Heshtja e drejtësisë si akt institucional

7 Korrik 2026, 09:00Blog Minella Aleksi

Historia na mëson se drejtësia nuk vdes domosdoshmërisht nga arbitrariteti i hapur. Më shpesh, ajo dobësohet nga një heshtje që paraqitet si maturi, nga një konformizëm që maskohet si disiplinë institucionale dhe nga një bindje e pashprehur se disa çështje nuk duhen prekur. Rrallëherë institucionet bien nga një vendim i vetëm. Rënia e tyre nis më herët, në momentin kur humbasin reflektimin mbi vetveten. Institucionet e drejtësisë janë ndërtuar mbi fjalën. Jo mbi çdo fjalë, por mbi fjalën që mban peshën e arsyes. Një vendim gjyqësor nuk është vetëm një përfundim; ai është një arsyetim. Një akt i prokurorit nuk është vetëm një procedurë; ai është një shpjegim i ligjit përballë shoqërisë. Prandaj, kur fjala mungon aty ku duhet të jetë, boshllëku nuk mbetet bosh. Ai mbushet me dyshim.
Historia shqiptare ka njohur periudha kur heshtja ishte mënyra më e sigurt për të mbijetuar. Breza të tërë u mësuan se kishte pyetje që nuk bëheshin, libra që nuk lexoheshin dhe mendime që nuk shqiptoheshin. Kjo ishte drama e një kohe kur njeriu nuk kishte frikë vetëm nga pushteti; ai kishte frikë edhe nga mendimi i vet.

Ne besuam se, me ndryshimin e sistemit, kjo kulturë do të mbetej pas. Por kulturat nuk ndryshojnë me të njëjtën shpejtësi si ligjet. Ligji mund të ndryshohet brenda një dite. Ndërgjegjja institucionale kërkon vite, për mentalitetin shqiptar duhen breza. Një institucion nuk dobësohet kur gabon. Gabimi është pjesë e natyrës njerëzore dhe sistemi juridik ka ndërtuar mekanizma për ta korrigjuar atë. Një institucion fillon të dobësohet kur nuk pranon më të diskutojë mundësinë se mund të ketë gabuar. Në vitet e fundit, në hapësirën publike janë ngritur diskutime juridike lidhur me proçedura dhe emërime në sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe rastin e Olsi Dados. Nuk është detyrë e opinionit publik të japë vendimin përfundimtar juridik. Por është detyrë e institucioneve të japin arsyetimin e tyre. Nëse ekziston një debat serioz mbi interpretimin e ligjit, përgjigjja nuk mund të jetë heshtja. Heshtja nuk është argument juridik. Por ama ka “Heshtje që lind nga urtësia” e cila është heshtje e vetëdijshme. Nuk është mungesë mendimi, por përzgjedhje. Njeriu nuk flet jo sepse nuk di, por sepse kupton se jo çdo moment kërkon fjalë. Kjo heshtje vjen nga maturia: nga aftësia për të dalluar kur fjala do të shtonte konfuzion, kur do të ishte e panevojshme, ose kur veprimi ka më shumë peshë se fjala. Është heshtja e atij që ka kontroll mbi veten dhe nuk reagon impulsivisht. Ajo nuk fsheh frikë, por përkundrazi, shpesh fsheh qartësi. Është një heshtje tjetër, “heshtja që lind nga frika” e cila nuk është zgjedhje, por tërheqje. Njeriu nuk flet, jo sepse e ka peshuar situatën, por sepse ka peshuar rrezikun, nga pasojat e mundshme. Në këtë rast, heshtja nuk është më shenjë force, dukshëm shënjë kufizimi. Të dyja këto lloj heshtjeje duken njësoj: mungesë fjale. Por brenda tyre fshihen dy botë të ndryshme: njëra është liri që zgjedh të heshtë, tjetra është frikë që nuk guxon të flasë. A po hesht sepse nuk është e nevojshme të flas, apo sepse nuk është e sigurt të flas? Dhe përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje tregon shumë për gjendjen e një individi, por edhe për gjendjen e një shoqërie. Sepse kur një shoqëri fillon të prodhojë më shumë heshtje nga frika sesa nga urtësia, atëherë nuk kemi më thjesht maturi kolektive, kemi një problem me lirinë e mendimit. Heshtja nga frika, autoçensura, nuk shpallet. Nuk shkruhet në asnjë ligj. Nuk miratohet në asnjë mbledhje. Ajo lind në çastin kur një profesionist i së drejtës mendon se është më e mençur të heshtë sesa të arsyetojë. Është një heshtje e qetë, pa zhurmë, pa urdhra dhe pa kërcënime të dukshme. Pikërisht për këtë arsye është e rrezikshme. Në daljen e tij nga heshtja, ish-presidenti Topi nuk e artikulon gabimin si fakt, por si hije të nënkuptuar të kujtesës politike. Kjo formë e të folurit nuk synon rrëfimin e përgjegjësisë, por menaxhimin e saj në hapësirën e kujtesës publike, ku e pathëna shpesh ka më shumë peshë se e thëna. Drejtësia nuk matet vetëm me aftësinë për të dënuar apo për të shpallur pafajësi. Ajo matet edhe me aftësinë për të duruar pyetjen. Në këtë rast pyetja nuk është armike e drejtësisë. Armiku i drejtësisë është frika nga pyetja.

