Presidenti i ri UET Selami Xhepa: Universitetet private duhet të rindërtojnë një dialog me shoqërinë

3 Maj 2019, 10:31Sociale TEMA

Universiteti Europian i Tiranës ka prezantuar ditën e djeshme Bordin e ri të Besimit i cili përbëhet nga pesë anëtarë, profesionistë dhe personalitete të spikatura në fushat përkatëse, të cilat i përshtaten të pestë Fakulteteve të UET. Një prej anëtarëve të këtij Bordi është edhe Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, i cili njëkohësisht u prezantua zyrtarisht dje si Presidenti i ri Universitetit Europian të Tiranë. Xhepa është një figurë e njohur dhe profesor i shkencës së ekonomisë dhe vjen në këtë pozicion të ri për të vijuar një traditë të shkëqyer në funksionimin që i jep roli i Presidentit, si pjesë e imazhit dhe e komunikimit publik të Universitetit me shoqërinë dhe aktorët e tjerë vendimmarrës. Ai është shprehur falenderues për besimin që i është dhënë për të mbajtur një pozicion kaq të rëndësishëm në Universitet, si dhe ka vlerësuar të gjithë drejtuesit e mëparshëm të UET për punën e derimëtasnishme që e ka shndërruar këtë universitet në një nga institucionet më serioze dhe prestigjoze të arsimit të lartë në vend, dhe ka theksuar faktin që është i përkushtuar për të vijuar investimin në këtë aspekt. 

“Ruajtja e emrit të Universitetit Europian të Tiranës, konsolidimi i reputacionit të universitetit, arritja e standardeve më të larta në kontekstin e realiteteve të reja, sigurisht që përbën një sfidë për të gjithë. Përbën edhe për postin dhe detyrën time, njëkohësisht edhe për të gjithë anëtarët e Bordit të Besimit një sfidë, të cilën ne të gjithë së bashku duhet ta ndajmë dhe ta zhvillojmë, për ta çuar më përpara emrin dhe reptutacionin e universitetit. Unë mendoj që sfidën më të madhe bota e sotme universitare, edhe në kontekstin e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti, e kanë në rradhë të parë me vetëveten dhe me shoqërinë. Pra ballafaqimin më të rëndësishëm sot ne e kemi me shoqërinë. Pritshmëritë e shoqërisë shqiptare janë jashtëzakonisht më të larta në raport me atë se çfarë vetë sistemi universitar ofron. Në veçanti deficitet që janë krijuar janë edhe si pasojë e rrjedhojë e mungesës së reformave, të atyre proceseve reformuese të cilat nisën por fatkeqësisht nuk u përfunduan asnjëherë, madje disa prej këtyre proceseve edhe po prapësohen. Në këtë kuptim rikrijimi apo rifitimi i besimit të publikut në përgjithësi nga sistemi universitar, mendoj që mbetet një sfidë jashtëzakonisht serioze. Një universitet privat si UET ka qenë një arenë e hapur për publikun dhe në fakt lidhja me komunitetin ka qenë pika më e fortë dhe e fuqishme e jona, jo vetëm në aspektin e aktiviteteve të përjavshme që ne bëjmë por në të gjithë aktivitetin vjetor akademik prezenca e publikut këtu, dhe e universitetit në publik, ka qenë ndoshta një nga elementët më interesantë që i ka dhënë universitetit tonë atë kredibilitet, emër dhe reputacion që ai gëzon.

Problemi i dytë themelor që mendoj që kemi ne sot përsëri është nevoja për të rifilluar edhe një herë dialogun me qeverinë, dhe në kontekstin e kësaj, me të gjithë aktorët shoqërorë sepse siç e thashë, unë besoj që është tronditur besimi i shoqërisë ndaj arsmit të lartë në përgjithësi dhe kjo shpjegon shumë nga fenomenet e sotme që po ndodhin. Duhet të rindërtojmë edhe një herë një proces të rëndësishëm dialogu me aktorët themelorë politikëbërës në mënyrë që axhendën e reformës në sistemin e edukimit të arsimit të lartë, ne ta risjellim në vëmendjen e shoqërisë dhe në këtë kuptim ne të qartësojmë më mirë, rolet, objektivat, detyrimet që çdo aktor i shoqërisë ka në raport me sfidat e zhvillimit të ardhshëm. Mos harrojmë që konteksti i zhvillimeve të sotme të  ekonomisë globale nënkupton që zgjidhjet duhet të jenë jashtëzakonisht të shkurtra dhe në këtë kuptim të jetëgjatësia e çdo lloj procesi është jashtëzakonisht e shkurtër dhe për pasojë, që të jesh fleksibël dhe t’i përgjigjesh dinamikave që shtron koha, fatmirësisht ky është një avantazh që vetëm universitetet private e kanë, por jo të gjithë e bëjën atë. Unë besoj që është detyra jonë dhe e drejtuesve të rinj  të universitetit që të realizohet ky mision. Të shfrytëzojmë këtë avantazh, fleksibilitetin që ne kemi, për t’ju përgjigjur në kohë sfidave që ka shoqëria dhe ekonomia.

(box) Biografia e Presidentit të UET

Doktor në shkencat ekonomike në Universitetin e Tiranës. Ka kryer një numër kualifikimesh post doktorale në tematika të vecanta në universitete prestigjioze, si në Purdue University, Indiana, John Keneddy School of Government, Harvard University, IMF Institute, dhe ka qenë “Chevening Felloë” në Bradfor Center për Zhvillimet Ndërkombëtare, në Britaninë e Madhe, si dhe pjesëmarrës në një numër të madh të qendrave kërkimore dhe universiteteve. Ka mbajtur poste të larta në administratën e lartë shtetërore, duke qenë edhe Deputet i Kuvendit të Shqipërisë për legjislaturën 2009-2013. Eshtë përkthyes, autor dhe bashkautor i një numër botimesh, materialesh kërkimore dhe artikujsh shkencor si dhe kontribues frekuent në debatet publike në media.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje