Presidenti Donald Trump ka caktuar ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin e tij për bisedimet e paqes Kosovë-Serbi.
Lajmi i dhënë nga Shtëpia e Bardhë, të enjten në darkë, 4 tetor, nuk ndryshon statusin e Grenellit që do të vijojë të jetë ambasador në Berlin.
Kjo lëvizje është shenjë se SHBA është e vendosur të arrijë një sukses të ri diplomatik në Ballkan, të ngjashëm po shumë më të vështirë se marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
SHBA është përkrahësja më e madhe e pavarësisë së Kosovës dhe mbrojtësja kryesore në kuadrin e NATO-s të sigurisë së saj territoriale. Synimi amerikan është që konflikti të mbyllet edhe zyrtarisht, me njohjen e Kosovës nga Serbia.
FIllimi i dialogut do të presë krijimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve të kësaj jave në Kosovë. Po dialogu është vështirësuar shumë nga përpjekjet e ethshme të Serbisë për të bindur vende të ndryshme të botës për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe tarifa me vlerën 100% që qeveria kosovare ka vendosur për mallrat serbe.
Hipotezat se Kosova do të duhet të japë një pjesë të territorit për të fituar njohjen nga Serbia ka shkaktuar protesta e shqetësim në Kosovë.
Nga ana tjetër mundësia e njohjes së Kosovës ka nervozuar Kishën Ortodokse Serb edhe nacionalistët në Serbi që shpresojnë se situata ndërkombëtare mund të përmbyset në favor të tyre.
Gati 100 shtete të botës e njohin Kosovën tani, 23 nga 28 vende anëtare të BE-së, përfshi edhe shumica e vendeve fqinje. Ajo që e rrezikon më shumë situatën është përpjekja ruse për ta mbajtur të gjallë konfliktin në rajon. (Ruben Avxhiu)