Shpesh mendojmë se pushteti shfaqet vetëm në zyrat e politikës. Në të vërtetë, pushteti fillon të bëhet i rrezikshëm kur depërton në mendjen e institucioneve. Atëherë nuk ka më nevojë për urdhra. Mjafton një kulturë e heshtjes. Mjafton bindja se disa tema është më mirë të mos preken.

Në atë çast, drejtësia pushon së qeni një kërkim i së vërtetës dhe fillon të mbrojë qetësinë e vet.

Por drejtësia nuk është krijuar për qetësi. Ajo është krijuar për të zgjidhur konfliktin midis pushtetit dhe ligjit. Nëse zgjedh qetësinë përballë së vërtetës, ajo nuk mbron më ligjin; mbron Vetveten.

Kjo është arsyeja pse autoçensura është më e rrezikshme se çensura. Autoçensura është bërë pjesë e karakterit të institucionit. Ajo kalon nga një brez te tjetri pa lënë urdhra ose proçedura institucionale të shkruara. Ish Presidenti reflekton krenari me bollëk kur thotë që vjen nga fusha e shkencës, por me shprehje mimike dhe xhestikulacione të panevojshme, shkencëtari duket që e harron shprehjen “e shkrojtura mbetet”, Fillimisht humbet një pyetje. Pastaj një debat. Më pas një interpretim. Në fund humbet vetëbesimi se institucioni mund të korrigjojë veten. Një shtet nuk bëhet demokratik vetëm sepse ka gjykata të pavarura në letër. Ai bëhet demokratik kur gjyqtari dhe prokurori ndihen më të detyruar ndaj ligjit sesa ndaj rehatisë së institucionit. Kur e vërteta nuk shihet si rrezik për autoritetin institucional, por si burimi i vetëm i tij. Pyetja më e saktë në këtë rast është “pse po heshtin”? Pse akoma pas një kohe kaq të gjatë s'ka një vendimmarrje të publikuar që i përgjigjet pretendimeve?

Nëse ajo ekziston, atëherë nuk kemi heshtje, por një përgjigje që mund të mos jetë komunikuar në mënyrën që pritet në debat publik. Nëse nuk ekziston, atëherë debati zhvendoset te çështja e transparencës institucionale. Ndërkohë “Drejtësia” do ketë filluar të largohet, në heshtje nga frika.

Sidoqoftë koha e demaskon heshtjen që lind nga frika.

1 Komente

  1. 8
    8t 97 iftfcu6u

    Boooooo sa rrotull i ke ra o burre. Thuaj me dy fjale qe ke hallin e Veliajt e mos e tirr kaq gjate. Besoj se nuk je aq budalla sa te mos e kuptosh fati i Velise nuk vendoset ne prokurori por ne kryeministri. Keshtu ndofh kur oborrtari kerkon ye behet mbret.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje