Pas bllokimit të foltores së Kuvendit nga deputetët e opozitës, mazhoranca miratoi me votë propozimin e Taulant Ballës për të kaluar drejtpërdrejt në votimin e çështjeve të rendit të ditës, duke mbyllur diskutimet për shkak të pamundësisë së zhvillimit të tyre si pasojë e bllokimit të foltores nga opozita.
Propozimi I Ballës për ndërprerjen e diskutimeve për reformën territoriale dhe kalimin në votim të projektrezolutave për institucionet e pavarura të drejtësisë u miratua me 84 vota pro, 7 kundër dhe asnjë abstenim.
Balla e cilësoi bllokimin si një skenar të opozitës për të penguar zhvillimin normal të seancës, duke hedhur poshtë pretendimet se në seancën e kësaj të enjteje do të votohej reforma territoriale. Sipas tij, në rendin e ditës ishte vetëm paraqitja e raporteve të palëve për reformën.
“Nuk ka asnjë surprizë. Në seancën e ditës së hënë skenari ishte të mos lëmë të flasë Avokati i Popullit. U bllokua foltorja që të mos fliste Endri Shabani. Sot skenari është të mos lëmë të flasë z. Mazniku. Është e pavërtetë ajo që thoni ju se sot do të votohet reforma territoriale. Sot paraqiten raportet e dy palëve. Duke qenë se deputetët bllokojnë foltoren në mënyrë të përsëritur, kërkoj ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në çështjet e rendit të ditës”, deklaroi Balla.
Lini një Përgjigje