Punimet për ndërtimin e Bypass-it të Sarandës vijojnë me ritme intensive, ndërsa projekti po merr formë dita-ditës. Me një gjatësi prej rreth 5 kilometrash, bypass-i do të krijojë një hyrje dhe dalje të re për qytetin, duke transformuar mënyrën e lëvizjes drejt një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike të vendit. Ky investim do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve, do të reduktojë trafikun në rrugët ekzistuese dhe do të ofrojë akses më të shpejtë e më të sigurt, sidomos gjatë sezonit veror, kur Saranda pret mijëra vizitorë nga Shqipëria dhe jashtë saj.
Një nga veprat më të rëndësishme të projektit është tuneli 750 metra i gjatë, një zgjidhje inxhinierike që rrit standardet e sigurisë dhe përmirëson ndjeshëm lëvizshmërinë në këtë aks. Me përfundimin e bypass-it, hyrja në Sarandë pritet të jetë më e organizuar, duke shmangur bllokimet e trafikut që krijohen në kulmin e sezonitturistik. Vizitorët do të kenë një akses më të lehtë dhe më të shpejtë drejt qytetit, plazheve dhe zonave turistike, ndërsa banorët do të përfitojnë nga një qarkullim më i lirshëm në përditshmëri.
Bypass-i i Sarandës është një investim që jo vetëm modernizon infrastrukturën rrugore, por forcon edhe potencialin turistik të qytetit, duke e bërë atë më të aksesueshëm, më funksional dhe më tërheqës për çdo vizitor. Kostoja për këtë projekt, është 34 milionë euro. Studimi i trafikut i zhvilluar nga konsulentët tregon se gjatë periudhës së verës, në hyrje dhe dalje të qytetit qarkullojnë mesatarisht rreth 25000 automjete në ditë, duke e kthyer Qafën e Gjashtës, në një pikë problematike në drejtim të qarkullimit të automjeteve.
Lini një Përgjigje