Integrimi Europian/ Vendet e SEECP pro statusit për Shqipërinë

20 Qershor 2014, 13:45Politika TEMA

Vendet anëtare të SEECP-s mbështesin dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.

Kjo mbështetje është konfirmuar sërish gjatë takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP) të zhvilluar sot në Bukuresht, në kuadër të kryesisë rumune.

Në takim morën pjesë Ministrat e Jashtëm të 12 vendeve anëtare, si dhe përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe organizata e institucione të tjera me aktivitet në rajon.

Ministri Bushati theksoi vullnetin e Qeverisë shqiptare për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm me vendet anëtare të SEECP-së, si dhe vlerësoi mbështetjen e plotë të vendeve të organizatës për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, këtë qershor, duke e konsideruar procesin e integrimit evropian si një objektiv kombëtar për shqiptaret.

Pasi përshëndeti presidencën rumune për kryesimin e SEECP-s, Bushati vlerësoi ftesën për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës në takim.

“Ka ardhur koha që Kosova të jetë pjesëmarrëse me të drejta të plota në të gjitha aktivitetet e organizatës, për të realizuar në praktikë parimin e gjithë përfshirjes në bashkëpunimin rajonal. Për ne, mungesa e Kosovës në nismat rajonale e bën procesin e bashkëpunimit rajonal të mangët. Tashmë ky realitet duhet ndryshuar dhe pjesëmarrja e Kosovës në të tilla forume do të ishte një kontribut i mirë për normalizimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e besimit ne rajon”, u shpreh Bushati.

Ky ishte takimi i fundit i organizuar nga Presidenca rumune, përpara se vendi ynë të marrë presidencën e organizatës për periudhën 2014-2015. Në këtë kontekst Bushati, në fjalën e tij gjatë takimit dhe në përgjigje të interesimit të gazetarëve në konferencën për shtyp, vuri në dukje disa nga prioritetet kryesore të presidencës së Shqipërisë dhe nënvizoi se Shqipëria mbetet e plotësisht e angazhuar dhe e motivuar për të dhënë kontributin e saj për një kryesim të suksesshëm gjatë këtij procesi. Të gjitha vendet anëtare shprehën vlerësimin dhe besimin e plotë në mbështetje të presidencës shqiptare të SEECP-së.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje