Një seancë e shtatorit 2005, kur PD kishte pak muaj që kishte marrë pushtetin, sjell një debat që sot lexohet ndryshe. Në qendër të tij janë kryetarja e atëhershme e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Në debat përfshijhet edhe kryetari I LSI-së Ilir Meta.
Në atë seancë përplasen dy tema që edhe pas dy dekadash vazhdojnë të dominojnë jetën parlamentare: kufizimi i imunitetit të deputetëve në emër të luftës kundër korrupsionit dhe e drejta e opozitës për të ngritur komisione hetimore.
Debati nis pasi Ilir Meta paralajmëron se LSI do të mbështeste çdo nismë për kufizimin e imunitetit të deputetëve, por kërkon që kjo të bëhej përmes ndryshimeve kushtetuese dhe jo me një projektvendim të Kuvendit. Topalli ndërhyn menjëherë për të sqaruar se seanca nuk ishte thirrur për të diskutuar përmbajtjen e nismës, por vetëm kalendarin trejavor të punimeve.
Ajo shpjegon se nuk bëhej fjalë për heqje të imunitetit, por për kufizimin e tij vetëm në rastet e hetimit për korrupsion dhe shpërdorim detyre, duke këmbëngulur se nisma nuk binte ndesh me Kushtetutën dhe se synonte t'u jepte institucioneve të drejtësisë mundësi të vepronin pa pengesa procedurale.
Por replika më e fortë nuk vinte nga Meta. Ajo vinte nga opozita socialiste. Gramoz Ruçi akuzon Topallin se po sillej më shumë si nënkryetare e Partisë Demokratike sesa si kryetare e Kuvendit.
"Ju jeni Kryetarja jonë, por ende flisni si nënkryetare e Partisë Demokratike. Nuk mund të bëheni as avokate, as prokurore, as gjyqtare dhe as zëdhënëse e askujt, vetëm e Rregullores", i drejtohet ai nga foltorja. Por thelbi i debatit nuk ishte vetëm imuniteti. Ruçi kujton se në Konferencën e Kryetarëve ishin paraqitur dy kërkesa: njëra nga Partia Demokratike për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe tjetra nga Partia Socialiste për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
Sipas tij, kërkesa e opozitës socialiste plotësonte Kushtetutën, ligjin për komisionet hetimore dhe Rregulloren e Kuvendit, megjithatë nuk ishte futur në rend dite. Ai akuzon Topallin se po përdorte "dy standarde": një projektvendim që, sipas opozitës, kishte probleme kushtetuese procedohej menjëherë, ndërsa kërkesa për komision hetimor shtyhej me argumentin e procedurave. "Një kërkesë nuk shtrohet fare, ndërsa për tjetrën bëheni zëdhënësja dhe avokatja e saj", deklaronte Ruçi. Përgjigjja e Topallit ishte tërësisht procedurale.
Ajo shpjegoi se ligji për komisionet hetimore e detyronte Kryetaren e Kuvendit që brenda pesë ditëve të mblidhte Konferencën e Kryetarëve për të shqyrtuar kërkesën dhe se nuk mund të vepronte jashtë afateve ligjore. Madje, Topalli zbuloi se kërkesa e socialistëve ishte kthyer për t'u riformuluar, pasi sipas saj kishte probleme në përcaktimin e objektit të hetimit. Versioni i korrigjuar ishte depozituar vetëm pak orë para seancës dhe, sipas saj, pesëditëshi ligjor sapo kishte nisur. Në atë moment, argumenti i shumicës ishte se procedura nuk mund të anashkalohej, edhe nëse opozita kërkonte ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor.
Dy dekada më vonë, rolet janë përmbysur. Sot është Partia Demokratike ajo që akuzon mazhorancën socialiste për bllokimin e komisioneve hetimore parlamentare dhe për përdorimin e procedurave si mekanizëm pengues ndaj opozitës. Ndërsa socialistët mbrojnë shpesh të njëjtat argumente procedurale që në vitin 2005 përdorte Jozefina Topalli nga karrigia e kryetares së Kuvendit. Arkivat parlamentare tregojnë se debati për komisionet hetimore nuk është i ri. Kanë ndryshuar vetëm protagonistët. Argumentet kanë mbetur pothuajse të njëjta. Edhe debati për imunitetin e deputetit dëshmon të njëjtën vazhdimësi. Në vitin 2005 kufizimi i imunitetit paraqitej si arma kryesore kundër korrupsionit, por opozita kërkonte që kjo të bëhej përmes ndryshimit të Kushtetutës dhe jo me vendime politike të Kuvendit. Njëzet vjet më pas, shumë nga protagonistët e asaj seance vazhdojnë të jenë në politikë, ndërsa debatet për imunitetin, komisionet hetimore dhe respektimin e procedurave parlamentare mbeten po aq aktuale sa atëherë.
