Nga Valter Hoxha*
Ka më shumë se dy muaj që ekonomia botërore për shkak të virusit të quajtur Covid-19, po përjeton tërmete të fuqishme njëra pas tjetrës duke shënuar kështu ndoshta krizën më të madhe që prej Depresionit të Madh të vitit 1929. Duke sikur ky virus ka gjurmëzuar edhe njëherë rrugën e mëndafshit duke filluar në Kinë kaluar nëpër Iran (Persia e vjetër) dhe përfunduar në Itali (Perandoria Romake). Në të vërtetë kjo pandemi siç e quan me të drejtë OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), ka goditur gati të gjithë sektorët e ekonomisë botërore. Sot nuk ka shtet në botë që jeton duke u mbështetur në forcat e veta, ashtu siç kërkohej në Komunizëm. Në botë, Kina është një prej furnizuesve kryesorë në lëndë të parë. Kështu për shembull, gati 70% të lëndës së parë, industria farmaceutike e merr nga Kina. Ajo është eksportuese gjithashtu edhe e lëndëve të para për prodhimin e materialeve elektronike dhe të telekomunikacionit, për industrinë automobilistike, etj. Kështu vetëm për Honda-n, Wuhan përfaqëson 50% të prodhimit total në Kinë. Por Kina është edhe Shteti i cili është një prej importuesve kryesor të lëndëve të para dhe të produkteve finale ku për vitin 2018, ajo ka shpenzuar një shumë prej 500 miliardë dollarë (https://www.ispionline.it/it/pubblicazione/le-conseguenze-del-coronavirus-sulleconomia-globale). Sipas Jean Pisani-Ferry, këshilltar ekonomik i Presidentit francez Macron, nëse në 2008 kishim një krizë financiare që goditi ekonominë reale, sot kemi një krizë sanitare që godet ekonominë financiare. Mjafton të shikojmë evolucionin e bursave këto dy javët e fundit për të kuptuar përmasat e kësaj krize (https://fr.investing.com/indices/major-indices). Sot bursat e kompanive më të mëdhaja që përbëjnë gati ¼ e GDP amerikane (mbi 4000 miliardë dollarë), Facebook, Amazon, Apple dhe Google, kanë rënie me një mesatare prej -6 %. Po kështu vazhdon të humbas edhe sektori bankar dhe ai energjetik.
Pra mund të themi se situata është shumë tragjike për të gjitha bursat në botë, qoftë ato amerikane, europiane dhe aziatike. Ato janë në periudhën e tyre më të vështirë. Edhe pse kemi një deklaratë pozitive të Guvernatores së BQE (Bankës Qendrore Europiane) Christine Lagarde, për një manovër në tregun e titujve, ajo nuk i ka bindur tregjet ku bursa e Milanos mbyllet me – 16%, Madrid (-14,6%), Frankfurti dhe Parisi (-12,2%), Londra (-10,9%). Mijëra miliarda dollarë janë duke humbur edhe pse në kontekstin pasuror energjetik “energjia as shtohet as pakësohet, por thjesht transformohet”.
Problemi shtrohet: kemi një virus që rrezikon jetën e personave, për ta ndaluar duhet të ndalojmë ekonominë, nëse bllokojmë ekonominë sipërmarrjet falimentojnë, nëse firmat falimentojnë bankat I ndjekin nga pas, pra falimentojnë. Pyetjet që shoqërojnë këtë problematikë janë: cili është impakti i kësaj krize në ekonominë shqiptare? Sa mund t’i kushtojë ekonomisë tonë kjo situatë emergjence?
