Rikthimi i Laburistëve!

5 Prill 2020, 14:48Bota TEMA
Rikthimi i Laburistëve!

Nga Lavdrim Krashi

Zgjedhja e Keir Starmer në detyrën e liderit të laburistëve britanik përfaqëson një lëvizje të qënësishme të opozitës zyrtare drejt teritoreve reale në politikë. Ai fitoi mbi 56% të votave ose më shumë se dyfishi i kandidates që u rendit e dyta në garë, Rebecca Long-Bailey, e cila vinte nga radhët e së majtës ose vazhduese e politikave të Korbin. Pas një gare të gjatë, e cila i ka çmobilizuar deri diku laburistët gjatë krizës nga përhapja e Covid-19, Starmer pason Korbin në krye të laburistëve.

Fitorja e Starmer vjen pas çorientimit dhe demoralizimit të gjërë që pasoi pas humbjes së madhe të laburistëve në zgjedhjet e Dhjetorit të kaluar. Disfata të tilla çojnë në “lëvizje” të partisë drejt fushëbetejës reale, e thënë ndryshe për nga e djathta. Humbjet e njëpasnjëshme të laburistëve nga 1979 krijuan kushtet për “marshimin” e laburistëve drejt të djathtës në politikë që u epitomizua me Blair dhe Blarizmin në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, i cili fitoi 3 zgjedhje në drejtimin e laburistëve.

Rezultati tregon se shumica e laburistëve kanë arritur në pērfundimin se partia e tyre duhet të shkojë drejt qendrës së djathtë që të bëhet e zgjedhshme. Kjo nuk nënkupton se ata kanë ndryshuar idetë apo pozicionin e tyre politik – madje duket që edhe qeveria po implementon politika në kushtet e emergjencës shëndetësore për të cilat laburistët konkuruan para 4 muajsh në zgjedhje. Nga ana tjetër, kjo nuk do të thot që Starmer përfaqëson të djathtën e së majtës, ai nuk është Tony Blair!

Kjo përforcohet edhe më shumë nga resultatet e tjera në garën për drejtuesit e laburistëve. Angela Rayner fitoi lehtësisht kundër marksistit Richard Burgon, i cili u rendition i treti në garën për nënkryetar i partisë. Gjithashtu, elektorati i reservoi tre pozicione kyçe për në organizimin më të lartë të partisë (Komiteti Ekzekutiv) për kantidatët e mbështetur nga fraksione me pikëpamje të qendrës së djathtë. Gjithashtu vlen të përmendet se Rebecca Long-Bailey u rendition e treta nga grupi i votuesve nga radhët e sindikatave, pavarësisht se në total doli e dyta. Vlen të qartësohet se zgjedhjet për drejtuesit e partisë laburiste bëhen mbi parimin një anëtar një votë dhe ka tre “kolegje”. I pari është ai i anëtarëve të partisë, i dyti ai i sindikatave dhe i fundit rezervohet për qytetarët që anëtarësohen në parti vetëm për të zgjedhur lidershipin kundrejt një kuote modeste.

Këto humbje të së majtës brenda laburistëve erdhën sepse ndërkohë që Starmer nuk përfaqësonte fraksionin e majtë por nuk është i asociuar as me të djathtën. Në fakt Starmer ishte shumë i kujdesshëm të mos i sulmonte politikat Corbyniste dhe ai ishte i besueshëm pasi ka shërbyer në qeverinë në hije të drejtuar prej Corbyn.

Tani që është zgjedhur lider, nuk ka asnjë illusion se Starmer përfaqëson lëvizjen drejt qendrës se djathtë të cilën shumica e anëtarëve e duan dhe presin. Fitorja ishte e padiskutueshme, me diferencë shumë më të madhe se parashikimet dhe kjo do të forcojë lëvizjen laburiste.

Natyrshëm, bashkë me ndyshimet në drejtimin e laburistëve do të ketë edhe ndryshime politike. Shenjat e para u dhanë menjëherë si p.sh. anti-semitizmi apo bashkëpunimi konstruktiv me qeverinë sidomos në kohën e krizës së kohës.

Lideri i ri i laburistëve duhet të udhëheq opozitën kundër menaxhimit të kritikuar të qeverisë përgjatë Covid-19 duke kërkuar masivizimin e testimit, mbështetjen reale për shërbimin shëndetësor kombëtar (NHS), sidomos për veshjet mbrojtëse të personelit etj.

Ndërhyrjet ndihmuese në ekonominë e vendit gjatë krizës së Covid, të pamundura ose paimagjinueshme deri para pak kohësh, po ndodhin në drejtimin e një qeverie konservatore. Tani duken më shumë se kurrë vlerat e verteta të lëvizjes laburiste.

Ardhja e Starmer në drejtimin e laburistëve është një mundësi për ta rindërtuar në një parti profesionale, të fokusuar në nevojat e elektoratit dhe e aftë të drejtoj vendin. Eksperimenti pararendës ishte i pasukseshëm dhe shumica mezi e kanë pritur fundin e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje