Sindroma Kawasaki (MK) është një sëmundje që prek fëmijët dhe e ka marrë emrin nga zbuluesi i saj, dr. Tomisaku Kawasaki, i cili e diagnostikoi për herë të parë në Japoni në vitin 1967. Ajo është një sindromë inflamatore që prek arteriet e vogla dhe të mesme te fëmijët për shkaqe që ende nuk janë zbuluar.
Simptomat
Dimë që sëmundja prek kryesisht foshnjat dhe fëmijët nën tetë vjeç dhe simptomat më të zakonshme janë ethe, skuqje e buzëve dhe mukozës së gojës, anomali të ekstremiteteve si duart dhe këmbët, skuqjet e lëkurës, limfonodula në zonën e qafës dhe eritrema në gjuhë. “Sindroma Kawasaki – shpjegon Alberto Villani, anëtar i Komitetit Shkencor Teknik për urgjencën (Cts) dhe kryetar i Shoqatës Italiane të Pediatrisë (Sip) – është një vaskulit që normalisht ka pasur ecuri beninje, por në disa raste mund të shkaktojë probleme sepse ndikon në zemër me zgjerim të arterieve koronare“. Pacientët që nuk trajtohen në mënyrë adekuate (15-25%), por ndonjëherë edhe ata që kanë kujdes të mjaftueshëm (më pak se 5%) kalojnë komplikacione.
Pasojat e shumta të koronavirusit
Pse po flitet kaq shumë për të tani? Sepse përgjatë luftës kundër koronavirusit, vetëm tani mjekët kanë filluar të kuptojnë se si funksionon: sulmon të gjithë sistemin, jo vetëm mushkëritë, arrin në sistemin vaskular, është shkaku i patologjive të rëndësishme neurologjike, sulmon në mënyrë selektive mbi bazën e moshës dhe gjinisë. Pediatër nga shumë zona të Evropës kanë ngritur alarmin pasi regjistruan një numër të madh fëmijësh të prekur nga kjo sindromë. “Në një muaj, numri i rasteve përputhej me ato që janë regjistruar në tre vitet e mëparshme“, tha reumatologu pediatër i spitalit “Papës Gjoni”, Luçio Verdoni. Raste të ngjashme janë raportuar edhe në Xhenova dhe Milano.
Dyshimi është se mund të ketë një lidhje midis sëmundjes Sars-Cov 2 dhe sindromës Kawasaki, megjithëse ekspertët thonë se vetëm një pjesë e vogël e fëmijëve të infektuar me SarsCov2 zhvillojnë sëmundjen Kawasaki, më pak se 1%. Përkundër kësaj, ata paralajmërojnë, “duke pasur parasysh hapjen e afërt të fazës 2, është e rëndësishme të mbani në mend të gjitha pasojat që mund të shkaktojë ky virus tinzar, si në grupmoshat e të rriturve, ashtu edhe në ato pediatrike“. “Deri më tani, nuk ka asnjë lidhje të provuar midis koronavirusit dhe sindromës Kawasaki tek fëmijët – saktëson Alberto Villani – por monitorimi i kujdesshëm po bëhet për të verifikuar dyshimet“.
Sindroma Kawasaki prek aziatiket, më saktë japonezet dhe gjithe zonën perreth. Informohuni mirë para se te shkruani