Zjarret në Tiranë, Goxhaj apel për kujdes me bombolat e gazit: Parkimet pa kriter pengojnë ndërhyrjet e zjarrfikësve

26 Korrik 2026, 09:35Sociale TEMA
Zjarret në Tiranë, Goxhaj apel për kujdes me bombolat e gazit:

Ngjarje nga zjarret në zonat urbane në Tiranë nuk janë nën ritmin e atyre të dimrit, por ka pasur vatra zjarresh nga pakujdesia në zonat periferike.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Shkëlqim Goxhaj u bën apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë sallën e shërbimit.

Kemi pasur pothuajse dy ose tre ngjarje çdo ditë, por deri tani, fatmirësisht, pa përmasa të mëdha, pasi shërbimi zjarrfikës ka reaguar menjëherë. Të gjitha këto vatra zjarri kanë qenë pranë zonave të banuara dhe ne i konsiderojmë si zjarre të shkaktuara nga pakujdesia.

Për këtë arsye, u bëjmë thirrje qytetarëve që, nga fillimi i verës e deri në muajt e vjeshtës, të mos përdorin zjarrin për asnjë arsye që nuk është e domosdoshme.

Kemi pasur edhe ngjarje në zonat urbane, por kryesisht bëhet fjalë për dëmtime të tendave të ballkoneve dhe banesave, të shkaktuara nga pajisjet elektrike, bokset elektrike, mbingarkesa e rrjetit apo përdorimi i kondicionerëve.

Nuk kemi pasur shumë incidente që lidhen me bombolat e gazit, pasi ato përdoren më tepër gjatë stinës së dimrit, jo vetëm për gatim, por edhe për ngrohje. Problematike mbeten bombolat pesëlitërshe me ngjyrë portokalli, të njohura si bombolat e kampingut.

Qytetarët duhet të përdorin bombola universale, të cilat mbushen vetëm në pikat e licencuara dhe tregtohen në pikat e karburanteve në territorin e Bashkisë së Tiranës. Ata nuk duhet t’i rimbushin bombolat në pikat e autogazit”, apelon Shkëlqim Goxhaj, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës.

Problem për ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse mbeten parkimet ka kriter, në disa zona të kryeqytetit.

“Kemi disa zona problematike, por për momentin mund të veçojmë zonën e vjetër të Tiranës, midis Rrugës së Kavajës dhe Rrugës Myslym Shyri. Lagjet e reja kanë ardhur duke u rregulluar nga viti në vit. Ajo që do të theksoja është parkimi i automjeteve. Nëse automjetet parkohen në vendet e përcaktuara nga urbanistika, atëherë nuk do të kemi probleme”, shprehet ai.

Aktualisht qarku i Tiranës mbulohet nga 8 stacione të shërbimit zjarrfikës dhe në dispozicion janë afro 25 mjete zjarrfikëse. /rtsh.al

Lini një Përgjigje