ANALIZA: Ndëshkim për Gjermaninë e pabindur

9 Qershor 2020, 14:18Bota TEMA

Nga Miodrag Soric

A lejohet Gjermania të ketë interesat e saj dhe t’i ndjekë ato? Përgjigja e Uashingtonit duket se është e qartë: vetëm me bekimin e qeverisë amerikane! Ajo i kërcënon me sanksione koncernet europiane, që marrin pjesë në ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream2, gati 96% i gatshëm. Për kujtesë: Ky gazsjellës do të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani duke mënjanuar shtetet e tjera dhe prej Gjermanisë të shpërndahet në vende të tjera të BE-së.

Gjermania jeton nga eksporti. Industria e këtij vendi ka nevojë për sigurinë energjitike. Prandaj ekonomia dhe qeveria gjermane e mbështet këtë gazsjellës. Por ajo përpiqet që në politikën e saj të marrë në konsideratë edhe rezervat që kanë Polonia dhe Ukraina ndaj projektit Nord Stream 2.

Një ambasador konfrontues

Por të gjitha këto nuk i interesojnë Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Trump kërkon të pengojë me të gjitha mjetet gazsjellësin. Një nga njerëzit e tij të vijës së ashpër është ambasadori i deritanishëm amerikan në Berlin, Richard Grenell. Diplomati jodiplomat nuk ka dhënë ndonjë kontribut me vlerë në marrëdhëniet bilaterale: Ai e ka dorëzuar postin më 1 qershor dhe është larguar nga Gjermania.

Një agjitator tjetër po i zëshëm kundër gazsjellësit është Ted Cruz, senator ultra i djathtë nga Texasi. Një njeri, të cilin disa miq të partisë së tij e quajnë “djalli i gjallë”. Të tjerë thonë: nëse Cruz do ishtë i shtrirë i sëmurë rëndë në kongres, askush nuk do ta telefononte mjekun e urgjencës. Ted Cruz prej vitesh financohet prej vitesh nga industria amerikane e fracking (metodë e kontestuar e nxjerrjes së gazit apo naftës përmes presionit të fortë hidraulik në tokë, shën. red.) Kjo industri ka interes të shesë gazin e saj në Europë. Problemi i saj: Gazi amerikan i prodhuar me kosto të madhe është më i shtrenjtë se ai rus. Uashingtoni – e kush e kishte menduar ndonjëherë këtë për përkrahësin e dikurshëm të tregtisë së lirë? i trembet kështu konkurrencës. Më e lehtë është të vërtitësh shkopin e sanksioneve. Një politikë që Trump e quan “America First”. Duke injoruar edhe dëmin që i shkaktohet marrëdhënieve me aleatin më besnik.

Publikisht ai e lëvdon kancelaren Merkel. Por mediat si edhe përfaqësues qeveritarë në të njëjtën kohë bëjnë të ditur, se në bisedimet mes tyre toni është i ashpër. Duhet thënë, se kancelarja është e prerë ndryshe nga një kryetar qeveria malazez, të cilin Trump e shtyn mënjanë, nëse ai i zë rrugën. Me Merkelin kjo nuk bëhet. Ajo as nuk e lejon ta frikësosh. Gjë që duket se e zemëron shumë Donald Trump.

Tërheqja e ushtarëve amerikanë

Tani ai dëshiron t’i ndëshkojë gjermanët se nuk po sillen si duhet, dhe të tërheqë që këtë vit afër 10.000 ushtarë nga Gjermania. Gjermanëve kjo nuk u bën shumë përshtypje, për sa kohë që nuk e shohin veten të kërcënuar nga ndonjë rrezik ushtarak nga jashtë. Prej vitesh kritikohet ndotja e mjedisit dhe zhurmat e shkaktuara nga trupat amerikane. Frikë nga tërheqja e trupave amerikane kanë vetëm kryetarët e bashkive të zonave dhe përfaqësues të ekonomisë. Por para së gjithash, amerikanët janë në Gjermani prezentë, sepse kjo është në interesin e tyre (misionet në Afganistan dhe Irak komandohen tërësisht nga këtu) si dhe të NATO-s. Nëse Trump tërheq një kontigjent më të madh, ai dëmton veten dhe e largon edhe më shumë SHBA-në nga Europa.

I treti që qesh do të jetë Kina. Çdo përplasje brenda Perëndimit forcon pozicionin e Pekinit kundrejt Uashingtonit. Ashtu si po sillen amerikanët tani, zor se mund të presin mbështetje nga BE në konfliktin tregtar me Kinën. Përkundrazi. Berlini merr nga korriku presidencën e radhës së BE. Kancelarja Merkel pret të mbahet takimi i krerëve të BE me presidentin Xi Jinping, edhe pse data e përcaktuar në shtator u anulua për shkak të pandemisë së Coronës. Pikërisht në kohën e zgjedhjeve presidenciale amerikane një takim i tillë do të ishte një provokim diplomatik. Trump nuk është i ftuar. Si vëzhgues ai vetëm mund të shkruajë në twitter.

Shpresa më 3 nëntor

Nëse administrata e Donald Trump largohet më 3 nëntor, me gjasë marrëdhëniet mes SHBA dhe Gjermanisë do të normalizohen shumë shpejt sërish. Sfiduesi i Trumpit, Joe Biden e kupton, se Gjermania ka interesat e saj dhe mund t’i ndjekë ato. (dw)

1 komente në “ANALIZA: Ndëshkim për Gjermaninë e pabindur”

  1. american16al says:

    E keni gabim, Gjermania hiqet si e persekutuar nga USA , kjo nuk eshte e vertete, plasaritjet midis tyre kane filluar qe me administraten e Bush te vogel. Qe nga lufta e dyte e gjirit ku Gjermania nuk pranoje te marri pjese ne operacionet tokesore te luftes filluan percarjet e para dhe me vone vazhduan duke u thelluar. Gjermania eshte kali trijes se Rusise dhe americanet nuk jane budallenj, asnje president nga Bush e me vone nuk ka bere vizite zyrtare ne Gjermani, sa per Trump, ai vetem se vazhdon te njenjten rruge por nuk ka dorashka prandaj duket me qarte…!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje