Dossier/ “Leshterikë ideologjish antidemokratike”, kur Dritëro Agolli kërkonte një brez të ri për demokracinë

8 Korrik 2026, 07:30Dossier TEMA
Dossier/ “Leshterikë ideologjish antidemokratike”, kur

Në muajt e parë të pluralizmit, kur Shqipëria po përpiqej të ndërtonte institucionet e para demokratike, debatet në Kuvend shpesh prodhonin momente që mbetën në kujtesë jo vetëm për peshën politike, por edhe për gjuhën e përdorur. Një prej tyre ishte ndërhyrja e shkrimtarit Dritëro Agolli gjatë diskutimit për projektligjin që synonte t'u jepte më shumë hapësirë në administratë dhe institucionet e reja personave të perndjekur politikw nga regjimi komunist.

Agolli e mbështeti parimisht nismën pwr pwrfshirjen sa mw shumw tw tyre nw institucionet ligjzbatues, duke theksuar se shumë prej të përndjekurve ishin njerëz me kulturë dhe aftësi të spikatura, të cilëve u ishte mohuar padrejtësisht e drejta për të kontribuar. Madje solli si shembull Leka Toton, për të cilin tha se ishte një njeri nga i cili "ke dëshirë të dëgjosh dhe të mësosh", pavarësisht vuajtjeve që kishte kaluar.

Por shkrimtari paralajmëroi edhe për rrezikun e emërimeve të nxituara vetëm për arsye politike, pa u bazuar te meritat dhe aftësitë profesionale. Sipas tij, një qasje e tillë jo vetëm që do t'u bënte dëm vetë ish-të përndjekurve, por do të ushqente zilinë dhe paragjykimet në shoqëri.

Pjesa më e veçantë e fjalës së Agollit lidhej me debatin për moshën e kandidatëve. Ai argumentoi se institucionet e reja kishin nevojë për energjinë e brezit të ri, duke propozuar që kufiri i moshës të ishte 30 vjeç, me përjashtime të rralla. Për ta ilustruar idenë, ai solli edhe shembullin e Napoleon Bonapartit, i cili ishte bërë perandor në moshën 30-vjeçare.

Por ishte një batutë që shkaktoi reagime dhe mbeti ndër frazat më karakteristike të atyre debateve. Sipas Agollit, të rinjtë kishin avantazhin se "nuk mbajnë mbi supe leshterikë ideologjish dhe pikëpamjesh të shtrembra antidemokratike". Një metaforë që synonte të shprehte nevojën për t'u shkëputur nga mentaliteti i trashëguar i regjimit komunist dhe për t'i hapur rrugë një brezi me mendësi të re.

Deputeti Dylber Vrioni e kundërshtoi këtë qasje. Ai argumentoi se aftësia për të shërbyer në institucionet demokratike nuk mund të matej me moshën biologjike, por me gjendjen fizike, psikike, morale dhe, mbi të gjitha, me përvojën. Sipas tij, vendi kishte nevojë për një ndërthurje mes energjisë së të rinjve dhe eksperiencës së brezave më të rritur, ndaj vendosja e një kufiri moshe nuk ishte e drejtë.

Debati pasqyron një nga dilemat e Shqipërisë së fillimviteve '90: sa duhej t'i besohej brezit të ri dhe sa duhej të mbështetej tranzicioni te përvoja e brezave që kishin jetuar dhe punuar nën regjimin komunist. Në atë diskutim, metafora e Dritëro Agollit për "leshterikët ideologjikë" mbeti një nga shprehjet më të spikatura të përballjes mes së shkuarës dhe aspiratës për një fillim të ri. Tema sjell pjesw nga debate nw parlament nw vitin 1992.

Dritëro Agolli – Unë jam dakord me projektligjin në përgjithësi.

Njerëzve që kanë vuajtur në sistemin totalitar u duhet dhënë e drejta e barazisë dhe për këtë ne të gjithë jemi dakord. Ndër ta ka njerëz të zotët, njerëz me mendje të vërtetë, të ndritur. Unë në një rast bisedoja pak kohë më parë me zotin Leka Toto, i cili ka qenë njeri i vuajtur. Atë ke dëshirë ta dëgjosh, ke dëshirë të kuvendosh me të, të ndjesh diturinë e tij, me gjithë vuajtjet që ka pasur. Por ne, duke i vënë poste dhe në përgjegjësi shpejt e shpejt, pa i studiuar dhe pa i marrë parasysh aftësitë, specializimin dhe personalitetin, ndonjëherë u bëjmë dëm atyre, sepse përhapim një mendim të shtrembër dhe ngjallim zili. Në popullin tonë ne duhet ta pranojmë që ka mjaft zili. Ka njerëz ziliqarë.

Njerëzit ziliqarë thonë: "Po na zënë vendet këta. U bënë edhe këta".  Këtu duhet të kemi kujdes të madh, t'i zgjedhim mirë, të zgjedhim njerëz me personalitet që të mos bëhemi shkaktarë të vuajtjes së tyre shpirtërore dhe të përhapim një opinion të keq. Jam plotësisht për mbrojtjen e këtyre dhe që të jenë vërtet dy pashë më lart sesa të tjerët. Në mes tyre ka njerëz shumë të zotë. Unë them që mosha nuk duhet të jetë shumë e thyer dhe s'ka pse ne ta politizojmë moshën. Mosha nga 30 vjeç e poshtë është e të gjitha llojeve, e partive, e fiseve, e dreqit dhe e shejtanit. Këtu s'ka pse të zemërohemi. Pse të zemërohemi me moshën. Ma merr mendja, që caktimi i moshës deri 40 vjeç është pak e madhe. Unë them më mirë që në këto organe të jetë deri në 30 vjeç. Mund të bëhen përjashtime deri në 40, se çdo ligj ka dhe përjashtimet e tij, por 30 vjeçari, 25 vjeçari ka moshën më vitale. Napoleon Bonaparti u bë perandor në moshën 30 vjeçare. Domethënë këta kanë mendjen më të qartë, janë më të pastër dhe nuk mbajnë mbi supe leshterikë ideologjish dhe pikëpamjesh të shtrembra antidemokratike.

Dylber Vrioni – Unë desha të tërheq vëmendjen në një fakt të thjeshtë. Më duket se çështjen e moshës ne e keqinterpretojmë. Në qoftë se është caktuar një limit moshe është caktuar sepse kuptohet se kandidati për të hyrë në këto organe duhet të ketë një kondicion të caktuar psikik, moral dhe fizik dhe nuk kemi pse ta absolutizojmë që kondicioni fizik, psikik dhe moral mund të plotësohet vetëm deri në moshën 30 vjeçare.

Mund të ketë njerëz që këtë kondicion mund ta ruajnë deri në moshën 50 vjeç. Njëra anë. Nga ana tjetër, këto organe them unë, përveç vitalitetit fizik dhe këtyre kondicioneve kërkojnë patjetër dhe një gërshetim me një eksperiencë, eksperiencë që e kanë moshat nga 30 deri në 50 vjeç.

Nga ana tjetër, do të desha të theksoj që ne nuk kemi të drejtën morale që t'i flakim këta njerëz dhe të mos i lejojmë, t'i mohojmë të drejtën që të marrin pjesë në reformën që po pëson vendi ynë. Ngul këmbë që këta njerëz e plotësojnë këtë kondicion e plotësojnë atë detyrë, atë zanat: kondicioni fizik, psikik dhe moral. Kështu që nuk kemi të drejtë dhe nuk duhet të vëmë asnjë limit për sa i takon moshës; mjafton që ata të plotësojnë këto kondicione.

TemA

Lini një Përgjigje