Gjigandi që nxorri deti

24 Korrik 2026, 17:25Kulturë Ardian Vehbiu

Sot rastisa të lexoj një tregim nga një autor që e çmoj shumë – J.G. Ballard-i. I vitit 1964, tregimi titullohet “Gjigandi i mbytur” (“The Drowned Giant”, mund të lexohet falas këtu). Protagonisti, që është shkencëtar, rrëfen si një ditë, pas një stuhie, banorët e një qyteti të vogël bregdetar gjejnë të shtrirë në plazh trupin e një gjigandi të mbytur, të stërmadh. Diçka si Guliveri në bregdetin e liliputëve, por këtë herë Guliveri është i vdekur.

Njerëzit mblidhen për ta kundruar trupin që ka nxjerrë deti, të mbushur me frikë dhe adhurim, si të ishte një relike me vlerë të paçmuar. Ekspertët marrin mostra dhe bëjnë matje. Gjigandi i vdekur nuk thotë dot asgjë për prejardhjen dhe jetën e tij, dhe as mund të kuptohet pse ka përfunduar në atë plazh. Thjesht u ofrohet shqisave bujarisht dhe i fton kundruesit e panumërt që të filozofojnë.

Kalojnë javë, pa ndodhur asgjë. Adhurimit të djeshëm ia zë vendin kurioziteti banal – fëmijët ngjiten në trupin e gjigandit, vizitorët gërvishtin mesazhe në lëkurën e tij (ndonjëri edhe një svastika, që ndonjëherë pretendon të trajtohet si graffiti i shkallës zero). Ngaqë nuk shpjegojnë dot, njerëzit e normalizojnë praninë e kësaj gjëje në botën e tyre duke e trajtuar si një atraksion, një spektakël më tepër.

Dalëngadalë banorët fillojnë të shkëputin copa nga trupi – një krah, një kërci, një faqe brinjësh. Rrëfimtari na thotë që dikur vuri re që gjigandit ia kishin shkulur edhe kokën, për t’ia çuar kushedi ku, në ndonjë klub privat a në ndonjë bahçe. Eshtrat e tij fillojnë të mbijnë, si ornamente, në dyqanet dhe shtëpitë përreth. Kërbishtet shfaqen një ditë në të dy anët e portës së madhe të tregut të gjësë së gjallë. Një femur përfundon diku afër skelës. Dora e majtë, e mumifikuar, parakalohet me bujë në paradën vjetore të zejeve. Nofulla e poshtme gjen strehë në muzeun e historisë natyrore. Ashtu fragmentet e trupit u shpërndanë në qytet dhe atje mbetën edhe pasi banorëve iu turbullua kujtesa aq sa të fillonin ta ngatërronin gjigandin me karkasën e një balene çfarëdo.

Gjithsekush ia gjen përdorimin mbeturinave të karkasës, përfshi këtu edhe kujtimin e shfaqjes së tij buzë detit. Sado e jashtëzakonshme të kish qenë ngjarja, mediokriteti i provincës ia arriti që ta normalizonte, duke e sistemuar në kallëpet mendore ekzistuese. Nëse disa mund të kenë pyetur në fillim se çfarë ishte ky gjigand, nga vinte dhe mos do të vinin pas tij edhe të tjerë, të vdekur dhe të gjallë; nëse ndokujt mund t’i jetë kujtuar vargu 6:4 nga Zanafilla, që thotë “Kishte gjigantë mbi tokë në ato kohë” dhe mund të ketë menduar se botës po i vjen fundi; por tek e fundit as autoritetet nuk tregojnë ndonjë interes kushedi çfarë – bëjnë atë pak që duhet të bënin, dhe vazhdojnë punët e tyre gjetiu. Gjigandi i përket tashmë së kaluarës, në një univers të sheshtë, që së kaluarës nuk i bën dot vend.

Në universin absurd ku shpaloset rrëfimi i Ballard-it nuk ka hapësirë as për të jashtëzakonshmen, për sublimen, për enigmën si mishërim dhe prani. Edhe shkencëtari i paemër, që përshkruan me hollësi pamjen e trupit të gjigandit, nuk shtyhet larg me spekulimet e tij – sikur vetë mendimi dhe kurioziteti t’i ishin mpiksur nga kjo krisje e përbindshme e rutinës. Te Swift-i, liliputët menjëherë u munduan ta shfrytëzojnë Guliverin për synimet e tyre; por te tregimi i Ballard-it një kolos i vdekur, sado i madh të jetë, është thjesht diçka që zë vend. Madje zë vendin që nuk i takon.

Për shkak të përmasave të parrokshme, gjigandi i vdekur nuk i përket askujt dhe mund të shfrytëzohet vetëm duke u plaçkitur në nivelin më të ulët të mundshëm, duke e copëtuar. Disa prej vendësve ia marrin edhe dhjamin, me të njëjtën teknologji primitive që përdoret për balenat e ngordhura. I ndarë copash dhe i gjymtuar, trupi fillon të qelbet dhe t’i shtyjë larg vetes kureshtarët. Nëse këta nuk e kuptuan dot kurrë arsyen e tij për së gjalli, tani ndoshta e kanë më të lehtë ta qasin mes tyre të vdekur, edhe pse të pakallur.

Në rolin aq të vetë-penguar të përshkruesit, protagonisti i tregimit i qaset trupit të gjigandit të mbytur si të ishte ky një statujë e kalibrit të Kolosit të Rodit, një monument kushtuar ambicies biologjike, i tillë që t’i bëjë soditësit ta përjetojnë ekzistencën e tyre si insekte. Lexuesit i sugjerohet e njëjta marrëdhënie esenciale e trupit të vdekur me statujën, së njëjtës që më pas do t’i shërbejë si themel esesë së Michel Serres-it për statujat. Nga ana tjetër, edhe distanca mes një statuje të stërmadhe dhe trupit të Zotit vjen e zvogëlohet, për të arritur zeron.

Vite më pas, James Morrow do të shkruante romanin Towing Jehovah, me kufomën e Zotit që tashmë pluskon në oqean dhe që duhet çuar sa më shpejt në Arktik, për ta mbrojtur nga dekompozimi. Edhe atje diviniteti shpërbëhet paralelisht me nekrotizimin e indit të gjallë. Romani u pasua nga dy të tjerë, për të përftuar një trilogji, e cila përfundon me imazhin e kafkës së Zotit në orbitë rreth Tokës, duke përhapur një “murtajë” të vetëdijes së vdekjes.

Por Ballard-it nuk i interesonte ajo lloj satire, që pastaj do të ushqejë virtuozitetin e Morrow-t; tregimi i tij zë vend në një traditë filozofike spekulative, ku gjërat e mbetura pa zgjidhje dhe pyetjet e mbetura pa përgjigje janë pjesë e arsyes narrative. Prandaj masa e soditësve të gjigandit të mbytur, në tregim, nuk e pranon trupin në plazh as edhe vetëm si statujë, shënjuese e modestisë së ekzistencës. E bën pjesë të “historisë” thjesht duke e shkatërruar, më parë në hapësirë pastaj edhe në kohë (si kujtim dhe si gjurmë).

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.

Lini një Përgjigje