Komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura nuk mund t’i bëhet grusht shteti. Kështu u shpreh ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në studion e Ilva Now e pyetur lidhur me përplasjen Qeveri-president pas pretendimit të këtij të fundit për grusht shteti dhe thirrjes për tubim popullor më 2 mars.
“Unë mendoj që kjo është, do ta përmbledh shkurt, mendoj që është thjesht politikë, kushtetuta është shumë e qartë. Presidenti është simboli i unitetit kombëtar dhe veç të tjerash unë ndoshta jam edhe personi i gabuar për të ma bëra këtë pyetje sepse presidenti është komandanti im i përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Kështu që komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura nuk mund t’i bëhet grusht shteti, kaq e thjeshtë”, – tha znj. Xhaçka.
E pyetur lidhur me rrezikun real që i kanoset Shqipërisë pas kërcënimit të liderit suprem të Iranit, i cili na quajti një vend i vogël i lig, znj. Xhaçka tha se ajo deklaratë ngriti disa dyshime për të marrë disa masa për të qenë të sigurt, por nuk ka asnjë informacion që përbën rrezik qetësinë që ne kemi sot
“Kur nuk ka risk të lartë nuk ka masa të shtuara. Deri më tani nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Opozita iraniane, ai komunitet MEK që ndodhet aktualisht në tiranë është produkt i një marrëveshjeje me partnerët tanë, një marrëveshje humanitare, edhe është në traditën tonë të mirë që ne të mirëpresim ata që u rrezikohet jeta. Nuk ka absolutisht asgjë të lig në këtë gjë dhe asnjë arsye për tu shqetësuar se kjo do të sjellë pasoja shqetësuese”, tha ministrja e Mbrojtjes.