Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur zgjerimin e portit të Nome-s, qytetit më verior të vendit, në një projekt që synon ta shndërrojë atë në një nyje strategjike për praninë amerikane në Arktik, mes rivalitetit në rritje me Rusinë dhe Kinën.
Punimet përfshijnë thellimin e baseneve portuale deri në rreth 14 metra, pothuajse dyfishin e thellësisë aktuale, si dhe zgjatjen e molove me mijëra blloqe shkëmbore. Projekti do t’i mundësojë portit të presë anije shumë më të mëdha, përfshirë akullthyes të fuqishëm dhe, nëse është e nevojshme, edhe mjete të lidhura me sigurinë kombëtare amerikane.
“Kjo vepër do të na lejojë të presim shumë më tepër anije të tonazhit të madh. Më në fund do të mund të ankorohen edhe akullthyesit, të cilët janë të domosdoshëm, duke qenë se Rusia ka dhjetëra të tillë, ndërsa ne vetëm pak,” deklaroi kryebashkiaku i Nome-s, Kenny Hughes.
Sipas të dhënave zyrtare, Rusia disponon më shumë se 40 akullthyes në rajonin e Arktikut, Kina të paktën pesë, ndërsa SHBA vetëm tre. Për këtë arsye, zgjerimi i portit konsiderohet pjesë e strategjisë amerikane për të forcuar praninë në një rajon që po fiton rëndësi gjeopolitike për shkak të shkrirjes së akujve nga ndryshimet klimatike.
Pozicion strategjik pranë Rusisë
Nome ndodhet vetëm 289 kilometra nga gadishulli rus i Siberisë, rreth 220 kilometra nga Rrethi Polar Arktik dhe 170 kilometra nga Ngushtica e Beringut. Pozicioni i tij e bën portin një pikë ideale për monitorimin e trafikut detar që kalon nga Oqeani Atlantik drejt Paqësorit përmes rrugëve veriore.
Qyteti ka më pak se 4 mijë banorë, ndërsa me fshatrat përreth popullsia arrin në rreth 10 mijë. Megjithatë, projekti ka ndarë komunitetin lokal. Një pjesë e banorëve e shohin zgjerimin si mundësi për zhvillim ekonomik, ndërsa të tjerë, veçanërisht komunitetet vendase Inuit, paralajmërojnë se ndërtimet do të dëmtojnë një nga ekosistemet më të paprekura të planetit.
“Ngrohja globale ka ndryshuar ekuilibrat natyrorë dhe jetën e komuniteteve vendase. Duhet të shmangim çdo ndërhyrje që mund të përkeqësojë situatën”, tha drejtoresha e gazetës lokale The Nome Nugget. Nga ana tjetër, kryebashkiaku Hughes argumenton se këto ndryshime janë pjesë e proceseve natyrore dhe se zhvillimi ekonomik nuk duhet të ndalet.
Rritet aktiviteti rus dhe kinez në Arktik
Autoritetet portuale thonë se vitet e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e aktivitetit detar rus dhe kinez në Arktik, përfshirë edhe stërvitje të përbashkëta ushtarake.
“Po shohim gjithnjë e më shumë anije ruse dhe kineze që operojnë në këto ujëra. Në disa raste ato kanë larguar edhe anijet tona të peshkimit. Aktualisht, pranë ishullit rus të Diomedes së Madhe ndodhet akullthyesi kinez Xue Long 2, që sipas Pekinit është në një mision shkencor, por askush nuk mund të përjashtojë mundësinë që të kryejë edhe aktivitete të inteligjencës,” u shpreh drejtuesi i portit, Lucas Stott.
Nga bashkëpunimi te rivaliteti ushtarak
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Arktiku ishte shndërruar në një zonë bashkëpunimi ndërkombëtar. Në vitin 1996 u krijua Këshilli Arktik me tetë shtete anëtare për të promovuar mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Megjithatë, pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 i dha fund këtij bashkëpunimi. Lufta kibernetike, përdorimi i dronëve, kërcënimet ndaj kabllove nënujore dhe militarizimi i rajonit kanë ndryshuar tërësisht situatën. Këshilli Arktik është praktikisht i paralizuar, ndërsa anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO ka thelluar më tej ndarjet mes Rusisë dhe Perëndimit.
Ekspertët paralajmërojnë se shkrirja e akujve po hap rrugë të reja detare dhe po shton interesin për burimet natyrore të rajonit, duke e kthyer Arktikun në një nga zonat më të rëndësishme të konkurrencës strategjike globale.
Në këtë kontekst, porti i Nome-s pritet të marrë një rol gjithnjë e më të madh në infrastrukturën ushtarake dhe logjistike të SHBA-së, me mundësinë që në të ardhmen të shndërrohet në një bazë të avancuar për operacionet amerikane në Arktik.
Lini një Përgjigje