Padyshim, kjo krizë do të impaktojë në mënyrë direkte ekonominë modeste shqiptare. Në vitin 2019, PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto) kapi shifrën sipas INSTAT (2019) 15.7 miliardë dollarë ose 14 miliardë euro. Nëse do të marrim si referencë periudhën që ju desh Kinës për të kapërcyer këtë situatë emergjence prej të paktën 2 muajsh, dhe pa konsideruar kapacitetin dhe fuqinë e këtij shteti, i bie që secili vend që është i prekur nga kjo pandemi, të ketë të paktën këtë periudhë krize ekonomike. Kështu, nëse prodhimin e brendshëm bruto do ta shtrijmë në 12 muaj do të kishim afërsisht 1.25 miliardë $ amerikanë në muaj. Në fakt, e përllogaritur me metodën e shpenzimeve, ky prodhim krijohet nga 4 komponentë të kërkesës agregate që janë : Konsumi (C), Investimet (I), Shpenzimet qeveritare (G) dhe Eksportet Neto (X-M). Për komponentin e fundit, mjafton të kujtojmë që për vitin 2018, sipas INSTAT vendi ynë, ka eksportuar afërsisht një prodhim me vlerë 3 miliardë dollarë dhe ka importuar afërsisht një prodhim me vlerë 5 miliardë dollarë ku vendet kryesore për eksportin janë Italia me 48% ose 1.38 miliardë $, Serbia (11%) me 325 milionë $, Spanja (7.8%) me 224 milion $ e kështu me radhë. Ndërsa , në vendet kryesore të importit kemi Italinë me 27% për një shifër prej 1.62 miliardë $, Kina (8.4%) me 498 milionë $, Greqia (8.1%) me 482 milionë $, Gjermania (7.7%) me 460 milionë $, Serbia (4.8%) me 284 milion $ dhe Spanja (2.8%) me 150 milionë $. Pra, siç mund të analizojmë, duke qenë se eksportuesi dhe importuesi kryesor për ne është Italia që shoqërohet nga Kina për importet por edhe vendet e tjera të BE, të cilat janë të prekura më shumë nga kjo krizë, mund të themi se për firmat e import-eksportit ka një problem të madh aktiviteti. Kjo do të thotë që firmat të paralizohen për këtë periudhë. Por duhet thënë që ky komponent përbën afërsisht 13 % të PBB (X-M), për vitin 2018. E përkthyer në shpenzim agregat mujor rezulton afërsisht 1,1% në muaj, nëse ky 13% të shtrihet në 12 muaj viti. Pra në shifra konkrete, do të kemi përafërsisht një problem shpenzimi midis 150-160 milion $ çdo muaj. Komponenti tjetër që janë shpenzimet qeveritare (G), për vitin 2018, sipas INSTAT, kanë qenë, 28.9% të PBB (https://tradingeconomics.com/albania/gdp) ose 4.5 miliardë $. Edhe ky komponent në shpenzim agregat duke e shtrirë për 12 muaj do të kap një shifër afërsisht prej 450 milion $ në muaj. Kështu, pjesa tjetër që mbetet nga 1.25 miliardë $, rezulton të jetë konsum dhe investim. Problemi qëndron se që të shpenzosh duhet të arkëtosh, pra të kesh të ardhura. Të gjithë këta komponentë të kërkesës agregate kanë në anën e kundërt komponentët e të ardhurës agregate. Atëherë pyetja që shtrohet këtu është: a duhet të ndërhyjmë nëpërmjet nxitjes së kërkesës agregate apo duhet të ndërhyjmë nëpërmjet nxitjes së ofertës agregate?
