Beci: Muzeu i Drishtit në Postribë është gati të presë vizitorë (VIDEO)

25 Korrik 2026, 15:23Kulturë TEMA
Beci: Muzeu i Drishtit në Postribë është gati të

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci informoi dje se Muzeu i Drishtit në Postribë është gati të presë vizitorë.

Muzeu i Drishtit iu nënshtrua një rikonstruksioni të plotë si edhe muzealizimit. Në një postim në rrjetet sociale, Beci e cilësoi këtë muze si, një prej dëshmive më të vyera të historisë së kësaj zone, që i jep jetë një hapësire që ruan, promovon dhe rrëfen trashëgiminë tonë kulturore.

“Muzeu i Drishtit është një vlerë për komunitetin dhe identitetin e zonës, por edhe një destinacion i ri kulturor që pasuron ofertën historike e turistike të Bashkisë Shkodër, duke ftuar vizitorët të zbulojnë një tjetër copëz të historisë sonë”, u shpreh kryebashkiaku Beci.

Muzeu gjendet në Kalanë e Drishtit, rreth 15 km nga qyteti i Shkodrës. Kjo është ndër të paktat kala në Shqipëri në të cilat ende banohet. Në një lartësi rreth 800 m mbi nivelin e detit, në ambientet e brendshme të saj ndodhen disa shtëpi banimi. Kalaja e Drishtit është ngritur në shekullin XIII si një fortesë bizantine dhe mban statusin Monument Kulture që prej 1948-s.

Gjendet në një distancë prej 6 km nga Ura e Mesit mbi lumin Kir, një tjetër monument kulture tepër i njohur dhe i frekuentuar. Si Kalaja e Drishtit ashtu dhe Ura e Mesit përfshihen në territorin e njësisë administrative të Postribës në Shkodër. A.K./TemA

Lini një Përgjigje