Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, mbërriti sot në Riad, ku parashikohet të zhvillojë bisedime me krerët sauditë për të diskutuar mbi kërcënimin iranian, vizita e parë kjo pas vrasjes së një gjenerali të lartë iranian, që rindezi tensionet në rajon.
“Do të kalojmë shumë kohë duke diskutuar për çështjet e sigurisë, në veçanti në lidhje me kërcënimin nga republika islamike e Iranit”, deklaroi Pompeo për gazetarët.
Sipas tij, SHBA është e gatshme të bisedojë me Iranin në çdo kohë, por regjimi iranian duhet të ndryshojë rrënjësisht sjelljen e tij.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit njoftuan se kryediplomati amerikan do të takohet me mbretin Salman dhe djalin e tij, Mohamed bin Salman, si edhe me ministrin e Jashtëm, Faisal Ben Farhane.