Për të zgjidhur këto kriza ekonomike paradigma ekonomike ndahet midis dy rrymave dominante: mendimit ekonomik kejnesian i cili propozon një stimulim të kërkesës nëpërmjet ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, dhe mendimit neoklasik dhe neoliberal i cili e shikon zgjidhjen në stimulimin e ofertës. Qeveria Kineze e pa zgjidhjen tek nxitja e kërkesës. Kështu ata koordinuan të dyja politikat makroekonomike qoftë atë monetare qoftë atë fiskale. Problemi është se ekonomia shqiptare nuk ka të njëjtën strukturë ekonomike si Kina. Banka Qendrore e Shqipërisë nuk ka të njëjtin statut si ai i BQ Kineze. Ajo më shumë i ngjason Bankës Qendrore Europiane. Objektivi kryesor i saj është ruajtja e stabilitetit të çmimeve (neni 4, statuti i BQ). Në këtë kontekst, mund të marrim shembullin e Italisë qoftë edhe për situatën në të cilën ndodhet por edhe për rëndësinë që ka në ekonominë tonë. Për të përballuar situatën ekonomike, Qeveria e Kryeministrit Conte po ndërhyn qoftë në anën e firmave duke pezulluar derdhjet e taksave dhe të tatimeve, qoftë në anën e familjeve duke pezulluar taksat, sigurimet, kredit dhe faturat. Kështu do të ketë një pezullim të faturave të dritave, ujit, gazit dhe mbetjeve për 6 muaj. Për huatë e marra nga Agjencia kombëtare për nxitjen e zhvillimit dhe të investimeve për firmat (Invitalia), firmat mund të kërkojnë një pezullim për 12 muaj të pagesës së kësteve. Gjithashtu edhe për këstet e sigurimeve pezullohen deri në 31 korrik. Për të vetëpunësuarit të regjistruar në sistemin fiskal, u paguhet një e ardhur mujore prej 500 eurosh atëherë që për punonjësit e administratës u ofrohen logjistikë për të punuar nga shtëpia. Për firmat eksportuese, qeveria ofron një fond mbështetës prej 350 milion euro. Ndërsa për firmat e vogla dhe të mesme ofrohet një fond garancie për të pasur mundësi që të kreditohen. Kjo është një ndërhyrje nga ana e politikës fiskale por nga ana e politikës monetare ajo varet totalisht nga BCE. Këtu, Guvernatorja në deklaratën e fundit që bëri ishte e qartë: “Duhet një përgjigje e politikave fiskale ambicioze dhe të koordinuara për të mbështetur sipërmarrjet dhe punëtorët që rrezikojnë”. BCE mund të ndërhyjë vetëm nëpërmjet financimit të bankave të nivelit të dytë ku dhe norma e interesit është në zero, ose nëpërmjet manovrës së blerjes nga këto të fundit të bonove të thesarit.
Po cili është realiteti i ekonomisë shqiptare? Realiteti është që ata që rrezikojnë seriozisht nga kjo situatë është sektori privat. Firmat, nëse do të kemi një zgjatje në kohë të kësaj situate, rrezikojnë që në muajin e dytë të falimentojnë dhe punëtorët rrezikojnë të mbeten të papunë. Sipas INSTAT (2018), numri i firmave në vendin tonë në total është 107.450 firma. Nga këto 99.8% janë mikro, të vogla dhe të mesme të cilat punësojnë 411.727 punëtorë ose 80% të punësimit total. Në këtë kategori mikrondërmarrjet përbëjnë 93.9%, ndërmarrjet e vogla 4.9% dhe ato të mesme 1.1%. Pra këtu kemi gati 200.000 të punësuar ose 38% tek mikrondërmarrjet, 20% ose 103 mijë të punësuar tek firmat e vogla dhe 22% ose 114 mijë tek firmat e mesme. Firmat e mëdha që klasifikohen me më shumë se 250 të punësuar, punësojnë vetëm 20% të totalit (https://www.monitor.al/bie-pesha-e-te-punesuarve-ne-ndermarrjet-e-vogla-dhe-te-mesme/). Problemi qëndron pikërisht tek kategoria mikro dhe e vogël e këtyre firmave. Tregu i punës këtu është tepër vulnerabël. Nëse në administratën publike apo tek firmat e mëdha të konsoliduara siç janë bankat, kemi një garanci punësimi, punëtorët e kësaj kategorie janë të rrezikuar. Mbyllja e aktiviteteve duke filluar që nga lokalet, restorantet, dyqanet, hotelet, parukeritë, stomatologët etj., penalizon pikërisht këtë kategori të punësuarish. Nëse nuk ka punë nuk ka para, punëtorët mund të qëndrojnë në shtëpi. Pa pagë mujore, ndryshe nga punëtorët e administratës publike, apo të atyre në punë komode që gëzojnë pushime dhe që i spostojnë sipas mundësive, këta janë të detyruar të punojnë nën kushte të pranimit të çdo lloj oferte. Këtu nuk bëhet fjalë për disa mijëra por qindra mijëra punëtorë. Këtyre u shtohen edhe një tjetër kategori që është e padukshme. Në vendin tonë ka mijëra punëtorë “të padukshëm” që nuk kanë karakteristika të përcaktuara qartë, ndoshta s’kanë NIPT, apo jetojnë duke bërë punë rastësore. Rikujtojmë këtu, hidraulik, bojaxhinjë, elektricistë të pavarur, personel pastrimi, dado, persona që bëjnë kurse formimi etj. Shumë prej këtyre nuk janë të regjistruar në sistemin fiskal. Pastaj kemi një pjesë të mirë të punëtorëve që punojnë në të zezë.
