Protesta që humbi momentin

5 Korrik 2026, 16:10Blog Nga Altin Ketro

Në çdo protestë popullore, mënyra se si kapitalizohet energjia e ditëve të para është shpesh po aq vendimtare sa vetë kërkesat që ngrihen. Zemërimi qytetar mund të shndërrohet në proces politik, por mund edhe të shpërndahet pa u kthyer në forcë reale negociuese. Protestat disajavore në Tiranë, të lindura nga kundërshtimi ndaj projektit të investimit në aksin Zvërnec-Sazan, duket se u afruan më shumë me këtë të dytën.

Ngjarjet rrodhën shpejt pas pamjeve dramatike që qarkulluan në media ku një individ tërhiqej zvarrë, duke prodhuar një mobilizim të menjëhershëm në Tiranë. Ky ritëm i fortë reagimi krijoi përshtypjen e një lëvizjeje politike në embrion që priste vetëm një shkak për t'u ndezur. Por ajo që ndodhi më pas ishte më pak lineare. Vrulli fillestar nuk u shoqërua me ndërtimin e mekanizmave të nevojshëm për ta kthyer protestën në një faktor politik me të ardhme.

Kërkesat për dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë, si edhe për krijimin e një qeverie teknike, nuk duhej të ishin pikënisje e një procesi kërkesash. Ato mund të ekzistonin si objektiva maksimalë, por jo si Plani A. Në momentin që vendosen si kushte të para, hapësira për dialog mbyllet që në fillim.

Nga këndvështrimi i një mazhorance që mbështetet në legjitimitet parlamentar, hapësira për lëshime në atë nivel është natyrshëm e pamundur. Kjo nuk e bën kërkesën të drejtë apo të padrejtë në vetvete, por përcakton shkallën e negociueshmërisë së saj në kushtet konkrete.

Në këtë pikë, protesta nisi të humbiste ngadalë koherencën e saj politike. Pjesëmarrja u tkurr me kalimin e ditëve, ndërsa mungesa e një strukture të qartë përfaqësimi e bëri të vështirë mbajtjen e një linje të unifikuar veprimi. Në raste të tilla, boshllëku organizativ shoqërohet me tensione dhe akte dhune, të cilat shpesh shfaqen kur një lëvizje rruge nuk arrin të prodhojë rezultatet e pritshme, gjë që rëndon perceptimin publik për të.

Nëse drejtimi i protestës do të kishte zgjedhur një qasje më të hapur institucionale, me kërkesa të matshme, hapësira e tij për ndikim politik do të ishte më e madhe, edhe pa pasur një status formal. Jo përmes përplasjes direkte apo shfaqjes së arkivoleve mortore, por përmes aftësisë për t'u shndërruar në një aktor të artikuluar me kredibilitet publik dhe aftësi për të ushtruar presion politik të vazhdueshëm mbi institucionet.

Po ashtu, mënyra e përfaqësimit ka peshën e saj. Një grup negociator i përbërë nga figura publike të konsoliduara do të ndikonte jo vetëm në perceptimin e jashtëm, por edhe në stabilitetin e brendshëm të lëvizjes, duke e bërë më të vështirë fragmentimin e saj në rrugë.

Ajo që mbetet është përshtypja e një momenti historik që u konsumua shpejt, pa arritur të marrë formën e një procesi të qëndrueshëm. Sepse në politikë, energjia e ditëve të para ka vlerë vetëm kur përkthehet në organizim, përfaqësim dhe strategji politike. Një protestë nuk shndërrohet në faktor politik vetëm nga numri i pjesëmarrësve, por nga aftësia për ta strukturuar, artikuluar dhe mbajtur të hapur si proces negocimi. Pikërisht aty kjo protestë duket se e humbi momentin e saj.

5 Komente

  1. D
    Duan tē pasurohen si Bela, pasi atje me pikatore u

    Protesta nuk do ketē sukses sikur nē shesh tē dalin dhe 3 milion shqiptar 7 ditē tē javēs pēr kēta arsye.1). Ështē anti amerikane.2). Jep ultimatum.3).Nuk kan prova materiale pēr akuzat e ngritura veç infirmacioneve televizive qē Berisha jep kundra PS-sē dhe interesi qeveris pēr largimin e Berishēs nga ish blloku.Po tē shtrenjtohen biletat e avionit pēr tē gjith ata qē vijn vetēm pēr protest, dhe tē gjobiten si mē parē tē gjithē diaspora me makinat e tyre nē dalje të pikave kufitare, atēher do na bien veshēt rehat nga kēta depresif.

    Përgjigjjuni
    1. P
      Parruca

      Ajo qe ke pershkruar eshte fiks percaktim i nje diktature. Bravo e fitove sufllaqen per sot.

      Përgjigjjuni
    2. J
      Jeniçeri

      Kjo ishte jehone e erresires se gremisur me shume mundime, mor zoteri, nuk eshte proteste qe ti e analizon me kaq keqardhje pse na paska humbur momentin! Trap kalemxhi.

      Përgjigjjuni
      1. P
        Parruca

        Keta analistet, gazetaret, patronazhistet, sufllaqexhinjte qe jane hedhur ne aksion me goditje te perqendruar kete muajin e fundit me kujtojne telekomedine "Gjuetia e fundit". Jane sulur kush e kush te lehe me shume. Me kujtojne 1991 kur enveristet u n griten ne kunderproteste, e kur media e asaj kohe i etiketonte protestuesit si vandale, forca te erreta etj etj. Jo se nuk kishte te tille mes protestuesve, por thelbi qendronte; njerezit ishin lodhur me diktaturen. Njelloj dhe sot, njerezit jane lodhur me Edi Ramen dhe arrogancen e tij, me vjedhjet sy per sy te popullit te varfer shqiptar, shkaterrimin dhe betonizmin e vendit, futjen e ekonomise ne nje qorrsokak ku buxheti financohet nga ndertimet pa kriter te cilat nga ana tjeter financohen nga leket e pista te droges dhe korrupsionit. Njerezit jane te lodhur!! A ka mes protestuesve njerz te dhunshem, njerez te Berishes, njerez te Albinit, njerez te Iranit? Mbase, por keta jane pakica, shumica jane ata njerez te qyteteruar, te rinj e te reja qe jane lodhur nga plaçkitja e vendit nga banda e Ripjelljes. Mjaft me!

        Përgjigjjuni
        1. N
          Nik

          Këto demostrimet e shëmtuara me arkivole ose ato sulmet fizike ndaj fotove te Z. Rama, duke nxitur fëmijët t'i kryejnë, janë tipike talebaneske, bile më keq akoma se talebanët nuk i përdorin fëmijët në këtë shkallë!

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje