Tel Avivi thotë se do t’i mbrojë interesat e tij me çdo kusht pas tensioneve të shtuara me Teheranin mbi sulmet e fundit në Siri.
Ndërkohë, edhe Damasku e paralajmëron Izraelin për “surpriza të tjera” në rast sulmesh të reja.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Liberman, thotë se Izraeli do t’i përgjigjet çdo provokimi.
“Nuk është koha për të lehur, por për të kafshuar.
Dhe ne do të kafshojmë fort”, tha ai, duke shtuar se shpreson që gjërat të mos shkojnë deri në atë pikë.
Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë rritur që prej të shtunës, kur një dron që dyshohet se u nis nga Irani u fut në hapësirën ajrore izraelite dhe u bë shkak për sulmin hakmarrës të forcave ajrore izraelite në Siri, më i madhi në vitet e fundit.
Situata u përshkallëzua akoma më shumë kur një avion luftarak izraelit i tipi F-16 u godit dhe rrëzua në Siri, i pari incident i kësaj natyre në 35 vitet e fundit.
Liberman tha se nuk ka kufizime kur është fjala për t’iu përgjigjur provokimeve që i bëhen Izraelit.
Më herët, edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu kërcënoi se do të kundërpërgjigjet ashpër, duke lënë të kuptohet se Izraeli nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim pas “një goditjeje serioze të ushtrive të Iranit dhe Sirisë”.
Përgatiti: Gazmira Sokoli