FOTOT: "Të qëndisësh të shkuarën me fije ari"

17 Maj 2019, 16:57Kulturë TEMA
FOTOT: "Të qëndisësh të shkuarën me fije ari"

Nga Entela Resuli

Të punosh me pe’ dhe gjilpërë, sot shumëkujt mund t’i duket sikur e kalon kohën në kotësi, por për Egla Memajn nuk është kështu.

Që kur ishte fëmijë ajo ka parë gjyshen dhe mamin të kalonin kohë duke qëndisur pëlhura të bardha. I ka parë teksa e gdhinin për t’i dhënë formë diçkaje që do iu zbukuronte shtëpinë dhe do u jepte kënaqësi.

Në ditët e sotme shumë rrallë takojmë vajza që kanë pasion qëndismën.

Me kohën pasionet kanë ndryshuar.

Egla nuk është shkëputur asnjëherë nga arti. Ajo ka studiuar pikturë në Lice dhe më pas ka ndjekur Universitetin e Arteve për Tekstil dhe Modë.

Sot ka një studio të vetën në Tiranë ku qëndis me fije ari të shkuarën duke parë vazhdimisht nga e ardhmja.

“Punimet e thjeshta artizanale, si grep, thurje, shtiza dhe qepje të thjeshta i kam mësuar në moshën 7-10 vjeç, pas mamit dhe gjyshes sime, dhe fillova te krijoja veshje për kukullat e mia.

Në një moshë pak më të rritur fillova të vizatoja dhe përgatitesha për të hyrë në Liceun Artistik “Jakov Xoxa” Fier, ku studiova Pikturë, Stilim, fillova u përfshiva më tepër në botën e qepjes, ku në atë kohë krijoja vetëm veshje me teknika të ndryshme, nga materialet e tekstilit, si dhe materiale e riciklueshme nga më të ndryshmet. Pas liceut hyra në Universitetin e Arteve për Tekstil dhe Modë.

Në vitin e parë master fillova të merresha shumë seriozisht me teknikën e qëndisjes me dorë ku përsëri ishin veshje të frymëzuara nga etnografia shqiptare, këtu më shtohet akoma dëshira dhe dashuria më e madhe për qëndisjen”, tregon Memaj për Dita-n.

29-vjeçarja nuk ka për qëllim të merret me punë të vogla, por me vepra të mëdha pasi ajo dëshiron që qëndisja të vendoset në Galeri Arti.

-Egla, sa ka ndikuar shkolla në përmirësim dhe perfeksionimin tuaj?

Jashtëzakonisht shumë, dhe Atelieri Tekstilit është ndër më të dashurat për mua, edhe pse aty të gjithë atelierët janë shumë të mirë, dhe dalin studentë të shkëlqyer. Kemi prekur dhe kemi mësuar të gjitha teknikat bazë që mund t’i duhen një artisti tekstili ose një dizajneri mode, që nga projekti artistik çfarë do të sillnim, skicat, mulazhet, vizatimet monumentale dydimensionale, printimet, teknikat e prerjes dhe qepjes, tezgjahu, eksperimentimi ne materiale nga më të ndryshmet, kërkimi historik. Pra, të gjithë kemi qenë të lirë të punonim në mënyrë individuale secili me idenë dhe gjithmonë me orientimin e zyshës dhe profesorëve.

-Shohim që e përdor shumë fijen e arit në punët e tua. Pse?

Në punët e mia mbizotëron filli i artë, por në fakt kam përdorur dhe fije të tjera në ngacmime të vogla. Filli i artë është një element që në pamje të parë duket shumë estetik, por flet shumë për sa i përket vlerës së shkuar, dhe vlerës së shkuar të historisë. E arta, simbol i pandryshueshmërisë, përjetësisë dhe përsosmërisë. Është pothuajse e lidhur me universalen, me simbolizmin diellor dhe kjo i jep atribute të tilla si: jetë, ndriçim, urtësi, qartësi, virtyt.

-Ku janë të fokusuar realizimet e tua, kanë ato një tematikë?

Çdo centimetër nis si një këngë e shenjtë, frymëzuar nga rrënjët e etnografisë shqiptare. Mbështetem në një pjesë të shkuar të traditës sonë, evidentoje me elegancë fragmente, dhe i sjell në një format krejtësisht bashkëkohorë të shprehjes. Punoj qëndisje me reliev gati dy dimensionale të qëllimshme. Gjilpëra dhe filli janë një medium i hershem, që në fillesat e njerëzimit. Mediumi në këtë vepër ngelet i pandryshuar, por formati që e sjell është krejtësisht bashkëkohor. Ashtu si dhe shumë artist tekstili që ndikohen nga kultura të ndryshme dhe unë frymëzohem nga simbolet pagane që për fatin tonë të mirë këtu janë ruajtur, por gjithmonë duke i dhënë një stil timin.

-Çfarë të frymëzon ty që të ulesh dhe të punosh?

Dashuria për qëndisjen, tradita, vlera dhe kultura shqiptare. Besoj se zanatet e artit tradicional mishërojnë më mirë shpirtin.

-Ke një vend ku punon, një hapësirë…?

