Një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Kavajë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”, të zhvilluar nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.
Në bashkëpunim me strukturat operacionale të DVP Durrës dhe Komisariatin e Policisë Kavajë, u bë e mundur lokalizimi dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit S. B., 26 vjeç, banues në Kavajë.
Sipas Policisë së Shtetit, i riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Për këtë vepër, Kodi Penal italian parashikon dënim maksimal deri në 24 vjet burg.
Nga hetimet e autoriteteve italiane rezulton se 26-vjeçari dyshohet se ishte pjesë e një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, por edhe italianë, e cila merrej me trafikimin e lëndëve narkotike për shpërndarje në disa zona të Italisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e të arrestuarit drejt Italisë.
Lini një Përgjigje