Përfundimi i kampionateve në Euriopë ka përvijuar edhe listën e skuadrave që do të marrin pjesë në Ligën e Kampioneve në edicionin e ardhshëm, duke bërë përfundimtare ndarjen në vazo të ekipeve për shortin e turit të parë eliminator më 19 qershor.
Ashtu siç pritej, Kukësi do të jetë në vazon e parë të shortit, mes ekipeve më të mira, falë koeficientit që kishte siguruar këto vite. Verilindorët janë në këtë turne si pasojë e dënimit të Skënderbeut, i cili gjithashtu kishte garancinë e pranisë në vazon e ekipeve të forta pasi ka një koeficient shumë më të lartë se ai i kuksianëve. Nëse KAS kthen vendimin e UEFA-s, korçarët do të zënë vendin e Kukësit në ndarjen e mëposhtme po në vazon e parë.
Cilido qoftë në turin tjetër, rreziqet që ka përballë në turin e parë nga lista e kundërshtarëve nuk janë shumë të mëdha dhe rreziku real për ekipin shqiptar është Shkëndija e Tetovës. Skuadra që dominoi futbollin maqedonas në këtë vit ka qenë shumë e pafat, pasi ka përfunduar në vazon e dytë, si skuadra me koeficientin më të lartë të saj, vetëm falë suksesit të Videotonit në Hungari. Nëse titullin në fund do ta kishte siguruar Ferencvarosh, edhe Shkëndija do ta shihte veten mes skuadrave më të forta.
Meqë në këtë tur shorti bëhet edhe me nën-ndarje rajonale për të shmangur udhëtimet e gjata, ekziston mundësia reale që në turin e parë, Shkëndija të vihet përballë Kukësit (apo Skënderbeut), një duel që nuk do ta dëshironte asnjë palë. Gjithashtu, për Kukësin ekziston rreziku që të përballet me Dritën e Kosovës, e cila mund të kualifikohet nëpërmjet turit paraeliminator të turneut.