Pas një kohe të punuarit në shtëpi, u bënë disa muaj që jam zhvendosur në studion time. Gjithë koha ime tani do të kaloi në këtë studio (përveç gjumit) filloj që në mëngjes herët, më pëlqen shumë ta nis herët punën dhe deri në pasdite vonë, larg njerëzve dhe pse i dua të gjithë shumë. Larg teknologjisë e shumë gjërave të tjera madje edhe të dalat i kam rralluar. Kjo është puna ime e përditshme që prej 5 vitesh, këtë bëj dhe këtë dua të vazhdoj të bëj, jo se nuk di të bëj ndonjë punë tjetër, por në fakt nuk kam kërkuar kurrë. Pjesën më të madhe të kohës së punës e zë qëndisja, kërkimi për të cilën çfarë do të risjell, dhe çfarë do të krijoj, vizatimi dhe trajtimi i copave me ngjyrat që unë dua.

-Çfarë ndodh me një punë tënden pasi e përfundon atë, e nxjerr në shitje apo…?

Kjo pyetje është më e shpeshta që më bëhet, shumicën e punëve i kam në studio. Është pak e vështirë të ta blejnë qëndisjen si art, madje dhe familja ime më thoshte pasi mbylla akademinë, dhe kur do të fillosh punë, ashtu dhe të tjerë. Por po punoj. Jo, jo punë tamam, punë me rrogë…a paguhesh? Nëse do pretendojmë të bëjmë art, duhet të rrezikojmë sepse mund të të eci në pjesën e shitjeve ose mund të mos shitet asnjë. Sigurisht që janë shitur disa, por dhe ekspozita e parë ishte shume simbolike kombëtare, ashtu dhe ky cikël punësh që po bëj janë përsëri nga trashëgimia dhe është pak e vështirë të t’i pranojnë, kërkojnë më tepër ornamente pa simbole. Më tepër i kërkojnë në veshje por unë nuk merrem me këtë pjesë, kur punoj nuk e mendoj fare çfarë duan, mendoj se artisti nuk duhet të shkojë në kërkesat e publikut. Qëllimi im është të krijoj atë që dua dhe ta finalizoj me ekspozitë kudo që të më krijohet mundësia.

-Keni marr pjesë në ekspozita?

Kam realizuar ekspozitë personale në Galerinë FAB, kam marr pjesë dhe në ekspozita kolektive, ku janë bërë bashkë mediume të ndryshme, në njërën prej tyre fitova dhe çmim në kuadër të vitit të Skënderbeut, në 2018, në Galerinë Kalo, dhe në një internacionale e titulluar Homo Faber në San Giorgio Venecia kuruar nga Jean Blachaert, ku unë dhe dy të tjerë përfaqësonim Shqipërinë, pasi ishin të gjitha shtetet europiane dhe Ballkani.

-Keni fituar ndonjë çmim?

Çmim BUZART Galeria Kalo.

-Egla, sa durim kërkon kjo punë?

Mendoj se çdo punë do shumë durim, por kjo do dashuri të përfshihesh dhe të jetosh me të.

-Po qëndisma në vetvete sa ka humbur terren këto kohë. Kujtojmë se vite më parë, nënat tona kanë punuar shumë me to?

Është e vërtetë që qëndisma ka humbur terren në pjesën e përditshmërisë që më parë nuk ka pasur femër që mos të bënte një punë qëndisje apo diçka tjetër me dorë, por përdorët shumë në modën e lartë dhe është ndër më të kushtueshmet.

 

-A njihni ju bashkëmoshatare tuajat që punojnë me qëndisma?

-A habiten me ty dhe punët e tua?

Në ekspozitën personale në fakt habiteshin me formatin e qëndisjes sepse janë formate nga 1 metër 2 deri në 4 pra shumë voluminoze, duan shumë energji, kohë dhe shpenzim të realizohet një format i tillë, kjo ka qenë ajo që impresiononte më tepër nga një qëndisje e imët me një funksion që ka pasur në veshje e kthyer në një qëndisje monumentale e konceptuar si tablo, për Galeri.

-Pasionin për punët e dorës e ke të trashëguar apo ti je e vetmja në familje që merresh me ketë punë?

Mami punonte dikur punë dore ashtu si dhe shumë femra të atij brezi.

-Sa orë në ditë punon?

Nuk kam një orar të caktuar, filloj shumë herët në mëngjes deri pasdite.

-Ke në plan ndonjë ekspozitë, projekt?

Projekt po. Aktualisht po punoj përsëri ndikuar nga trashëgimia shqiptare, periudha mesjetare. Pas mbylljes së ekspozitës nuk e kisha menduar se mund të vazhdoja përsëri nga trashëgimia jonë, por ajo gjendja ime e brendshme nuk më la edhe këtë herë të dilja në diçka tjetër. Pa u menduar dy herë filloj dy punët e para e kështu lindën me radhe njëra pas tjetrës të tjerat, por nuk mund të them më tepër, duan akoma dhe disa kohe të finalizohen, pasi qëndisja është një medium që nuk mund të ecësh shpejt, qoftë edhe nëse ke shumë eksperiencë, por është mediumi me të cilin unë nuk lodhem kurrë, nuk është vetëm pasion, por më shumë, është dashuria nga e cila nuk ndahem dot.(Dita)

2 komente në “FOTOT: “Të qëndisësh të shkuarën me fije ari””

  1. enter"" says:

    Shume bukur.
    Cdo kush qe kthehet tek tradita meriton nje respect te vecante.

    Poshte teknologjia e ndyre.

  2. Koz says:

    Egla eshte artiste jo vetem ne punimet me fije ari por edhe ne shpirt.
    Suksese Egla !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje