Mbyllja e kufirit në Maqedoni i bllokon refugjatët në Greqi

24 Shkurt 2016, 11:29Rajoni TEMA

Maqedonia arrestoi dy afganë që u përpoqën të kapërcejnë gardhin me tela me gjemba të ndërtuar përgjatë kufirit me Greqinë ndërsa autoritetet e Shkupit vendosën të ndalojnë hyrjen për afganët dhe refugjatët nga vendet e tjera me përjashtim të sirianëve dhe irakenëve.

Vendimi i Maqedonisë krijoi një barrierë për refugjatët në Greqinë e veriut, ku mijëra migrantë qenë mbledhur me shpresë se do të kalonin për në Bashkimin Europian.

Greqia kritikoi fqinjin e vet verior, duke e akuzuar Maqedoninë se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për krizën e refugjatëve.

“Ne kemi filluar lëvizjet diplomatike… ne besojmë se problemi do të zgjidhet,” tha ministri i ri i punëve të brendshme dhe migrimit të Greqisë Yiannis Mouzalas, pas lajmeve se Greqia ka marrë premtimin nga një pjesë e vendeve të BE-së se ata do t’i mbajnë kufijtë e hapur.

Mouzalas tha se Greqia mund të mbetej e vetme të përballej me rreth 70 mijë njerëz që gjenden në këtë vend në rast se kufijtë e Europës mbyllen. Organizata e Kombeve të Bashkuara deklaroi se 94 mijë njerëz kanë mbërritur në Greqi vetëm përgjatë shtatë javëve të para të këtij viti, një shifër e stërmadhe kjo pasi vitin e kaluar, kuota prej 100 mijë u arrit vetëm në mes të vitit.

Parashikimi është se numri i refugjatëve do të rritet me afrimin e verës.

Greqia e veriut u kthye efektivisht në një ishull brenda BE-së pasi Austria vendosi të kufizojë numrin e azilkërkuesve që përpiqen të kalojnë përmes saj në 3,200 në ditë, përfshirë një kuotë prej 80 azilkërkimesh në ditë brenda Austrisë.

Kjo lëvizje mërziti vendet e tjera të BE-së, duke hedhur themelet për një përplasje diplomatike në nivel të lartë gjatë takimit që pritet të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel, ku do të diskutohet njëkohësisht kriza e migracionit dhe rinegocimi me Britaninë e Madhe për anëtarësinë e Londrës në BE.

Gjithsesi, Austria i bëri thirrje vendeve të Ballkanit për të marrë pjesë në një takim specifik mbi migrimin në Vienë të përkurën, para takimit të ministrave të brendshëm të BE-së në Bruksel.

Në takim do të marrin pjesë ministrat nga Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Slovenia. Austria do të përpiqet të sqarojë kufizimet e saj të reja në kufij, pasojat e mundshme të tyre dhe përpjekjet për të koordinuar shtetet përgjatë shtegut të Ballkanit.

Në një ngjarje tjetër, një takim në Pragë nga Grupi i Vishegradit, ku përfshihet Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia, ku presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov dhe kryeministri i Bullgarisë Boiko Borisov morën pjesë si të ftuar nderi – u debatua gjithashtu për krizën e migrantëve.

Gjatë takimit, kryeministri i Hungarisë Victor Orban bëri thirrje për përgjigje shumë më të ashpër ndaj krizës së refugjatëve. Pas takimit, Orban tha se Hungaria qe e gatshme për të ndihmuar cilindo vend “që është gati të krijojë një linjë të dytë mbrojtjeje në jug të Hungarisë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje