Psikologjia e rënies së Murit të Berlinit: Muri ende ekziston

3 Nëntor 2019, 09:18Bota TEMA

„Bashkohet çfarë është për t’u bashkuar”, tha dikur ish-kancelari, Willy Brandt kur ra Muri. Por sot duket se Lindja e Perëndimi i Gjermanisë nuk përshtaten dot me njëri-tjetrin. Si e shohin sociologët këtë zhvillim?

Lindja po ecën mirë ekonomikisht. Ky është rezultati i raportit më të fundit të qeverisë gjermane për „Stadin e Bashkimit të Gjermanisë”. Aty thuhet se „bashkimi i Gjermanisë dhe barazimi i standarteve të jetesës kanë ecur përpara.

” Por nga ana politike dhe emocionale duket se ndarja është bërë më e thellë. Të paktën 57% e gjermanolindorëve ndjehen si qytetarë të dorës së dytë, dhe gjysma e tyre është e pakënaqur me mënyrën si funksionon demokracia. Vlerësimi i ribashkimit mes Lindjes dhe Perëndimit është i ndryshëm. Psikoterapisti Hans-Joachim Maaz beson, se gjermanolindorët përmes përvojës së RDGJ-së kanë pasur një marrëdhënie të distancuar me shtetin. „Njerëzit në Lindje janë në përgjithësi më kritikë ndaj kapitalizimit, ndaj atyre lart, dhe më kritikë ndaj mediave…prandaj vjen prej andej një lëvizje protestuese kundër politikës të dominuar nga perëndimi gjerman.”

Kurse psikologja për çështjet sociale, Beate Küpper mendon ndryshe. Ajo thotë, se për shkak të ndarjes për një kohë të gjatë nga muri, „nuk është aq e vetëkuptueshme që Lindja dhe Perëndimi të jenë njësoj.” Problematike nuk shikohen dallimet në vetvete, por përshtypja e „injorimit kolektiv”. Bëhet fjalë për „ndjesinë e pranimit, vlerësimit, të të pasurit pjesë dhe që të dëgjohesh.”

AfD fiton pikë sidomos në Lindje

Më qartësisht kjo ndarje duket në rezultatet zgjedhore të partisë populiste, AfD. Në zgjedhjet në landet perëndimore kjo parti arrin rezultate rreth 10%, kurse në Lindje afër 25%, si në rezultatet e fundit në landet e Brandenburgut, Saksonisë dhe Tyringisë. Në Lindje pikërisht kjo parti ka marrë rolin e partisë protestuese nga e Majta, që në Lindje është pasardhësja e partisë së dikurshme të RDGJ-së, SED.  AfD ka shkruar në pllakate zgjedhore një parullë: „Përmbylle kthesën.” Me sukses. Psikoterapisti Maaz e sheh si gabim të madh, kategorizimin e votuesve të AfD-së vetëm si ekstremistë të djathtë. „Nëse ata i fyen dhe i diskriminon, ky është mjeti më i mirë për ta bërë këtë parti të fortë.”

Demokracia nuk është dhënë njëherë e përgjithmonë

Politikanët perëndimorë reagojnë me arrogancë nganjëherë ndaj rezultateve të AfD-së në Lindje. Kur kryetari i partisë Të Gjelbrit, Robert Habeck në fillim të vitit tha, se „do të bëjmë gjithçka që Tyringia të mbetet një land i hapur, liberal, i lirë, demokratik”, shpërtheu një valë pakënaqësie. Sepse kjo deklaratë tingëlloi sikur Tyringia nuk është një land demokratik. Carsten Schneider, kreu i degës së SPD-së për landin pyeti në twitter: „Në cilin burg i paskam kaluar këto vite?” Kurse deputeti i AfD-së, Leif-Erik Holm në Bundestag tha, se gjermanolindorët nuk kanë nevojë për „mësim shtesë në demokraci.”