Parlament tetor 2005
Ilir Meta - Zonja Kryetare,
Lidhur me projektvendimin për lënien e imunitetit të deputetëve, dua të theksoj se ne jemi të gatshëm të mbështesim çdo nismë në luftën kundër korrupsionit. Jemi të gatshëm që edhe për çdo çështje që mund të lidhet me ne si deputet, pra me grupin tonë parlamentar, të votojmë symbyllur çdo kërkesë për heqje imuniteti dhe besojmë se kjo do të jetë në ndërgjegjen e çdo deputeti në këtë sallë për çdo akuzë të bërë në drejtim të tij, por kam përshtypjen që kjo nuk është thjesht çështje projekvendimi ose projektligji, por është një çështje që ka të bëjë me Kushtetutën e vendit dhe çdo anashkalim i Kushtetutës nëpërmjet projektvendimeve ose projektligjeve mund të krijojë precedentë të rrezikshëm që këto shkelje të bëhen edhe për raste të tjera në të ardhmen. Ndaj kam përshtypjen që do të ishte mirë të ndërmerrej një nismë për amendimin e Kushtetutës për këtë çështje, në mënyrë që deputeti, si çdo qytetar tjetër, të mos ketë asnjë lloj imuniteti për çdo çështje që ka të bëjë me korrupsionin apo me zbatimin e ligjit. Ndryshe kam shqetësimin se mund të kalojmë në projektvendime të karakterit propagandistik dhe besoj se lufta kundër korrupsionit nuk ka nevojë vetëm për propagandë, pasi ka 15 vjet që të gjithë janë lodhur nga propaganda dhe nismat që nuk sjellin asnjë gjë konkrete.
Falemnderit!
Jozefina Topalli - Falemnderit, zoti Meta!
Me sa shoh, tani është hyrë në përmbajtjen e projektvendimit. Në fakt, kjo seancë nuk është për të diskutuar përmbajtjen e projektvendimit. Kjo seancë është për të diskutuar kalendarin e punës, ku ky projektvendim është përfshirë brenda afatit trejavor.
Jam e detyruar të sqaroj se projektvendimi nuk është heqje e imunitetit të deputetëve, është lënie e imunitetit në kuptimin e kufizimit të imunitetit të deputetëve vetëm për t’u dhënë mundësi hetimi dhe ndjekjeje penale institucioneve të pavarura për rastin e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës. Është e përjashtuar çdo tentativë për të kufizuar liritë e deputetit, për ta kontrolluar fizikisht deputetin, për të kontrolluar banesën e tij. Të gjitha procedurat e tjera që kanë lidhje me heqjen e imunitetit, u mbeten procedurave, duke respektuar Kushtetutën, statusin e deputetit dhe në vullnetin dhe votën e seancës plenare, ashtu siç është bërë gjatë gjithë viteve.
I vetmi qëllim i këtij projektvendimi të futur në këtë seancë për të hyrë në kalendar është vullneti për të luftuar korrupsionin, që është kthyer në një sistem endemik në Shqipëri, që e ka rreshtuar Shqipërinë në vendin e parë për korrupsion, duke kaluar në nivelin më të sofistikuar dhe të rrezikshëm të tij, që quhet ‘state capture’. Në fakt, ky projektvendim, përveçse një shprehjeje të vullnetit, natyrisht ka të bëjë me një raport me ndërgjegjen e deputetit dhe nuk ka asgjë që bie ndesh me Kushtetutën. Gjithsesi, unë përshendes çdo ide që avancon akoma më tej luftën kundër korrupsionit dhe që mund të çojë, siç thoni ju, deri në ndryshimin e Kushtetutës.
Edhe një herë ju vë në dijeni që kjo ishte thjesht për sqarim. Kjo seancë është vetëm për të parë kalendarin dhe e mira do të ishte që të mos hyjmë në përmbajtje. Ky projektvendim do të kalojë në komisionet parlamentare, do të bëhen aty debati dhe diskutimet e forta për çdo projektligj, në këtë rast edhe për këtë projektvendim, dhe pastaj do të bëhet diskutimi në seancë plenare, që i jep të drejtë çdo deputeti të diskutojë.
Fjalën e ka Zoti Ruçi.
Gramoz Ruçi - Falemnderit!
Më lejoni të shprehem për procedurën e kësaj seance dhe për problematikën e miratimit të kalendarit 3-javor.
Së pari, zonja Kryetare, ju jeni Kryetarja jonë. Por, me sa duket, ende, si në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe në konferencat e shtypit, edhe tani ju flisni si nënkryetare e Partisë Demokratike. Ju lutem, nuk ju kam zgjedhur unë atje. Ju mund të shkoni te selia të jepni konferenca shtypi në emër të Partisë Demokratike, por jo si Kryetare e Kuvendit. Aty jeni Kryetarja e këtij Parlamenti dhe duhet të ndjekësh të gjitha procedurat me ato atribute që t'i jep vetëm Rregullorja e Kuvendit. Ju nuk mund të bëheni as avokate, as prokurore, as gjyqtare dhe as zëdhënëse e askujt, vetëm e Rregullores.
