Pasi është rikthyer titulli kampion i sezonit 2015-2016 në Korçë, te Skënderbeu ambienti ka ndryshuar paksa dhe tashmë është më pozitiv.
Në një intervistë për “RTSH Sport”, kapiteni i korçarëve, Orges Shehi është shprehur se ekipi i tij së bashku me Makabi Tel Aviv kanë realizuar një rekord në sezonin e shkuar, pasi kaluan 4 faza për të përfunduar në grupet e “Europa League”.
“Ka qenë një sezon futbollistik i mrekullueshëm i cili ka nisur që në verë për Skënderbeun. Kemi kaluar 4 ture në Europë, kjo është një rekord dhe këtë e ka arritur vetëm Skënderbeu dhe Makabi Tel Avivit në gjithë historinë e këtij kompeticioni.
Më vjen keq që tashmë na prishet humori dhe na kthehet një çështje e para 3 viteve. Megjithatë çdo gjë mendoj se do të shkojë në vendin e vetë pasi nuk mund të shkatërrohet një klub model në Shqipëri. Unë kam pasur besimin se titulli kampion do të na rikthehej, pasi e kemi fituar në fushën e lojës. Kur erdhi trofeu i thashë Radasit që ta ngrinte dhe tashmë jemi duke u përgatitur për trofeun e radhës, që për mua është shumë i veçantë pasi është trofeu i 7-të.
Guri është një lojtar cilësor dhe më të ardhme që mund t’i bëj punë edhe Kombëtares. Por për krahasimin e tij me Souen, mund të them se janë sulmues me karakteristika të ndryshme. Ndërsa sa i përket të ardhmes time, tashmë e kam të qartë dhe mund të them se do të jetë një post drejtues në sport, pasi kam gjithë jetën që i përkushtohem futbollit”, është shprehur Shehi.