Kur një përbindësh bëhet shakaxhi

11 Mars 2018, 21:12Rajoni TEMA

Një shfaqje muzikore për Sllobodan Millosheviqin dhe gruan e tij Mirën e vesh «Kasapin e Ballkanit» me petkun e shakatarit – por dredhitë në fjalë nuk janë as të dëlira, as të reja.

Artrit Bytyçi

Duke pasur parasysh se Sllobodan Millosheviqi e fitoi ofiqin e «Kasapit të Ballkanit» dhe u akuzua për krime lufte në Hagë, dikush me të drejtë mund ta vrasë mendjen nëse një shfaqje për të lidhet me krijimin e një përbindëshi, ose është mbase një orvatje për t’ia shlyer fajet dhe për t’ia përligjur veprat si rrethana të fatit. Në të vërtetë, «Lift: The Slobodan Show (Ngritja: Shou i Sllobodanit)», shfaqje në gjuhën serbe për ish-presidentin e Jugosllavisë, gruan e tij dhe fëmijët e tyre nuk e bën asnjërën nga këto.

Në fakt, shfaqja e vesh përbindëshin në petk të klounit, por siç duket pa ndonjë qëllim përtej faktit që një gjë e tillë mund të bëhet tani pasi që Millosheviqi nuk ka pushtet dhe ka kohë që ka vdekur. Por, ai vetëm i ishte nënshtruar përqeshjes në vitet 1996-97 kur protestuesit që e kundërshtonin Millosheviqin dhe klikën e lajkatarëve të tij të pushtetit talleshin me ta në shfaqje satirike.

«Lift: The Slobodan Show», e shkruar nga Jelena Bogovaci me regji të Nenad Todoroviqit, fillon si shfaqje muzikore që rrëfen momentet e rëndësishme të jetës së Sllobodanit dhe gruas së tij Mirës. Kjo u bë në formë talljeje duke i imituar këngët e vjetra komuniste që i lavdëronin sukseset e mëparshme të liderëve, duke lënë të kuptohet se e ardhmja e tyre do të duhej të jetë e suksesshme që nga fëmijëria. Këto vargje, sikur të ishin nga CV-të e tyre, këndohen prej aktorësh në tutat e mirënjohura të viteve të 90-ta me ngjyrë të gjelbër, vjollcë, të artë të shndritshme e nuanca tjera neoni që simbolizonin atë kohë. Këngët ndërrohen, ndonjëherë papritur, prej tekno-dens te turbo-folku.

Ky format i copëzave biografike nga jetët e Sllobës dhe Mirës ruhet gjatë shfaqjes. Por, rrallëherë shkon përtej. Kurrë nuk është e qartë se për çfarë në të vërtetë është shfaqja.

Fokusi zhvendoset aq shpesh dhe së pari mendon se është për Sllobën, pastaj për Mirën, pastaj për jetën familjare e dashurore dhe kur, më në fund, pret që do të flitet për tiraninë, kërdinë, nënshtrimin dhe krimet e luftës, shfaqja mezi ua lëshon një vështrim, e në vend të saj përqendrohet te skenat e rëndomta të jetës në gjykatë (të diktatorit): sesi Markoja, princi i mamit e babit, organizon festa me drogë, apo sesi Maria e llastuar acarohet për cikërrima.

Ajo që s’përmendet asnjëherë është vuajtja që Millosheviqi ua ka shkaktuar njerëzve dhe vendeve tjera. Bosnja, Kroacia apo situata e sotme e shqiptarëve në Kosovë mezi që përmendet. Pa to, audienca nuk mund ta shohë anën e errët të Millosheviqit, pa të cilën personazhi bëhet karikaturë.

Dikush do të mendonte se shfaqja do të merrte më shumë kohë për t’i trajtuar ngjarjet e rëndësishme që i hapën udhë dhe e formësuan përbindëshin. Ndodhitë sikur fjalimi i vitit 1987 — me fjalët e famshme se «Askush nuk guxon t’ju rrahë», me të cilat, mund të pretendohet, ai paraqiti serbët si viktima dhe i dha vetes një casus belli ngjashëm me propagandën e Hitlerit që e falsifikoi përndjekjen e gjermanëve për ta përligjur pushtimin e Polonisë në vitin 1939 – mezi u hidhet një vështrim për diku 30 sekonda.

Çfarë na shërbehet është një ngjarje për nënën e Mirës, Verën — sikur për të na kallëzuar më shumë për personazhin e Mirës — e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte partizane që luftoi në pyje, u kap nga Gestapoja, u torturua dhe në fund u vra. Por, se si një skenë përshtatet me shfaqjen si tërësi është pak e paqartë, përveç nëse një tru i çmendur e bën një lidhje të paqenë mes Gestapos dhe shtypjes së shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-ta.

Mirën nuk do ta gjesh as në një personazh si Zonja Macbeth, as në një imitim të House of Cards si pjesë e çiftit të pushtetit të serbëve, pavarësisht rolit të saj të pamohueshëm në krah të Millosheviqit, si dhe në partinë e saj politike, JUL, e cila gjithmonë ishte në koalicion me SPS-në.

Çfarë do të shohësh është një sërë skenash ku ajo rikujton shtëpitë që i kanë ndërruar ndër vite. Shtëpitë u bënë vazhdimisht më të mëdha, e cila mund t’i nënkuptojë dëshirat e vazhdueshme politike të «çiftit të pushtetit» apo oreksin territorial të Serbisë. Në një ndër skenat e fundit, pasi Millosheviqi ekstradohet në Hagë, shtëpia paraqitet si e zbrazët dhe e braktisur.

