Me një vjershë të zgjedhur të Dritëro Agollit, të shkruar në vitin 1994, titulluar “Kundërshtarëve të mi”, kryeministri Rama ka përshëndetur kundërshtarët.
“Mirëmëngjes dhe me këtë vjershë të bukur aktuale të Dritëroit, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Të shtunën (4 korrik), kur u mbajt edhe protesta kombëtare me diasporën, ditë që shënonte edhe ditëlindjen e kryeministrit, protestuesit sollën në shesh një sërë simbolikash. Ata e nisën me një tortë prej betoni të zbukuruar me flamingo, më pas me një arkivol, një tjetër tortë me të cilën i kënduan “shumë burgime për ty” e deri te një uniformë burgu, brisk, sapun e miell. Arkivoli, si një simbolikë për 'vdekjen politike' të Ramës, u quajt prej tij një "kopje e shëmtuar e shtatorit 1998" dhe vrasje e protestës qytetare.
Kundërshtarëve të mi
Ju aq baltë po hidhni mbi mua,
Sa në baltën që kam përmbi trup,
Mund të mbijë një dardhë a një ftua,
Një korije e madhe me dushk.
Në korije dhe dru mund të mbani,
Mund të shkoni për gjah me langonj,
Mund të ngjiti në pemë të hani,
Po të doni dhe dardha dhe ftonj.
Balta ngrihet mbi mua e pasur,
Sa mbi baltën korija bleron…
Trupin tim ma bleruat padashur
Dhe ma bëtë vërtet plantacion.
Lini një Përgjigje