tij- Penelopës. Një fytyrë që e di se rruga e rikthimit nis nga reflektimi. Dhe reflektimi është më së pari ndaj thyerjeve të Ligjit të së Shenjtës, asaj që në çdo sofër, prezantohet si “Ligji Zeusit”. Ndaj, në nisjen për në luftë, figura që e udhëheq është Agamemnoni, një portret më së shumti i lënë pas një veshje që i ngjan më shumë Batmanit të filmave të sotëm, një figurë që gjithsesi shpjegon fuqinë e padiskutueshme, e pakundërshtueshme. Dhe Odiseu e shpjegon këtë fuqi të pakundërshtueshme teksa refuzon propozimin e Penelopës për t’u arratisur bashkë me të dhe të birin, pasi ja njeh zemërimin Agamemnonit që mund të bjerë mbi Itakë.
Nolan ka gërshetuar rikthimin e Odiseut dhe pritjen e Penelopës si dy rrugë që mund t’i gjejë veç fuqia drejt tjetrit. Të dy duhet të zbulojnë se kush janë, pasi nuk mund të ketë asnjë rikthim pa një rinjohje të vetes. E nëse Odiseu pyet Kalipsonë se cili është ai, sa vite ka i humbur në “rrjetën e saj”, Penelopa ka përpara mëtuesve një ndarje si gjysëm rrjetë, që më së shumti duket si një ndarje mes pritjes dhe realitetit që ka para syve e që i kërkon mbijetesën.
Debatet në film janë thuajse kohë e tashme, por është magjia e realizimit të Nolan që e lidh subjektin e reflektimit dhe rikthimit të Odiseut me të përhershmen, me magjiken. Ndalesat në kala të mëdha, figurat mitike në rrugëtimin e Odiseut, prania e Athinasë në çdo moment që i duhet të besojë më shumë, janë lidhja që Njeriu zbulon me të përhershmen kur kërkon të ketë “Fytyrën e tij”.
Madhështia e ngjarjeve të mëdha shkon paralel me atë betejën e gjërave të brendshme, që nuk i sheh askush, por që janë “madhështoret e njerëzores”. E nëse në luftë ai i ka të gjithë shokët me vete, në rikthim, në reflektim, ai ka veç vetveten dhe besimin. Dhe në rikthim, Odiseu përballet me dyshimin e bashkudhëtarëve të tij, me tundimin ndaj së bukurës dhe seksuales, me të ndaluarën që duhet t’i qëndrojë larg, me zemërimin nga thyerja e Ligjit të së Shenjtës. Por reflektimi i brendshëm, pendimi për thyerjen e “Ligjit të Zeusit”, që solli aq shumë jetë të humbura e dhimbje, si dhe zemra që ja mban fort dashurinë, e bëjnë atë udhëtarin që arrin te ajo që e ka mbajtur gjallë, që e ka mbajtur të fortë. Nolan ka zgjedhur të sjellë përballë Odiseut nga bota e Hadit edhe Agamemnonin, që në të gjallë ishte aq autoritar sa as nuk fliste por vetëm jepte urdhëra më praninë e tij, ndërkohë që nga bota e të vdekurve vjen me një zë ku shpreh keqardhjen e njerëzores për atë që kish rrokur në kthimin e tij, ku fitoja me Trojën nuk i mjaftoi të fitojë atë që kish lënë. Dhe e këshillon vetë Odiseun që të mos e mbështesë rikthimin e tij te lavdia e tij, por te modestia, “të hyjë nga dera e pasme dhe pa zhurmë”.
Asnjë nuk lind lypës- përsërit Odiseu në rikthimin e tij. Eshtë pikërisht fuqia për të rimarrë fytyrën. Dhe në këtë rrugë, ne zgjedhim. Dhe ai zgjodhi, por i ndihmuar njëkohësisht nga ajo që kish zgjedhur ta priste.
Një Fytyrë! Një Histori për t’u rrëfyer!- Nolan gjen një histori madhështore, me vende madhështore, për një rrugëtim të fortë të reflektimit ndaj të Shenjtës dhe Dashurisë!
Një film që i ka të gjitha arsyet për ta parë!
Lini një Përgjigje