Kosta dhe Belere Plaku u përcollën këtë të shtunë për në banesën e fundit, një ditë pas ngjarjes tragjike në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku u qëlluan me armë zjarri nga ish-dhëndri i tyre, Refit Buzi.
Në një prononcim për gazetaren e Euronews Albania, Matilda Braho, në emisionin Review, vëllai i Kostës rrëfeu momentet e para të ngjarjes dhe ngriti akuza ndaj institucioneve, duke pretenduar se kërcënimet e vazhdueshme nga autori ishin denoncuar prej kohësh.
“Kam qenë në gjumë në shtëpi. Ishte rreth orës 05:20-05:30 kur dëgjova krismat. U zgjova menjëherë, dyshova se kishte ndodhur diçka e rëndë, njoftova Policinë dhe mora makinën për të shkuar atje. Kur mbërrita, ai kishte qëlluar, kishte marrë mbesën dhe ishte larguar. Më pas erdhën ambulanca dhe Policia”, tha ai.
Sipas tij, konflikti kishte më shumë se një vit që kishte nisur dhe familja kishte bërë disa kallëzime ndaj autorit.
“Është një histori e gjatë, të paktën prej më shumë se një viti. Mbesa e kishte denoncuar në Tiranë, sepse i dilte përpara dhe i zinte rrugën. Ajo mori urdhër mbrojtjeje, i cili është ende në fuqi deri në dhjetor. Ne u përpoqëm ta zgjidhnim me mirëkuptim, me shpresën se nuk do të kishte më probleme, por sapo doli, për rreth 40 ditë dërgonte çdo ditë mesazhe kërcënuese në forma të ndryshme”, u shpreh ai.
Më tej, ai tha se pavarësisht kallëzimeve, autori u la i lirë nga drejtësia.
“Mbesa, bashkë me vëllanë tim, bënë denoncim. Policia e ndaloi, Prokuroria kërkoi masën e ndalimit, por Gjykata e la në arrest shtëpie. Ditën që doli, pa kaluar as një ose dy orë, kërcënimet vazhduan. I thashë inspektorit se ai po lëvizte lirshëm. Më tha: ‘Mbani kërcënimet dhe bëni ndonjë foto’. I thashë se nuk jam fotoreporter, por hajdeni se do e kap dhe merreni. Më tha se nuk lejohej”, rrëfeu ai.
I pyetur për gjendjen e mbesës, ai tha se ende nuk kishte mundur të fliste me të.
“Me mbesën, Rozalidën, ende nuk kam folur. Do të ulem ta dëgjoj, por është e traumatizuar.”
Në fund, vëllai i viktimës shprehu zhgënjimin e tij ndaj institucioneve, duke theksuar se tragjedia mund të ishte parandaluar.
“Ajo që kërkoj unë nuk kthehet më, por institucionet janë të buta, fasadë. Kishte mbi 40 ditë kërcënime dhe përsëri e nxorën. Kur një person është përsëritës, masat duhet të ashpërsohen, jo ta lëshosh. Kjo tragjedi nuk erdhi vetëm nga veprimet e një njeriu, por edhe nga dështimi për të zbatuar ligjin. Nëse shoqëria nuk reagon dhe ligjet nuk zbatohen, raste të tilla do të përsëriten”, tha ai.
Ai kritikoi gjithashtu disa portale për mënyrën se si, sipas tij, kanë raportuar ngjarjen.
“Jam i pakënaqur me disa portale. Nuk i kam lexuar vetë, por më kanë treguar familjarët. Po shkruajnë gjëra që nuk ekzistojnë fare. Informacionet duhet të verifikohen përpara se të publikohen.”
Kosta Plaku humbi jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaku, ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Pas krimit, autori mori peng ish-bashkëshorten e tij, të cilën e liroi më pas pas negociatave me Policinë, ndërsa në fund i dha fund jetës.
Lini një Përgjigje