Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të menjëhershme të shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme në shtetin amerikan të Virxhinias Perëndimore, njoftoi zyra e guvernatorit.
Këto janë viktimat e para të konfirmuara nga stuhitë që goditën zonën të martën. Sipas meteorologëve, në disa rajone ranë deri në 18 centimetra reshje, ndërsa guvernatori bëri të ditur se në një zonë u regjistruan 11.4 centimetra shi në vetëm 37 minuta, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme.
Autoritetet në pjesën veri-qendrore të Virxhinias Perëndimore e kanë cilësuar situatën si shumë të rëndë, me dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe prona.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë automjete të përmbytura në parkingje, ndërsa uji me baltë depërtoi edhe në ambientet e një supermarketi Walmart në qytetin Weston.
Përmbytjet kanë lënë gjithashtu disa zona të bllokuara dhe pa energji elektrike, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet për vlerësimin e dëmeve dhe ndihmën ndaj banorëve të prekur.
Lini një Përgjigje