Dikur gjatë shfaqjes, në vend se të fokusohej te Slloba si përbindësh, vëmendja zhvendoset te djallëzia e NATO-s për bombardimin e Jugosllavisë gjatë luftës në Kosovë, duke e anashkaluar tërësisht arsyen pse është bërë një gjë e tillë. Shtypi i huaj paraqitet si propagandë, kinse vrasjet e shqiptarëve, spastrimi etnik dhe përzënia e njerëzve drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë ishin rrena, sikur Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) ishte burimi i vetëm i lajmeve «të vërteta». Sigurisht, këto skena e zhvendosin tërë fajin nga sëmundja te simptomat, në vend se ta quajnë Millosheviqin përgjegjës për gjendjen.

Ato vetëm i japin jetë teorive konspirative, ndjenjën e viktimizimit, dhe padrejtësinë ndaj serbëve dhe, në fakt, devijojnë vëmendjen nga rrënja e problemit – se ishte Millosheviqi me veprat e tij që e solli gjithë atë vuajtje në Serbi. Është disi sikur gjërat janë të pandashme: nëse e urren Sllobën, duhet të jesh pro bombardimit, e s’mund t’i ndash. Në fakt, ajo është madhështia e aparatit të propagandës së Sllobës dhe suksesi i tij që shihet në atë se sa thellë ka depërtuar në psikën e njerëzve dhe si shpirti i saj vegon mbi ta shumë kohë pas vdekjes së tij.

Shfaqja sigurisht s’është versioni serb i Hamilton-it. Vuan nga mungesa e fokusit dhe zhgënjen për shkak të paragjykimeve të brendshme. Ndihet se shfaqja druan të gjurmojë anën e përbindshme të Millosheviqit. Përkundrazi, del si diçka sajuar nga një student i Joseph Goebbels-it, i cili ndoshta u pendua, por është shumë i papajtuar apo i hutuar brenda vetes që të ecë përpara, i trazuar nga shpirti i Sllobës dhe djajtë që i ka lënë prapa.

Shfaqja mbyllet me dëshmi të historive të vërteta nga aktorët, kryesisht lidhur me ngjarjet e bombardimeve të Jugosllavisë nga NATO-ja në vitin 1999. Janë emocionale, por duken pa lidhje, sepse nuk e shohim Sllobën si antagonist, por si mbret që luan rolin e shakaxhiut. Pa u përballur me të ligat, krimet, padrejtësitë, tiraninë dhe të gjitha prapësitë e Millosheviqit, nuk ka asgjë që e lidh atë dhe i baraspeshon historitë e vërteta të paraqitura nga aktorët në fund të shfaqjes — përveç pjesëzave komike që në fund të fundit e bëjnë Sllobën të mos duket edhe aq burrë i keq.

Në njërën nga dëshmitë, njëri nga aktorët i cili ishte shumë i ri për ta kujtuar regjimin e Millosheviqit përshkruan skena të gjalla nga fëmijëria e tij dhe pastaj thotë: «Nuk e kam njohur atë. Nuk e kam parë gjykimin e tij në Hagë në televizor. Kam qenë shumë i ri dhe s’e kam çarë kokën. Nuk e kam kuptuar përse ka pasur aq shumë bujë për diçka aq të mërzitshme si një gjykim». Ai i përket një gjenerate pas Sllobës që aktron në një shfaqje për Sllobën. Dhe njerëzit sikur ai kanë nevojë që në shfaqje ta bëjnë atë që e bëjnë më së miri. Është me rëndësi që figura e Millosheviqit të mos fasadohet, të mos keqinterpretohet si kloun i thjeshtë, por si djalli që ishte. Përndryshe, njerëzit sërish do të përfshihen brenda vorbullës së mitologjisë, lavdisë dhe nacionalizmit, e cila, siç kemi parë në Ballkan, gjithmonë çon drejt vuajtjes, mjerimit, luftërave dhe vdekjes.

Sikundër teatri ishte tejet i rëndësishëm në Greqinë e Lashtë, njëjtë duhet të shërbejë edhe në Ballkan. Nëse dikush iu druhet, ose qëllimisht vendos t’i mënjanojë gjërat e shëmtuara, atëherë ajo bëhet propagandë. Dhe ne kemi parë, në jetë dhe në skenat e shfaqjes, sesa i shkathët ishte Slloba për t’i fryrë «politikat zyrtare partiake» për qëllimet e tij diktatoriale. Duhet të sigurohemi që brezat e rinj të mos gënjehen nga rrenat dhe dredhitë e njëjta. «Lift: Slobodan Show» pati premierën më 6 mars në Qendrën Kulturore në Graçanicë. Ajo do të shfaqet në Beograd më 18 mars në Teatrin Kombëtar serb. (kallxo.com)

4 komente në “Kur një përbindësh bëhet shakaxhi”

  1. Larg Nga Kokekuqet Ose Qimekuqet says:

    Kjo D.M.Th qe Serbi me I mire eshte Ai I Ngordhuri(Ose I Vdekuri).

  2. T says:

    Millosheviqi, Bytyçi

    Millosheviçi, Bytyqi

    Pordha

  3. sadik mortja says:

    Mire … mire mor Bythyçi po na thuaj pak perse tribunali i Hages i terhoqi akuzat ndaj Sllobodanit per “spastrim etnik” dhe “genocid” ?????!!!!!!!! Si ka mundesi qe kasapit te Ballkanit ja terhoqen akuzat per krime lufte ???!!!! Pastaj per “humor” shakaxhinjsh flasim sa te duash gjithe diten ….. por asnje nuk na thote ç’u be ma akuzat kunder ketij “kasapi” ???!!!!!!

  4. Baliu says:

    Kjo per serbet don te thot: Shoku Sllobo ne te betohemi, se nga rruga jote nuk do te largohemi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje