Më 19 dhjetor 1990, kur kishte rreth një javë që ishte rrëzuar diktatura dhe ishte shpallur pluralizmi politik, organet e Sigurimit të Shtetit vazhdonin veprimtarinë e tyre në kërkim dhe regjistrim të personave që arratiseshin nga Shqipëria. Ishte vala e re e sulmit të organizuar të Sigurimit të Shtetit që vinte pas ngjarjes së 2 korrikut 1990, kur 5 mijë shqiptarë u arratisën duke hyrë në ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë.
Në dosjen e Sigurimit të Shtetit për ngjarjen e 2 korrikut dhe çfarë e pasoi veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit, gjejmë detaje interesante të arratisjeve në forma e rrugë të ndryshme. Arratisja e mekanikut të anijes shqiptare që mbante emrin "Partizani", në një ishull afër Athinës, është një ndër njoftimet që i vinin drejtorisë së ngritur enkas për të gjurmuar arratisjet në gjysmën e dytë të vitit 1990 në Shqipëri. Një tjetër raportim vinte nga Stokholmi për arratisjen e një oficeri të anijes shqiptare "Arbëria".
Janë të shumta rastet e arratisjeve në vitin 1990, në rrugë të ndryshme. Shifrat u shtuan pasi regjimi kishte dekriminalizuar arratisjen, duke mos e konsideruar më si akt tradhtie ndaj atdheut, çka do të thoshte se nuk dënohej më me vdekje. Por, në të vërtetë, organet e Sigurimit të Shtetit dhe strukturat e larta të regjimit diktatorial kishin dhënë urdhër në pikat kufitare që çdo tentativë për arratisje të qëllohej dhe të vritej. Kështu, shifrat e vrasjeve në kufi janë alarmante. Shumë prej atyre shtetasve shqiptarë që u vranë në kufi, trupat nuk iu gjetën kurrë.
Lini një Përgjigje