Në këtë kontekst, ne propozojmë dy alternativa për të dalë nga kjo situatë. E para, qeveria duhet të kryej politikë fiskale ekspansioniste. Qeveria duhet të shpenzojë detyrimisht në këtë situatë. Jemi nisur nga një goditje në krahun e ofertës, shkaktuar nga koronavirus. Pra, duke u nisur nga një goditje sanitare dhe për ta përballuar duhet të mbyllim aktivitetet ekonomike, kalojmë në atë që quhet goditje të ofertës. Kështu në momentin që firmat mbyllen, nuk paguajmë dot pagat e punonjësve, në këtë rast kalojmë në një tjetër goditje, atë të kërkesës. Kështu në këtë moment për të ristartuar i vetmi që mund ta bëjë është Shteti nëpërmjet Qeverisë. Janë dy mënyra për të injektuar para në qarkullim: ose të kalojë në deficit (qeveria shpenzon më shumë se çka të ardhura dhe në këtë rast rritet kursimi i privatit për arsye se kjo diferencë mbetet në xhepat e familjeve dhe të firmave), ose t’u kërkosh bankave të kreditojnë ekonominë. Problemi është se bankat këtë kreditim nuk e bëjnë falas por përkundrejt një kostoje që është interesi. Pra të marrësh 100 euro kredi plus interes apo të kesh 100 euro si të ardhur të faturuar në arkë apo si financim në formë subvencioni nuk është e njëjta gjë. Të parën duhet ta kthesh mbrapsht ndërsa e dyta është e firmës. Këtu çështja shtrohet ku ti gjej qeveria paratë? Rruga e gjatë është ajo e tatim-taksave për arsye se i duhet kohë. Ndërsa, rruga më e shpejtë, është të shesë letrat e saj me vlerë. Kjo realizohet nëpërmjet financimit të qeverisë nga BQ duke I blerë asaj letrat me vlerë (Bonot e Thesarit apo obligacionet). Çështja qëndron se BQ e Shqipërisë sipas nenit 30, të ligjit Nr. 8269, datë 23.12.1997, nuk mund të japi kredi ose hua apo ndonjë kontribut financiar tjetër Qeverisë së Republikës të Shqipërisë, përveç disa rasteve specifike të parashikuara në nenin 31 po të këtij ligji. Qeveria për t’u kredituar, duhet ti drejtohet tregut sekondar që janë bankat e nivelit të dytë. Por kjo manovër ka kosto dhe është e limituar në kohë dhe në sasi kreditimi. Kosto për arsye se situate ekonomike nuk mund të sjell rritje ekonomike, përkundrazi mund të jemi edhe në recession për këtë vit, bankat do të kërkojnë një rendiment më të lartë të letrave me vlerë (Bonot e Thesarit apo obligacionet). Në sasi, për arsye se defiçiti public nuk mund të kaloj 3% e GDP. Mjafton të kujtojmë situatën sot në Liban, ku Qeveria Libaneze deklaron pamundësinë për të paguar këstin e radhës prej 1.2 miliardë $ amerikanë (https://www.lemonde.fr/international/article/2020/03/07/le-liban-annonce). Por edhe në se supozojmë që BQ e Shqipërisë do të financojë direkt Qeverinë, sipas nenit 31, për strukturën e ekonomisë tonë ku 99.8% janë firma mikro, të vogla dhe të mesme, kjo manovër duhet parë me kujdes. Këto firma kanë nevojë për faturim, dhe kanalizimi nëpërmjet investimeve publike do të favorizonte vetëm firmat e mëdha që kanë potencial të aplikojnë për tendera. Që Qeveria të synojë konsumin direkt duhet që të kanalizojë paratë duke synuar rritjen e fuqisë blerëse të konsumatorit nëpërmjet rritjes së pagave, pensioneve apo transfertave për kategoritë në nevojë.
