Edhe PS me lobist në Amerikë, punëson kompaninë e afërt me Trump

18 Prill 2017, 15:20Politika TEMA
Edhe PS me lobist në Amerikë, punëson kompaninë e afërt

Pas LSI dhe PD, edhe Partia Socialiste ka firmosur një kontratë lobimi me kompaninë amerikane Ballard Partners-presidenti i së cilës njihet si një ndër mbledhësit më të mëdhenj të fondeve për fushatën e presidentit Trump në Florida.

Nga Aleksandra Bogdani

Partia Socialiste e Shqipërisë ka punësuar kompaninë e lobimit Ballard Partners me bazë në Florida-kompani e cila njihet për lidhjet me presidentin amerikan, Donald Trump. Të dhënat e siguruara nga BIRN në Departamentin Amerikan të Drejtësisë tregojnë se kontrata është firmosur më 13 prill 2017 nga kryefinancierja e PS, Dhurata Isufaj dhe presidenti i Ballard Partners, Brian Ballard. [kliko për dokumentin]

“I regjistruari do të sigurojë shërbime advokacie lidhur me marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Shqipërisë,” thuhet në deklaratën e regjistrimit të kompanisë në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. “Aktiviteti do të përfshijë informimin, këshillimin dhe ndihmën e kontraktuesit të huaj në komunikimin me zyrtarët e qeverisë amerikane,” shtohet aty.

Ballard Partners është një kompani e njohur me bazë në Florida, e cila ka tërhequr vëmendjen e medias amerikane për shkak se presidenti i saj, Brian Ballard njihet si një ndër mbledhësit kryesorë të fondeve për fushatën presidenciale të Trump në shtetin e Floridas.

Sipas revistës “Politico”, Ballard Partners hapi zyrën e vet të lobimit në Uashington pas fitores së Trump dhe firmosi kontratën e parë të lobimit me Republikën Domenikane për 900 mijë dollarë në total.

Partia Socialiste e Shqipërisë është klienti i dytë i huaj për Ballard Partners. Në deklaratën e dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë, kompania e lobimit nuk ka përfshirë kontratën dhe vlerën e saj, por një artikull i gazetës me qendër në Uashington “The Hill” zbulon se Partia Socialiste do të paguajë 20 mijë dollarë në muaj për një vit radhazi.

Kontratat me kompani të kushtueshme lobuese për të ndikuar mbi qeverinë amerikane janë manovra të përdorura herët nga partitë politike në Shqipëri, të cilat kohët e fundit po shënojnë një kulm të ri. Partia Socialiste i është bashkuar në këtë përpjekje Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, të cilat kanë punësuar më herët lobuesit e tyre për të vendosur marrëdhënie me administratën e Trump-it.

Në dy investigime të mëparshme, BIRN zbuloi se Lëvizja Socialiste për Integrim pagoi mbi 300 mijë dollarë për lobim në SHBA gjatë vitit 2016, aktivitet i cili përfshinte edhe një ftesë për inaugurimin e presidentit Trump. Ndërkohë, Partia Demokratike pajtoi në muajin mars kompaninë e lobimit  “Stonington Strategies,” pjesë e “Muzin Capitol Partners” për 25 mijë dollarë në muaj.

3 komente në “Edhe PS me lobist në Amerikë, punëson kompaninë e afërt me Trump”

  1. Daninlo says:

    Haha para 2 jave Mero akuzontePD qe paguan per lobim, ku i gjen PD kto para rtj! Shiko cben PS super lobim! Ja si kerkon te marre mbeshtetje Rama. Ke noi koment zoti Mero?

  2. rumpallhana says:

    Kapteri Peza duhet te jete pika e kontaktit se ka dhe eksprience si teknik lavatriceje. Shyqyr qe dhe rilindja do jete ne afer trapit dhe administraten e re se ky LUUJAA ka ngrene tutkall dhe i eshte ngjitur sqepi. Per rilindasit qe e hoqen dhe kete siklet me ne fund gjeten kompanine e duhur. Me Bilal Shehun ca u be e ka taksine.

  3. Timuri says:

    Keto jane kompani private qe per para lobojne edhe me Kim Jongun e Korese se Veriut e nuk ju a mer kush per shkelje ligjore. Shkelje ligjore e morale ka bere Rama qe pasi e sulmoi Trampin si i vetmi kryeminister i nje shteti ne bote, tani hedh parate e taksapaguesve shqiptare per t’ja mbushur mendjen atij se kam bere shaka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje