Një gjykatë në Kaliforni vendosi që shitësit e kafesë, përfshirë Starbucks, duhet të vendosin në ambalazhet e tyre një etiketë paralajmëruese për rrezikun e kancerit, për shkak të një substance që prodhohet gjatë procesit të pjekjes. Gjykata Superiore e Los angelesit argumenton se kompanitë e kafesë nuk ia kanë dalë të provojnë se lënda kancerogjene që prodhohet gjatë pjekjes është e parrezikshme.
Industria e prodhimit të kafesë pretendon se akrilamidi i pranishëm në kafe është në nivele të padëmshme. Sipas tyre, ligji nuk duhet të rëndojë mbi ta, pasi procesi ndodh natyrshëm në procesin e pjekjes së kafesë.
Starbucks dhe kompanitë e tjera kanë afat deri më 10 prill për të apeluar vendimin.
Padia ndaj 90 kompanive që merren me shitjen e kafesë u paraqit në vitin 2010 nga Këshilli për Arsim dhe Hulumtim mbi Substancat Toksike.
Pas këtij vendimi, Shoqata Kombëtare e Kafesë tha se kjo industri po i vlerëson të gjitha opsionet, përfshirë apelimin apo hapa të tjerë ligjorë.
“Është provuar disa herë se kafeja është një pije e shëndetshme. Ligji i ka çorientuar konsumatorët dhe nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar shëndetin publik”, thonë përfaqësuesit e kompanive të kafesë.
/ Përgatiti: Gazmira Sokoli /
Nuk meret vesh me kete lloje propagande.Ca thon kafja te bene mire,ca thon te bene keq.Une per vehte do ta pi si gjithmon,dy here ne dite.Kame 50 vjete qe pi kafe,dhe jame shendosh e mire deri tani.Madje kur kame ndonje bradikardi,pi nje kafe dhe me normalizon.
Po mire, cigare jo, alkol jo e jo kafe jo. Po cfare te pime ne
U pa puna , vetem uje, po nuk doli me vone qe te demton… ?