Titanët e internetit përballë mediave, PE miraton reformën për të drejtat e autorit

26 Mars 2019, 15:05Bota TEMA

Parlamenti Europian miratoi sot reformë të shumëdebatuar të të drejtës së autorit për moshën e internetit, pas viteve lobimi intensiv nga botuesit europianë, industritë kulturore, kompanitë e teknologjisë së lartë dhe aktivistët e të drejtave digjitale.

Reforma u miratua me 348 vota pro dhe 274 kundër. Propozimet për të eliminuar Nenin 13 nuk u përfshinë në votim.

Sipas marrëveshjes përfundimtare, gjigandët e teknologjisë amerikane si Google do të duhet të negociojnë marrëveshje licencimi me ata që gëzojnë të drejtën e autorit – siç janë kompanitë e regjistrimit dhe ato mediatike – të publikojnë përmbajtjen e tyre në YouTube dhe Google News dhe të skanojnë platformën për shpërndarjen e videove, duke hequr materilalet që mbrohen nga të drejtat e autorit, në bazë të kësaj marrëveshjeje.

Pas miratimit të PE, drafti përfundimtar duhet të marrë edhe miratimin formal të ministrave europianë, por votimi i sotëm konsiderohet një hap madhor drejt shndërrimit në ligj. Hapi final i reformës është adaptimi me legjislacionin kombëtar të vendeve anëtare të BE-së.

Rrugëtimi i kësaj reforme deri në miratimin e sotëm nuk ka qenë i lehtë. Vitin e kaluar, asaj iu bënë disa amendime kontradiktore, që çuan në ndarje mes grupeve politike.

Synimi i reformës është që gjigantëve të internetit si Facebook dhe Google t’u hiqet mundësia e fitimit në kurriz të mediave, pa pranuar t’i kompensojnë.

Dy pikat më të debatuara kanë qenë nenet 11 dhe 13. I pari, i integruar në draftin që u votua, ka të bëjë me vendosjen e një takse që gjigantët online si Google dhe Facebook duhet t’u paguajnë botuesve, në mënyrë që të kenë të drejtën për të publikuar dhe shpërndarë lajmet në platformat e tyre.

Ndërsa neni 13, i cili nuk u fut në votim, parashikon që të gjitha materialet e ngarkuara online në Bashkimin Europian të kontrollohen para publikimit, në mënyrë që të shmanget publikimi i atyre që janë subjekt i të drejtës së autorit. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje