Gjenerali libian Khalifa Haftar është larguar nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen e armëpushimit me Qeverinë e Marrëveshjes Kombëtare e inicuar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Rexhep Tajip Erdogan si dhe përpjekjet e bashkesisë ndërkombëtare për paqe në Libi.
Sipas Al Arabiya, Haftar e justifikoi mospranimin e armëpushimit duke deklaruar se dokumenti i propozuar injoron shumë kërkesa nga ushtria kombëtare libiane..
Homologu i tij, Kryeministri i qeverisë së marrëveshjes kombëtare Al Serraj, e kishte nënshkruar marrëveshjen dje në Moskë, ndërsa Haftar kishte marrë kohën për të studiuar dokumentin.
Sipas raporteve nga ‘Sky Neës Arabia’, Haftar kishte kërkuar gjatë takimit në Moskë, të çonte trupat e tij në Tripoli, të kishte pozicionin e komandantit suprem të Forcave të Armatosura Libiane dhe të formonte një qeveri të unitetit kombëtar që do të merrte vota e besimit nga parlamenti i Tobruk.
Gjenerali gjithashtu kishte kërkuar monitorim ndërkombëtar të armëpushimit pa pjesëmarrjen e Turqisë dhe tërheqjen e menjëhershme të mercenarëve “të ardhur nga Siria dhe Turqia”
Haftar ishte i bindur se fitorja ushtarake ishte afër, teksa një nga pikat e marrëveshjes ishte dhe largimi i trupave turke nga zonat e luftës.
Gjërat kishin shkuar keq qysh nga e hëna pasdite kur Kryeministri libian al Serraj, qeveria e të cilit njihet nga OKB dhe nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare nuk kishte pranuar të takohej me Haftar.
Atë moment u kuptua se edhe ky raund i negociatave nuk do të ishte vendimtar dhe se përpjekjet diplomatike të Rusisë, Turqisë dhe Italisë edhe mund të dështonin.
Sipas ‘Al Arabiya’, duke përmendur dëshmitarë okularë thotë se në jug të Tripolit kanë rifilluar luftimet mes forcave të Haftar dhe al Serraj.
Italia është rikthyer në ballë të përpjekjeve diplomatike duke mbrojtur jo vetëm interesat e ‘Eni’ në Libi, por edhe duke parandaluar të këqijat si terrorizmi dhe një fluks të ri migracioni në Mesdhe.
KATASTROFEN NE LINDJEN E MESME , DO TA PAGUAJ EUROPA ME REFUGJATET E LUFTES .