Alternativa e dytë është që në mënyrë indirekte, BQ mund të ndihmojë firmat duke injektuar likuiditet nëpërmjet kreditimit me normë zero të bankave të nivelit të dytë, dhe këto të fundit duke kredituar firmat me një normë të ulët interesi. Problemi është që bankat në Shqipëri kanë mjaftueshëm likuiditet, sipas guvernatorit ato disponojnë më shumë se 8.4 miliardë euro në kursime. Nëpërmjet manovrës së “quantitative easing”, BQ mund t’u japë akoma mundësi këtyre bankave por nuk shërben për startimin e bizneseve. Problemi është se bankat për të kredituar kërkojnë dy gjëra: kolateralin në pasuri që nëse ndodhen përballë një kredie të keqe u duhet për të përballuar humbjet dhe, besimin që firmat do të kenë të ardhura ose faturime për të shlyer kredinë. Në këtë situatë duke sikur klima për të bërë biznes nuk është shumë e favorshme, kështu që bankat nuk duan të rrezikojnë. Dhe për më tepër, në këtë situatë, me cilindo sipërmarrës që ka një biznes, dhe ta pyesësh, ju thotë që bizneset nuk kanë nevojë për kreditim por për të faturuar, pra për të futur para në arkat e tyre që janë bosh. Faturimi dhe kreditimi nuk është e njëjta gjë. Faturimi është hyrje të ardhurash për biznesin që shërben për të shlyer kreditimin dhe kostot e tjera, ndërsa kreditimi është kosto që nëse nuk ka të ardhura rrezikon mbylljen e tij. Pra leva monetare në këtë situatë nuk duket sikur jep efekt, edhe pse BQ ka ulur normat e interesit në 1%. Në këtë situatë, mbetet që BQ të ndërmarrë një manovrë tjetër monetare ekspansive jokonvencionale e pagëzuar nga monetaristi, nobelist i ekonomisë Milton Freedman “Helikopter Money” ose e ashtuquajtur nga disa ekonomistë të sotëm “quantitative easing për popullin” . Ideja është hedhur që në vitin 2016 nga një grup deputetësh europianë dhe që sot po shikohet të realizohet nga Hong Kong-u. Kjo manovër orientohet direkt tek financimi i konsumatorit. Pra në vend që të rikapitalizojmë bankat me likuiditet, është më mirë që të derdhim një shumë të arsyeshme parash jo në formë kredie, në llogaritë e individëve, me idenë që këta të fundit do ti shpenzojnë për konsum mujor. Kjo manovër është e mundur nëse BQ e Shqipërisë bashkëpunon me Qeverinë gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin.
Si përfundim një gjë është e sigurt që bankat gjithmonë do të ketë një zgjidhje, çështja qëndron të shpëtojmë bizneset dhe vendin e punës për kategoritë e ndryshme të individëve.
*Pedagog ekonomie
Hahaha ku kemi pedagog ekonomie ne?Ne kemi vetem matrapaze ekonomie.Enver Hoxha e la vendin me komplet bazen ekonomike industriale bujqesore dhe zooteknike dhe pedagoget e leshit matrapazet e ekonomise e shkaterruan.Pse merrte vesh Gramoz Pashkoja bga ekonomia??Apo keta buthqirat qe jane tani pedagoge???Kush ka trute ne koke do te ishte cjerre nga zeri se matrapazet ekonomike po shkaterrojne vendin.