Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga bashkshortja ka kryer obligimin e tij për të votuar.
Në një deklaratë për median Thaçi ai ka ftuar qytetarët të votojnë.
“Dëshiroj të uroj qytetarët e Kosovës për këtë ditë të rëndësishme. Në të njëjtën kohë i ftoj që të dalin të votojnë për të drejtën e tye, për të mirën e tyre. Do të jetë një votim për të ardhmen euroatlantike të sigurt të Kosovës, për një jetë më të mirë për qytetarët, për zhvillim ekonomik, për mirëqenie. Urime”, ka thënë ai.
Voton Haradinaj
Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Anita Haradinaj, ka votuar në shkollën “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Pas votimit, para mediave Haradinaj ka thënë se ata që votojnë vendosin për fatin e tyre.
“Unë dhe Anita e shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar, i lus të gjithë qytetarët që pavarësisht bindjeve politike të votojnë, vetëm me votë vendosin për fatin e tyre, ata që nuk votojnë të tjerët votojnë për ta”, ka thënë Haradinaj.
Voton Osmani
Kandidatja e Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka pasur informacion për disa parregullsi dhe bëri thirrje që qytetarët të mos kenë presion, në mënyrë që të votojnë të lirë.
“Thirrja ime është për të gjithë qytetarët e Kosovës që të bëhen pjesë e këtij vendimi historik. Besoj shumë që nëpërmjet një procesi të lirë dhe demokratik, Kosova të ketë arsye për të festuar. Shpresoj që qytetarët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë të drejtë për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre”, tha ajo.
“Shpresoj të mos ketë presion. Jemi informuar për disa parregullsi për të cilat do të flasim më vonë. Bëj thirrje që qytetarët e Kosovës të votojnë të lirë dhe të mos ketë presion ndaj tyre. Është me rëndësi që para botës Kosova të tregojë se qytetarët kanë mundësi të votojnë në një proces të lirë dhe demokratik”, shtoi Osmani, e cila tha se pas rezultatit do të mund të flitet për koalicionet e mundshme paszgjedhore.
Voton Kurti
Kandidati për kryeministër nga radhët e LVV-së, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka hedhur votën e tij në kuti.
Kurti pasi ka votuar iu ka bërë thirrje qytetarëve me të drejt vote ta shfrytëzojnë këtë shans sipas tij historik.
“Dita e sotit është e veçantë. Të gjitha përgjigjeve të të gjitha partive e politikanëve në fushatë sot iu përgjigjet populli si burim i sovranitetit të Republikës sonë. Sot nuk ka rëndësi a je i pasur apo i varfër, a je burrë a grua, a je i ri apo i moshuar, a vjen nga fshati apo qyteti, a ke mbaruar shkollim të lartë apo jo, të gjithë jemi të barabartë. Sistemi politik është hapur për të gjithë dhe njësoj. Iu bëjë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejt vote ta shfrytëzojnë këtë shans unik për nga karakteri e historik për nga pesha. Uroj votime të lira dhe ditë të këndshme për të gjithë qytetarët. Le të votojmë e le të festojmë”, ka thënë ai
Voton Veseli
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Kadri Veseli, pasi ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij, ka ftuar të gjithë qytetarët të votojnë.
“Sot është një ditë e mirë, e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I ftoj të gjithë qytetarëve t’i japim përspektivë vetëvetës, Kosovës perendimore, fëmijëve tanë, të ardhmes”, ka thënë ai.
Voton Limaj
Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar.
Limaj pas votimit, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtëne tyre për të votuar.
“Sot shfrytëzuam një mundësi të jashtëzakonshme që ka çdo qytetar i Kosovës për të shprehur vullnetin e tyre të lirë, për t’i dhënë mundësi dhe shans vendit. Jam i bindur dhe shpresoj e pres që vota e qytetarëve të Kosovës do t’i jap siguri vendit, përspektivë dhe mundësi që t’i bëjë hapat e duhur. Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të dalin të votojnë sipas bindjes së tyre dhe sonte në mbrëmje të kemi një rezultat që i siguron përspektivë e siguri vendit”, ka thënë ai. (TemA)