Beate Küpper mendon, se as perëndimi nuk u bë demokratik me shtypje butoni në vitin 1945, as Lindja në vitin 1989. Demokracia duhet të zhvillohet gjithmonë më tej. „Prandaj do të ishte më e drejtë, nëse Habeck do të kishte thënë: „Ne duhet të demokratizohemi.” Nuk është çudi që kjo nevojë është më e madhe në Lindje. Sipas psikoterapistit Maaz, gjermanoperëndimorëve u mungon sensibiliteti shpesh për të kuptuar Lindjen.

Paraja nuk është gjithçka

Kryetarja e grupit parlamentar të Të Gjelbërve, Katrin Göring-Eckardt kërkon sidomos investime në infrastrukturë si masë kundër kthesës djathtas. „Njerëzit në rajonet e harruara, nuk i besojnë një shteti, që dukshëm i ka harruar ata.” Kështu mendojnë edhe shumë politikanë të tjerë. Por sociologja, Beate Küpper nuk mendon kështu. Me para nuk shuhet ndjesia e diskriminimit as përvoja e shumë njerëzve, që përjetuan kthesa të forta në jetën e tyre. Në të njëjtën kohë shumë gjermanolindorë nuk duan që të shihen si „viktima të rrethanave”, në fund të fundit ata e morën vetë jetën e tyre në dorë, dhe e kryen transformimin.

Christian Hirte, i ngarkuari i qeverisë gjermane për Lindjen, bën një bilanc të dyzuar. „Gjendja ekonomike, sociale, shoqërore e Lindjes është shumë më e mirë, se sa e do kishim përfytyruar para 30 vjetësh.” Por në të njëjtën njerëzit në Lindje kanë „lodhje prej ndryshimit”. „Nuk duhet t’i mbingarkojmë”, thotë ai.

Nga psikoterapisti, Hans-Joachim Maaz vjen një këshillë për perëndimorët: „Dëgjojini gjermanolindorët, mos i fyeni! Mos i bëni të kaftë! (fjala është për neonazistët, shën red.) Ai thotë, se lëvizja protestuese nga Lindja, është një  „ndihmë për të kuptuar, se çfarë duhet ndryshuar.”(DW)

1 komente në “Psikologjia e rënies së Murit të Berlinit: Muri ende ekziston”

  1. Agim Anastasi says:

    Te vjen keq kur analistet qe flasin jane te gjithe nga perendimi, nuk e njohin aspak realitetin e nje jete ne diktature socialiste. Te gjithe bejne propogande per interesat e tyre . Askerkush se kupton se njeriu qe u rite ne ate diktature kishte me shume njohuri se qytetari perendimor,me optimiste e natyror. Sot njeriu i ri nuk ka dhe i mungon filozofia ne shkolle. Ne se ne ate sistem superstar ishte Karl Marksi , sot superstar eshte nje kengetar i rendomte. Askerkush nuk pyet perse dikur kishte shume me te mire kengetare dhe futboller e nuk u bene si sote milioner. Lindoret e shohin qarte se muri u hoqe, por shohin se ne weste ka aq shume gardhe qe te mbledhura bashke kalojne volumin e murit qe ndau Berlinin. Ata shohin se vendin e nje Honekerit e zune shefat e firmave te cilet ligji i jepte te drejte te vuvosnin qytetarin. Qytetari humbi babai shtet , i cili e la ne meshire te fatit ,secili per vete e zoti per te gjithe. Qytetari lindor po shihte se iku nga shiu ra ne bresher. Ata nuk kekojne kthimin e nje sistemi qe vdiqe, por ato qe ishin te mira te pranoheshin ,e kapitalizmi me humanitare. Jam dakort me njeriun me siper ku thote se duhet te degjohen ata njetez. Aq me shume ne keto dite kur sistemi kapitaliste eshte tronditur aq shume, sa veshtire te besohet me, jo nga lindoret por dhe vete perendimoret. Me shume se kurre sot kuptohet se kapitalizmi eshte religioni i ri dhe paraja eshte zoti. Kur edhe e drejta zgjidhet me para ,kuptohet se realiteti materelizohet si mall. Sa per levizjen e lire ,nuk ekziston. Kudo do shohesh nje tabele ku thuhet privat. Qe do te thote se planeti kontrollohet nga privati dhe shoqeria eshte nje vegel qe duhet te punoi shume qe te kete para te levize ne planet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje