Sorensen në Kosovë: Takon Kurtin, biseduan mbi kërkesën e gjyqtarëve të dorëhequr serbë

25 Korrik 2026, 15:53Rajoni TEMA
Sorensen në Kosovë: Takon Kurtin, biseduan mbi kërkesën e

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ndërsa piriti në selinë e qeverisë të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun me Serbinë, Peter Sorensen ndër të tjera diskutuan edhe mbi çështjen e rreth 130 prokurorëve dhe gjyqtarëve të komunitetit serb, të cilët kërkojnë të rikthehen në detyrë.

Në nëntor 2022 ata u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës në veri në mënyrë kolektive në shenjë hakmarrjeje ndaj vendimit të qeverisë për zëvendësimin e targave nga Serbia me ato të Kosovës në komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok. Duke u ndalur tek kjo pikë, e cila ka shkaktuar kritika ndaj Prishtinës edhe nga faktori ndërkombëtar, Kurti u shpreh se është i hapur për përfshirjen e serbëve në sistemin e drejtësisë, por është kundër rikthimit të tyre automatik në detyrë, duke këmbëngulur se çdo vendim duhet të jetë në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik. Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”- thuhet në njoftimin e publikuar nga Kurti.

Më herët Presidentja dhe kryeministri në detyrë i Kosovës nxitën Këshillin Gjyqësor, i cili dështoi të mblidhej të premten, për mungesë kuorumi, të bëjë kërkesë për lirimin nga detyra të gjyqtarëve të dorëhequr serbë, ndonëse BE bëri thirrje që të mos ushtrohet presion ndaj atij institucioni të pavarur të gjyqësorit.

Lini një Përgjigje