Të vijmë te problemi konkret. Kishim dy kërkesa sot në takimin e Konferencës së Kryetarëve, të dyja me firma të deputetëve. Një kërkesë ishte nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, problemi që folën kolegët, një kërkesë tjetër ishte nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste për një komision hetimor. Kërkesa për komision hetimor i referohej nenit të Kushtetutës, pra ishte në përputhje me Kushtetutën, ishte në përputhje me ligjin “Për komisionet hetimore”, në përputhje edhe me nenin e Rregullores. Ju vetëm për saktësime dhe gabime ortografike, sipas jush, e kthyet për t'i plotësuar ato. Unë i plotësova brenda gjysmë orë dhe jua kam depozituar. Por sot kjo çështje nuk shtrohet fare, sepse, siç më thatë, do të prisni pesë ditë, duke zhvendosur datën nga e premtja, kur e kemi paraqitur ne, të hënën. Në rregull, do të durojmë edhe pesë ditë. Por, pse dy kute? Këtu paraqitet një kërkesë tjetër, për të marrë një vendim të Parlamentit, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i referohet asaj, nuk i referohet nenit përkatës të Rregullores dhe ju bëheni zëdhënësja dhe avokatja e saj. Ky është shqetësimi ynë. Prandaj kërkesa është që t’i gjykojmë gjërat me realizëm dhe në përputhje me Rregulloren, si Kryetare e Kuvendit, dhe të mos bëheni palë dhe interprete e pasioneve politike. Lidhur me akuzën se si luftohet korrupsioni, nuk luftohet korrupsioni as me propagandën tuaj, as me timen, as duke marrë vendime politike këtu në Parlament. Nëse duam të luftojmë korrupsionin le të nisemi që nga Kushtetuta, siç tha ndonjë koleg këtu, deri te ligji “Për konfliktin e interesave”, deri te imuniteti, por sipas shkallës të hiqen nga ligji themelor i shtetit, e kështu me radhë te ligji “Për imunitetin e deputetëve”. Rregullorja thjesht ka zbërthyer atë që thotë Kushtetuta. Ju niseni nga Rregullorja për një nen që është rrjedhim i një neni të Kushtetutës apo rrjedhojë e ligjit “Për imunitetin e deputetit” dhe ndryshoni Rregulloren. Nëse bëj unë një vendim apo një deklaratë këtu që e lë imunitetin; ja po e them: “unë Gramoz Ruçi e lë imunitetin e deputetit”. Cili është ai prokuror që duke pasur dy ligje, ligjin themelor të shtetit dhe një ligj tjetër organik të Parlamentit Shqiptar do të dalë mbi deputetin Gramoz Ruçi!? Asnjë. Ç’janë këto deklarata politike që bëhen këtu?
Jozefina Topalli – Falemnderit zoti Ruçi!
Është e drejta e kryetarit të grupit të diskutojë politikisht. Jam e detyruar të bëj një sqarim në respekt të Rregullores, të detyrës dhe të ligjit. Për projektligje që depozitohen në Parlament, qoftë edhe për projektvendime që depozitohen ato hyjnë menjëherë dhe nuk kërkojnë një diskutim të veçantë nga konferenca, megjithëse rasti i sotëm është diskutuar.
Në raport me kërkesën e kryetarit të grupi të opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor ka një ligj që më detyron, në nenin 7, pikën 1 të tij, ku thotë: “Kryetari i Kuvendit jo më vonë se 5 ditë nga data e marrjes së kërkesës mbledh Byronë e Kuvendit për të diskutuar. Është i vetmi rast ku më kërkohet mua mbledhja e konferencës për të diskutuar mbi kërkesën e nismëtarëve dhe pastaj për probleme të tjera. Dhe pika tjetër kërkesa paraqitet për miratim në seancën plenare më të afërt, por jo më vonë se 15 ditë.” Kjo është një kërkesë e ligjit që unë do t’i qëndroj korrekt.
Ju vë në dijeni se në datën 23 shtator më është depozituar një kërkesë nga opozita. Unë nuk doja që të hyja këtu në diskutim, meqenësë zoti Ruçi e hapi këtë çështje unë jam e detyruar që të përgjigjem. Unë i kërkova, jo të bëj korrigjime redaktoriale pavarësisht se dhe ajo kishte nevojë, kërkoja që të bëja korrigjime në koncept dhe në përmbajtje në lidhje me objektin e hetimit. E ndihmona me Drejtorinë Juridike për t’i dhënë të gjithë mbështetjen juridike për ta rihartuar këtë kërkesë. E kanë rikonsideruar. E kanë depozituar sot në orën 3:00. Unë e kam pasur në tryezë. Nuk kanë kaluar ende 5 orë, aq më pak 5 ditë. Unë jam e detyruar që brenda 5 ditëve të mbledh konferencën për të diskutuar për variantin e korrigjuar nga Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
TemA
Lini një Përgjigje