“Vetëm një gjë do të funksionojë” në lidhje me Korenë e Veriut pas bisedimeve për vite me rradhë me Phenianin që nuk sollën asnjë rezultat, ka deklaruar Presidenti i SHBA, Donald Trump.
“Presidentët dhe administratat e tyre kanë biseduar me Korenë e Veriut për 25 vjet”, tha ai, duke shtuar se kjo “nuk ka funksionuar”.
Trump nuk specifikoi më tej se çfarë nënkupton konkretisht me deklaratën.
Të dy vendet janë përfshirë në një retorikë të nxehtë për aktivitetet bërthamore të Koresë së Veriut, me SHBA që insiston në ndalimin e testimit të raketave.
Pheniani thotë se kohët e fundit ka testuar me sukses një bombë miniaturë me hidrogjen që mund të ngarkohet në një raketë me rreze të gjatë.
Presidenti Trump ka paralajmëruar më parë se SHBA mund të shkatërrojë Korenë e Veriut nëse është e nevojshme për të mbrojtur interesat kombëtare të Amerikës dhe për të mbrojtur aleatët e saj në rajon.
Javën e kaluar, u tha se Sekretari i Shtetit i SHBA, Rex Tillerson, kishte ngritur një linjë të drejtpërdrejtë të komunikimit me Phenianin në përpjekje për të zgjidhur tensionet shkallëzuese.
Trump pastaj shkroi: “Ruaj energjinë Rex, ne do të bëjmë atë që duhet të bëhet!”
Të shtunën, Presidenti amerikan këmbënguli që ai kishte një marrëdhënie të mirë me sekretarin e tij të shtetit, por shtoi se Z. Tillerson mund të ishte më i ashpër.
Më parë gjatë javës, Tillerson kishte mohuar thashethemet për një krisje të marrëdhënieve me Trump, pas raportimeve të mediave se ai e kishte ofenduar.
Komenti më i fundit i Trump mbi Korenë e Veriut mund të jetë vetëm një shpërthim, por frika është se Pheniani do ta interpretojë atë si një kërcënim.
Në shtator, Koreja e Veriut kreu testin e gjashtë bërthamor, pavarësisht dënimit ndërkombëtar dhe ka premtuar të kryejë një test tjetër në Oqeanin Paqësor.