Në një reagim në rrjete sociale, ish deputeti Petro Koçi është shprehur se me sjelljen e një arkivoli në bulevard, protesta u shëmtua, ndërkohë që sipas tij, pretendimi se dhuna u sponsorizua nga qeveria është qesharak.
Koçi mendon se Sali Berishës i duket amnisti morale që arkivoli u kthye për së dyti në mjet të luftës politike nga një lëvizje “qytetare” që komandohet nga idhtarët e tij.
Postimi i plotë:
Berisha i lumtur që përfundimisht nuk mbeti i vetmi që dërgoi një arkivol përballë kryeministrisë.
I duket amnisti morale fakti që arkivoli u kthye për së dyti në mjet të luftës politike nga një lëvizje "qytetare".
Edhe pse është një lëvizje, motorin politik të së cilës e komandojnë idhtarët e tij.
Bukuria e protestës u shëmtua dhe shpresa se ajo do të impononte ndryshimet e nevojshme në sistemin e demokracisë tonë po shuhen.
Qesharak edhe pretendimi që dhuna sponsorizohet nga qeveria ndërsa dhunuesit konsiderohen si heronj.
O njëra o tjetra dreqi ta hajë.
Çudia tjetër është urrejtja që ka bërë bashkë në një front ballistët e vjetër, komunistët e rinj dhe vorio epirotët e përhershëm.
Lufta për karrige e "liderëve" të shfrytëzimit të protestës po e vjedh karburantin që mban ndezur motorin e demokratizimit të mëtejshëm të Republikës.
Metodat dhe skemat haxhiqamiliste i shërbejnë vetëm qëllimeve të dumbabës.
Eshtë mëkat që reagimi dhe presioni progresist i qytetarëve të vërtetë, jo partiakë, që kërkojnë ndryshime që përmirësojnë performancën e Republikës të shkojnë dëm.
Në këtë rast faji do u mbetet edhe disa analistëve që karriget e studiove u rrinë ngushtë e që mendojnë se karriget e Kuvendit mezi po presin të ndenjurat e tyre.
Qeveria duhet të kuptojë se ka plot gjëra që nuk shkojnë mirë e për të cilat ata qytetarët jopartiakë, kanë të drejtë.
Lini një Përgjigje