Për vite me radhë, Sali Berisha është akuzuar edhe nga figura të Partisë Demokratike se e ka shndërruar PD-në në një parti të kontrolluar nga një njeri i vetëm, duke e përdorur për interesat e tij politike dhe familjare. Pasojat e kësaj situate janë të dukshme edhe sot. Ndërsa mijëra qytetarë protestojnë kundër qeverisë, opozita nuk po ka asnjë shans të kthehet në alternativën ku mund të kanalizohet pakënaqësia qytetare. Për kryeministrin Edi Rama, një opozitë e tillë, e akuzuar dhe sulmuar njësoj si qeveria, është një aleat i rëndësishëm që i zgjat jetën politike.
Por kjo nuk është hera e parë që kundërshtarët politikë të Berishës e shohin atë si “garanci” për qëndrimin e tyre në pushtet. Më shumë se dy dekada më parë, në kulmin e akuzave për korrupsion dhe keqqeverisje ndaj kabinetit socialist, edhe kryeministri i atëhershëm Fatos Nano e shprehte hapur këtë bindje. Refuzoi t’u përgjigjej akuzave të forta për korrupsion, konflikt interesi dhe lidhje me krimin, dhe Nano zgjodhi një përgjigje politike që mbeti ndër më të kujtuarat e parlamentit shqiptar: “Saliu është dhurata ime e Perëndisë, nuk ka asnjë shans të normalizohet.”
Debati zhvillohet në vitin 2003, në një periudhë kur qeveria Nano përballej me kritika të forta nga opozita, shoqëria civile, por edhe ish-drejtues socialistë, si dhe partnerët ndërkombëtarë, për nivelin e korrupsionit dhe cilësinë e qeverisjes. Megjithatë, pavarësisht presionit politik, socialistët e çuan mandatin deri në fund. Në seancën parlamentare që sjell “Tema”, përplasja mes Berishës dhe Nanos:
Sali Berisha – Të nderuar deputetë!
“Apologjia e vjedhjes shtetërore dhe qeveritare, apologjia e krimit monstruoz dhe ekonomik sapo mbaroi. Kryetari i Qeverisë këtë radhë dhe në këtë seancë deklaroi këtu se, personalisht, ndjehet jashtë çdo konflikti interesash. Do t’i drejtoj disa pyetje, jo atij, por publikut shqiptar:
A nuk përbën konflikt interesash, në qoftë se pranon dhuratë benzinë prej 370 mijë eurosh?
A nuk përbën konflikt interesash një dhuratë e tillë dhe a nuk lartësohesh në krye të piramidës së ryshfeteve, kur jo Sali Berisha, por Banka Botërore deklaroi një muaj më parë – në raportin e saj – se ryshfeti në administratën e Fatos Nanos është tamam 1,4 miliardë dollarë?
Këtu dole siç je, qesharak dhe në shumë raste vetëdepersonalizim total. Ti del këtu e u thua shqiptarëve se unë nuk kam biznese, por i ka “vetja ime”, në një kohë që shqiptarët e dinë të gjithë se “Nano-Kopter” është krijuar mbi bazën e kontrabandës sate me helikopterë, në një kohë kur shqiptarët e kanë të qartë se klientët e kësaj kompanie, 70% e tyre, janë trafikantët e drogës, që lëvizin ngarkesat e kokainës dhe heroinës në të dy drejtimet: në drejtim të Korfuzit dhe të Kukësit.
Të dalësh këtu dhe të thuash se unë nuk kam biznese, në një kohë kur kompania jote e autobusëve regjistron një fitim 120%, t’u deklarosh qytetarëve shqiptarë se unë, Fatos Nano, nuk kam biznese, në një kohë kur ti bën pushimet më të kushtueshme në Europë, t’u deklarosh qytetarëve shqiptarë se Kushtetuta nuk pengon ministrat të përfitojnë, edhe pse këtë duhet ta afirmojë Gjergj Abdia e jo ti, do të thotë të përpiqesh të fshihesh prapa gjethes së fikut.
Zotëri, më duhet të të them se gjethja e fikut të ka rënë me kohë. Ke muaj, madje ke vite që vërtitesh lakuriq në skenën politike shqiptare. Flet në këtë mënyrë, në një kohë kur në qeverisjen tënde dhe të këtij kabineti Shqipëria ngjiti 40 shkallë në shkallaren e turpit të korrupsionit. E more në vendin e 82-të, e ke ngjitur në vendin e 108-të dhe shpejt shifra do të rritet”, shprehej Berisha në Parlament.
Në përgjigje të tij, kryeministri socialist i kohës, Fatos Nano, as që merr mundimin t’i përgjigjet për akuza konkrete, por e përmbledh me pak fjalë, ku kryesorja është: Saliu është dhurata ime e Perëndisë që nuk ka asnjë shpresë të normalizohet.
Fatos Nano – Atëherë, Sali, të falënderoj nga zemra që vazhdon të na japësh prova, je gati që me marrëzinë tënde të marrësh në qafë të gjithë, që me babëzinë tënde për t’u rikthyer në abuzimin me institucionet demokratike, je gati të shkelësh Kushtetutën dhe ligjet.
Duro, duro! Po, duro se do durosh edhe shumë vjet të tjera në opozitë, kështu që mos u ngut.
Je gati të godasësh shtetin me grusht, siç bëre aty në foltore. Atëherë, të nderuar teleshikues, dhurata ime e Perëndisë nuk ka asnjë shpresë të normalizohet.
Faleminderit për vëmendjen!
TemA
Lini një Përgjigje