Bushati: Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, arritje e rëndësishme për shqiptarët shtetformues në Maqedoni

14 Mars 2018, 19:02Rajoni TEMA

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka përshëndetur miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni.

Bushati e ka cilësuar një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.

Njëherësh kreu i diplomacisë shqiptare ka vlerësuar finalizimin e këtij ligji si një dëshmi e pjekurisë politike dhe mirëkuptimit ndëretnik.

Postimi i Bushatit në rrjetin social:

Gjuha Shqipe në Maqedoni!

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Parlamenti pas refuzimit të Presidentit dhe sjelljes obstruksioniste të segmenteve të caktuara të politikës së vjetër në Maqedoni përbën një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.

 Finalizimi i kësaj sipërmarrje të vështirë dhe këmbëngulja e demonstruar pavarësisht pengesave të panumërta është dëshmi e pjekurisë politike dhe mirëkuptimit ndëretnik.

Zbatimi i duhur i ligjit dhe vendosja e mekanizmave të monitorimit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane.

1 komente në “Bushati: Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, arritje e rëndësishme për shqiptarët shtetformues në Maqedoni”

  1. Adea says:

    Bravo
    Lajmi me i bukur i dites!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje